Një jetë mes pasionesh!
Shumëkush nga ne që e njohëm do ta kujtojmë me respekt Artan Santon.
Secili do ta kujtojë në mënyrën e vet, ashtu siç ka pasur rastin ta njohë në jetën shumëdimensionale që ai jetoi në mënyrë intensive, tipike për një personazh në një rol kryesor në skenën e komplikuar të një drame me tematikë bashkëkohore, së cilës, gjithmonë e më shumë po i ngjan shoqëria jonë.
Të gjithë ne do ta kujtojnë për dëshirën që kishte për të arritur aty ku të tjerët nuk kishin arritur akoma dhe për pasionin e përkushtimin e tij në punë, për ta arritur këtë objektiv.
Shumë ndër ne do ta kujtojnë për kontributin që ai ka dhënë në sistemin financiar e bankar, për të arritur në këtë fazë ku është sot.
Një pjesë e madhe do ta kujtojnë për incentivën e tij në funksion të zgjidhjeve ekonomike të shumë bizneseve, që pati rast të kalonte nëpër duar.
Ndokush do ta kujtojë për një kontribut pasionant në lidhje me ndonjë libër poezie, apo për një fjalë të mbajtur në lidhje me të drejtat e njeriut.
Dikush tjetër për komentet në lidhje me redaktimin e një lajmi përpara botimit në gazetë apo në ekran.
Dikush për një diskutim në lidhje me një çështje të politikës së ditës apo të ekonomisë politike në vend.
NJË GJË ËSHTË E SIGURT, QË TË GJITHË NE DO TA MBAJMË MEND ARTAN SANTON.
Artan Santo, një nga bankierët më të njohur e më vizionare në vend është ndarë në mënyrë tragjike javën e kaluar. Ai ishte CEO te “Credins Bank”, por edhe njëkohësisht kishte interesa ekonomike jo vetëm në “Credins Bank”, “SiCred”, por edhe në “Focus Group” (grupi që kontrollin Gazetën Shqiptare News24, Balkan Web) dhe RTV SCAN.
Si bankier me përvojë dhe me jetëgjatësi të madhe si CEO i një banke tregtare në Shqipëri, sigurisht që e ndërtoi personazhin e vet në botën financiare, por ndërkohë ai njihej nga të gjithë edhe për shpirtin e tij artistik dhe angazhimin e tij social. Ai shkruante dhe ka botuar libra në poezi, prozë të shkurtër, përfshi jetëshkrimin e tij. Ai ka qenë i angazhuar për vite me radhë me Fondacionin për një Shoqëri të Hapur, duke dhënë një kontribut të vyer për ngritjen e konsolidimin e një shoqërie civile kontribuuese në demokracinë e brishtë shqiptare.
Por e gjitha kjo si sfond për një karrierë të suksesshme bankare, që u mbyll para kohe në mënyrën më të padrejtë. Në vend të lamtumirës, “Monitor” sjell një retrospektivë të punës, arritjeve, sukseseve dhe pasioneve të një jete….
… Artan Santo lindi më 7 shtator 1956 në Tiranë, nga një baba elbasanas dhe një nënë durrsake. Ishte një familje tipike intelektuale, siç i quajmë rëndom[1]. I ati ekonomist, drejtues i lartë në disa institucione shtetërore. E ëma arsimtare, një mësuese e respektuar për disa gjenerata nxënësish në Rrethin e Tiranës. Prindërit ishin punëshumë dhe shpesh të atin e shihte vetëm në mbrëmje vonë, kur kthehej nga zyra. Kjo ishte një përvojë e destinuar të trashëgohej. Artani me bashkëshorten, edhe ajo ekonomiste, krijuan një familje të ngjashme. Karriera e gjatë prej bankieri i mori shumë nga koha që do të kishte dashur t’u jepte fëmijëve, Emit dhe Egit. Zanafilla ishte në vitin 1982, kur një shok e prezantoi rastësisht Artanin me një kushërirën e tij, Arianën. Një vit më vonë ishin të fejuar dhe në vitin 1984 u martuan. Pas një viti lindi vajza, Emi dhe në vitin 1988, djali, Egi.
