Tregtia e jashtme janar-mars 2013
Në Mars 2013 u eksportuan 19,252 mln lekë mallra, me rritje 21.4% në krahasim me Shkurt 2013 dhe rritje me 14.9% në krahasim me Mars 2012. U importuan 38,147 mln lekë mallra me rritje 14.4% në krahasim me Shkurt 2013 dhe ulje 14.2% në krahasim me Mars 2012.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 18,895 mln lekë, duke shënuar një rritje prej 8.1% krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 31.8% krahasuar me Mars 2012.
Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Austri, Greqi, Gjermani, Itali, Kosovë, etj, dhe për importin, Gjermani, Itali, Kosovë, Kinë, Turqi, etj.
Importet kanë thelluar ritmet e rënies gjatë muajve të parë të këtij viti, duke u tkurrur me 11% me bazë vjetore për periudhën janar-mars në 105.6 miliardë lekë, sipas të dhënave që janë bërë të ditura nga INSTAT.
Ndikimin kryesor në këtë tendencë negative e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit minerale lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 30% me bazë vjetore, në gati 19 miliardë lekë, duke zbritur në gupmallrin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por, ndërsa rënie e këtij zëri lidhet dhe me reduktimin e importeve të energjisë, për shkak të situatës së favorshme hidrike në vend, tkurrja e importeve të grupmallit “pije, ushqime dhe duhan” është një tregues direkt i faktit që shqiptarët kanë filluar të kursejnë dhe për produkte jetësore, ndërkohë që produktet vendase i munguan tregut në të njëjtën periudhë, për shkak të efektit sezonal dhe shirave që nuk mundësuan daljen në treg të produkteve vendase. Ky zë ra rënë me 10.5% me bazë vjetore në 19.5 miliardë lekë për tre muajt e parë të këtij viti, duke zënë vendin e dytë për nga vlera e grupmallrave të importuara.
Në një tregues se sektori i ndërtimin vijon tkurrjen e tij, edhe importet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë më 6.2% në 13.1 mld lekë.
Edhe importet e makineri e pajisje këmbimi u tkurrën me 11%, në 19.9 miliardë lekë, një tjetër indikator ky i rënieve të investimeve në ekonomi.
Eksportet kanë vijuar performancën e tyre pozitive në tre muajt e parë të vitit, duke u rritur me 17.2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars 2013, duke arritur në 53.2 miliardë lekë.
Tre grupmallrat kryesore kanë shënuar tendencë pozitive, ku rekordin vijojnë ta mbajnë eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që janë rritur me 47% në 23.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Në rritje kanë vijuar dhe eksportet e tekstileve e këpucëve, që janë zgjeruar me 4.2% në 16.5 miliardë lekë. Ky zë shënoi rënie përgjatë gjithë vitit të kaluar, por këtë vit eksportuesit duket se po e rimarrin veten, teksa partnerët italianë po rikthehen në Shqipëri, duke iu larguar Kinës.
Grupi i tretë më i madh, ai i materialeve të ndërtimit e metaleve ka parë një rritje të eksporteve me 5% në 7.3 miliardë lekë, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të eksporteve të kromit. Edhe ky zë vitin e kaluar shënoi një performancë negative.
Burimi: INSTAT