Në intervistë shprehej se shtëpia i garantonte qetësinë e duhur dhe hapësirën për të organizuar darka mes miqsh, sepse përveç artit, të biseduarit me miqtë dhe njerëzit që ka për zemër, është pasioni tjetër i madh i tij.
“Gjëja më e rëndë është të mos kesh miq. Kam mjaft të tillë, si brenda bankës, ashtu edhe në sfera të tjera jashtë saj. Disa prej aksionerëve janë edhe miqtë e mi të ngushtë. Mua më pëlqen arti dhe gjithmonë përpiqem të jem pjesë e botës së artit, kam mjaft miq të kësaj bote. Duke qenë se jam shumë i zënë me punë, për miqtë mbeten darkat e vona ose fundjava e vonë. Unë dal në punë edhe të shtunën, edhe të dielën paradite. Lumturisht, në shtëpinë time kam mjedise për të organizuar darka mes miqsh dhe e bëj këtë shpesh”.
Për Artanin nuk ka qenë problem të krijonte miqësi me njerëz që kishte marrëdhënie biznesi, edhe pse ishte paraja në mes.
“Varet sa u beson njerëzve”, – i është përgjigjur ai pyetjes së gazetarit. “Nga kjo pikëpamje, nuk kam frikë, sepse unë përpiqem gjithnjë të jem shumë korrekt me paranë. Kjo korrektesë të krijon mundësinë për të ndërtuar miqësi të mira dhe të qëndrueshme. Njerëzit korrektë nuk i dallon thjesht dhe vetëm pasuria. Kanë edhe shumë cilësi të tjera. Te njeriu vlerësoj sinqeritetin, të thënit e së vërtetës, qoftë edhe kur është e hidhur, sepse duke ditur sa më shumë të vërteta, ke mundësi të përmirësosh defektet. Nga miqtë e vjetër nuk kam humbur askënd”.
Pasioni i përjetshëm për bankën
Ka qenë gjithnjë i dashuruar me punën në bankë. Fillimi i hershëm i kësaj historie janë studimet për Financë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në vitin 1981. Paralelisht vazhdoi studimet me korrespondencë për Drejtësi dhe u diplomua në vitin 1987. Pas diplomimit për ekonomi punoi në Ndërmarrjen Tregtare Industriale, si kryerevizor. Në vitin 1984 kaloi në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Karrierën bankare e nisi në vitin 1989, kur filloi të punojë në Bankën e Shqipërisë. Në vitin 1991 filloi përvojën 10-vjeçare në Bankën e Kursimeve, fillimisht si drejtor drejtorie, pastaj nëndrejtor i përgjithshëm dhe nga viti 1997 deri në vitin 2001, Drejtor i Përgjithshëm.
Për eksperiencën në krye të Bankës së Kursimeve ka folur gjithnjë me krenari të veçantë. “E gjeta me humbje tejet të madhe dhe e lashë me fitim për t’u lavdëruar, të paarritur ende deri më sot”.
Në vitin 2001, së bashku me disa miq biznesmenë, krijoi institutin e parë financiar privat dhe në vitin 2003 të parën bankë private me kapital shqiptar, “Credins”.
“Në tërësi, momenti më i rëndësishëm në karrierën time ka qenë krijimi i Bankës Credins. Krijuam bankën e parë shqiptare dhe kjo është arritje, është diçka për të cilën mbahesh mend. Është eveniment që realizohet vetëm një herë në jetë. Është një punë që e bëj me shumë shpirt e dashuri; aq më tepër që nuk jam vetëm drejtues i bankës, por edhe pjesë e ekipit të aksionerëve. Kjo është shumë pozitive, sepse je i motivuar në arritjen e një qëllimi si aksionerët e tjerë dhe je i nxitur edhe nga një përfitim i yti”, – do të kujtonte z. Santo në intervistë.
Ka qenë gjithnjë shumë kërkues me veten dhe ndaj personelit të tij. U përmendte vazhdimisht vartësve të tij se nuk ka dallim mes shtëpisë edhe bankës; është një pjesë e tërë e jetës së çdonjërit: “Të punojmë në këtë shtëpi të madhe që rritet dita-ditës”. Puna e tij e përditshme në zyrë i kalonte të 12 orët.
“Unë në punë eci me filozofinë që banka është e jona dhe të punojmë për të si për shtëpinë tonë. Ka drejtues që i bien me grusht tavolinës për të arritur diçka, ka të tjerë që gjykojnë mbi konsultimet dhe mbi një marrëdhënie të gjerë. Unë hyj në kategorinë e dytë. Përpiqem të zë sa më shumë miq dhe mbi të gjitha të dëgjoj shumë. Nëse unë mbyllem në zyrën time, nuk do të kem mundësi të mas pulsin e sistemit në çdo çast. Ky puls ndihet në marrëdhëniet me kolegët, me bizneset, me konkurrencën, me të gjithë aktorët e tregut”, kujtonte Santo.
Ai është shprehur krenar dhe për brezin e bankierëve që ka përgatitur në vite, si kur drejtonte Bankën e Kursimeve, ashtu dhe gjatë kohës që drejtonte “Credins”. “E rëndësishme është që i shërbejmë të gjithë vendit dhe ekonomisë sonë, në një sistem që rritet dukshëm”, do të kujtonte Santo.
Banka e parë, që foli shqip
Ishte viti 2003 dhe telefonatat nuk reshtnin në zyrën e Artan Santos, drejtorit të Institutit Financiar Credins, teksa sapo ishte dhënë lajmi se Banka e Shqipërisë kishte dhënë licencën për bankë. Telefonata urimi, por edhe krenarie. Më në fund, një grup biznesmenësh shqiptarë kishin guxuar të thyenin tabunë, të bashkonin kapitalet dhe të vendosnin për të hapur një bankë. Dhe do të ishte një bankë që do të fliste vetëm shqip. Eksperienca nuk u mungonte, sidomos drejtuesve ekzekutivë. Një vit e gjysmë në krye të institucionit privat “Credins” për bankierin Artan Santo nuk ishin pak. Aq më tepër që Santo vinte nga një eksperiencë si drejtor i Bankës më të madhe në vend, Bankës së Kursimeve.
Santo ishte i sigurt në atë kohë se banka me kapital shqiptar nuk ishte veçse një avantazh dhe një besim shtesë për klientët. “Njerëzit sot në Shqipëri janë të prirur në tërësinë e tyre shqiptare. Shqiptarët, le të themi jashtë vendit, si në Greqi apo në vende të tjera janë bërë nacionalistë. Unë nuk dua të përdor nacionalizëm. Pavarësisht se partnerët nuk mund të përdorin konceptin e besës, shqiptarët e dinë dhe kanë për të kuptuar faktin që shqiptarët dinë t’i menaxhojnë depozitat e tyre”, do të pohonte ai në një intervistë për “Monitor” në atë kohë, duke shtuar se fleksibiliteti do të ishte pika e fortë e bankës. “Ne patëm një praktikë njëvjeçare e gjysmë me aktivitetin tonë në Institutin ‘Credins’. Deri më sot, unë nuk kam dëgjuar një klient që të jetë i pakënaqur nga shërbimet tona. Për vetë faktin që unë kam eliminuar burokracinë, duke respektuar gjithë parametrat që kërkon Banka e Shqipërisë. Kredia jepet me afektivitet dhe me një shpejtësi të menjëhershme. Në banka duhet të presësh për të marrë kredinë edhe një muaj. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë te ne, sepse klienti p.sh., nëse i vjen malli nga jashtë, pas dy ditësh ky mall rrezikohet t’i prishet dhe burimet e financimit i duhen sa më shpejt. Pse të presë kredinë në bankat e tjera, kur te ne e ka marrë atë, ka mbaruar punë dhe e ka kthyer”.
Dhe në fakt, strategjia e tij i dha frytet në vite. Falë vizionit të Artan Santos, “Credins” u bë një nga bankat më të mëdha në vend, me një rritje të shpejtë, edhe në vitet e fundit kur sistemi bankar kaloi në stanjacion, duke u bërë një nga financuesit kryesorë të biznesit vendas.
Në fund të tremujorit të parë të vitit 2014, “Credins” ishte banka e katërt më e madhe në vend në bazë të aktiveve, me një total aktivesh prej 116 miliardë lekësh, duke zënë 8.4% të sistemit bankar. Në peshën për kreditimin në ekonomi, “Credins” renditej e treta, pas BKT dhe “Raiffeisen”, me stok total prej 71 miliardë lekësh, duke qenë banka me rritjen më të madhe për sa i përket kreditimit në tremujorin e parë të këtij viti.
FLASIN KOLEGËT
Arben Malaj: Humbja e një kolegu guximtar në vizionin e tij modern
Javën e kaluar ndodhi një ngjarje tragjike: Vrasja makabre e kolegut e mikut Santo është drithëruese. Takimi im i parë me të ka qenë në fillimet e vitit ‘90 dhe i fundit më 23 qershor, në përvjetorin e PS-së, ku si gjithmonë ai qëndronte i qeshur dhe mes kolegëve.
Pas një njohjeje disavjeçare, u përballëm në një moment të vështirë të ristrukturimit, reformimit dhe në hapat e para të modernizimit të sistemit tonë bankar. Ishte kohë kur sfida më e vështirë ishte Banka e Kursimeve, e cila kishte rreth 70% të depozitave, ku na duhej të përzgjidhnim një menaxher të ri; një menaxher që e ndiente, e donte dhe përkushtohej për të bërë diçka të veçantë dhe të suksesshme. Në mandatin e ministrit të Financave, mes kolegëve të tjerë të respektuar, ne përzgjodhëm Santon. Mbështetja e kolegëve, kryeministrit Fatos Nano dhe institucioneve ndërkombëtare me të cilët u punua shumë ngushtë për reformimin e sistemit bankar në tërësi ishte e plotë për cilësinë e punës dhe vizionin që ai kishte sjellë në menaxhimin e këtij institucioni financiar.
Ajo që e bënte të veçantë Santon ishte energjia pozitive, ishte qartësia në atë që duhej bërë; ishte puna në ekip; element shumë i rëndësishëm për kohën jashtëzakonisht të vështirë që kalonte vendi dhe për domosdoshmërinë e reformave, ku ajo e sistemit bankar konsiderohej parakusht për zhvillimin ekonomik, sidomos pas rënies së skemave piramidale.
Ndoshta sukseset e tij si Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Kursimeve ngjallnin edhe xhelozi.
Në respekt të kulturës sonë të vjetër nuk mungonin edhe letrat anonime apo mesazhet dashakeqëse, por kurrë në konsultimet e drejtpërdrejta apo në korrespondencën zyrtare nuk pati asnjë rast që Santo të dorëzohej, të ankohej për të tjerët, të kërkonte takime, konsultime, mbështetje të veçantë për detajet e reformimit të Bankës së Kursimeve: Ekipi i menaxhimit; bordi i drejtuar nga prof. Lavdosh Zaho, bashkëpunimi me kolegët e huaj që bashkëmenaxhonin BK e me ekspertët e Bankës Botërore ishte maksimal.
Santo nuk e kalonte mosplotësimin e një detyre te të tjerët, nuk të lodhte me justifikime, nuk e fshihte ku ishte problemi, por të bindte që gjithçka do të tejkalohej dhe suksesi ishte i sigurt.
Ndaj jo për kortezi, por për një detyrim mirënjohës ndaj Artan Santos nuk mund të mos e rishpreh vlerësimin tim maksimal për ekipin e reformave në sistemin bankar të vendit tonë, ku Santo dhe disa kolegë të tjerë ishin jo vetëm pionierët e atij ndryshimi të rëndësishëm, por edhe aktorët kryesorë të atij suksesi thelbësor për ekonominë e vendit.
Guximi i tij nuk mbeti as si kujtimi i një aktori të ri e të talentuar në një film, as brenda reformave të sektorit publik, Santo guxoi të investonte dije, përvojë, eksperiencë në sektorin privat duke vijuar në mënyrë graduale deri në krijimin e “Credins Bank”, suksesin e tij më të madh. Kjo arritje pasoi formimin e institucioneve të tjera financiare, të cilat ishin investimet e para që krijuan nxitje, besim, inspirim edhe për investitorë të tjerë shqiptarë, për të investuar në industrinë financiare në vend.
Ndoshta guximi për novacion dhe dashuri të veçantë për vendin e nxitën Santon të bënte investimin më profesional në median vizive, duke krijuar TV SCAN, i cili, jo vetëm në harmonizimin e ngjyrave dhe efekteve të tjera estetike, por sidomos në fokusin dhe cilësinë e informacionit dhe analizave ekonomike mbetet një nga investimet më të mirë për opinionin publik dhe investitorët shqiptarë.
Shpesh kur diskutojmë me studentët u referohem edhe analizave për zhvillimet ekonomike në vendin tonë dhe në ekonominë europiane e globale që me aq profesionalizëm i gjen në TV SCAN.
Nuk ndodhesha në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën një miku të veçantë, një kolegu të jashtëzakonshëm, një guximtari të vetëm në angazhimet e tij inovatore, ku harmonizonte vizionin për ndryshim me përkushtimin për ta bërë realitet çdo ide të re, qoftë edhe të parakohshme.
Ndoshta kjo mospërputhje në kohë e mori Santon shumë më shpejt sesa ai. Familja dhe kolegët e tij nuk e meritonin këtë humbje.
Në mirënjohjen tonë më të thellë, Santo do të na mungojë, jo thjesht në takimet tona midis kolegëve, por ndoshta do të na mungojë më shumë në inspirimin pozitiv që krijonte midis profesionistëve për të guxuar në vizione inovatore dhe përkushtime fisnike.
Lindita Lati: Njeriu dhe dimensioni, një mendim i shpejtë për Santon
Qetësia, maturia, mençuria, ky është njeriu që kemi parë tek Artani. Dimensioni, një fjalë e vështirë për ta përcaktuar, në shpirtin e “guximtarit”, financierit, sipërmarrësit, artistit, prindit e bashkëshortit.
“Guximtari”, personazhi me të cilin jemi rritur, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti shfaqej në idetë, por jo vetëm në filozofinë, në mënyrën e të menduarit, por mbi të gjitha, shpirti luftarak dhe guximi për të vepruar.
Në vitet e para të ‘90-s ka qenë njohja si një nga financiarët me rezultate dhe përvojë të spikatur, kryesisht në fushën e bankave. Por, në pak vite, ky profil u dallua për shpirtin e lirë të sipërmarrjes në një nga aktivitetet më të guximshme, duke marrë në konsideratë kurbën e zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri, për më tepër, të një banke me kapital tërësisht vendas, ku konkurrenca me bankat e njohura ndërkombëtare, me infrastrukturë më të konsoliduar, ishte një nga sfidat e vazhdueshme të kësaj sipërmarrjeje.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani:
“Pas një akti kriminal të pashembullt, u nda nga jeta miku dhe kolegu ynë i vjetër Santo, i cili për vite me radhë punoi për ndërtimin e një institucioni të besueshëm si Banka Credins. Santon do ta kujtoj gjithmonë për optimizmin dhe entuziazmin e tij. Vizioni dhe natyra e tij novatore do të vazhdojë të jetë burim motivimi për ekipin drejtues të Bankës Credins, ashtu siç pata rastin ta konfirmoj edhe gjatë takimit me drejtuesit e këtij institucioni. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes Santo dhe lutem që të gjejnë forcë për të përballuar këtë humbje tragjike”.
“Amaneti” i fundit i Santos
Sfidë modeli i ri ekonomik, bazuar te prodhimi dhe zgjerimi i tregjeve
Ajo që është më rëndësishmja, e dalë edhe si imperativ i një sjelljeje tjetër të ekonomisë vendase, brenda saj por edhe në raport me zhvillimet në tërësi, do të jetë krijimi i një modeli të ri ekonomik të bazuar te prodhimi dhe zgjerimi i tregjeve, duhet të jetë gjithashtu një sfidë, por njëkohësisht edhe një mundësi për ne
Si një bankier me përvojë dhe drejtues i një prej bankave kryesore në vend, z. Santo ka qenë vazhdimisht i pranishëm në faqet e revistës “Monitor” me opinionet e tij lidhur me sistemin bankar, ecurinë e ekonomisë dhe sfidat e saj për t’u zhvilluar në të ardhmen. Po shkëpusim një pjesë nga intervista e fundit, dhënë në prill të vitit 2014, si një nga “amanetet” e fundit të bankierit pasionant.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfida më e madhe do të konsistojë në rritjen e kreditimit dhe përqasjen pozitive të menjëhershme ndaj një rritjeje potenciale të likuiditetit në treg, pas lëvrimit të këstit të parë të kredisë së FMN. Për sa u përket kredive me probleme, mendoj që frenimi i rritjes së këtij treguesi gjatë muajve të fundit të vitit që lamë pas, si dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e këtij treguesi. Kjo është sfidë e vërtetë. Dhe e gjykoj tërësisht të realizueshme, pasi interesat e bankave për t’u marrë me klientët problematikë dhe për t’i çliruar bilancet e tyre nga ata, po gjen konkretizim të përditshëm dhe konstant nga vetë mënyra se si BSH e organizoi këtë proces jo pak të vështirë.
Sistemi bankar sërish do të ndeshet ende me mungesën e kulturës bankare të biznesit në veçanti dhe me mungesën e kulturës së drejtimit të biznesit në përgjithësi. Edukimi, veçanërisht i biznesit, në një marrëdhënie transparente dhe të efektshme me bankën do të mbetet edhe këtë vit një sfidë për të gjithë sistemin bankar dhe të ekonomisë në përgjithësi.
Nga ana tjetër, ajo që është më rëndësishmja, e dalë edhe si imperativ i një sjelljeje tjetër të ekonomisë vendase, brenda saj por edhe në raport me zhvillimet në tërësi, do të jetë krijimi i një modeli të ri ekonomik të bazuar te prodhimi dhe zgjerimi i tregjeve, duhet të jetë gjithashtu një sfidë, por njëkohësisht edhe një mundësi për ne. Nuk është aspak një veprim i lehtë i qeverisë shqiptare, por i domosdoshëm për t’u realizuar, pasi mënyra e parë për t’u përafruar me teknologjinë e ndryshimit është prodhimi, natyrshëm dhe si rrjedhojë logjike edhe shërbimi, por në një treg mbarëshqiptar dhe panballkanik më të madh, ku krijon edhe mundësi biznesi dhe fitimi më të mëdha. Idetë e mëdha lindin edhe në tregjet e vogla, por mundësitë e mëdha lançohen në tregjet e mëdha, ku edhe shkëmbimi dhe përfitueshmëria gjejnë hapësira veprimi. E gjitha kjo përkthehet në më shumë biznes për sistemin bankar që, nga ana e tij, e kthen në rritje të produkteve të tij në të mirë të zhvillimit.
Curriculum Vitae
Emri: Artan
Mbiemri: Santo
Datëlindja: 7 shtator 1956
Vendlindja: Tiranë
Arsimimi
1976-1979 – Fakulteti i Ekonomisë, diplomohet ekonomist kontabël.
1981-1987 – Fakulteti i Shkencave Politike –Juridike, diplomohet jurist.
Eksperienca e punës
2003-qershor 2014: Drejtor ekzekutiv i Credins Bank.
2001-2002 Instituti Financiar Credins, drejtor i kreditit.
1997-2001 Banka e Kursimeve, Drejtor i Përgjithshëm.
1994-1997 Banka e Kursimeve, drejtor i Drejtorisë së Huave me Probleme.
1993-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm, drejtor i Degës Tiranë.
1992-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm – drejtor i Kreditit.
1991-1992 Banka e Kursimeve, specialist krediti.
1989-1990 Banka e Shtetit Shqiptar, shef i sektorit studimor në Drejtorinë e Kambizmit
1990-1991 Banka e Shtetit Shqiptar, zv.drejtor i Drejtorisë së Jashtme.
1984-1991 Instituti i Studimeve Ekonomike, Sektori i Studimit të Ekonomisë Botërore bashkëpunëtor tekniko–shkencor.
1981-1984 Ndërmarrja Tregtare Industriale Tiranë, kryerevizor.
[1] Marrë me shkurtime nga një profil që “Monitor” ka botuar për të ndjerin në vitin 2007, shkruar nga gazetari Ersuin Shehu