Paketa fiskale: Pro dhe kundër
Varianti më i fundit i paketës. Si do të ndryshojë tatim fitimi, taksa progresive mbi tatimin mbi të ardhurat personale
Paketa e re fiskale 2014 ka ndezur reagimet te biznesi vendas. Sipërmarrësit paralajmërojnë rritje të shpejtë të evazionit, nëse qeveria do të miratojë një tatimfitim të përshkallëzuar. Kundërshti edhe nga arsimi privat dhe koncesionarët e pasurive të nëntokës për përfshirjen në TVSH dhe rritjen e rentës minerare. Bujqësia dhe turizmi, dy sektorë që pritet të “gëzojnë” nga paketa e re.
Biznesi shqiptar është përfshirë së fundmi në një “amulli” mbi atë çka pritet të sjellë paketa e re fiskale e vitit 2014. Kur tashmë janë bërë publike pjesa më e madhe e risive që qeveria synon të implementojë në sistemin fiskal vendas, sipërmarrësit nuk janë të informuar zyrtarisht nga qeveria mbi risitë dhe ndryshimet që do të “prekin” drejtpërdrejt bizneset e tyre.
“Të gjithë jemi duke ndjekur mediat dhe jemi disi të çoroditur pasi nuk e dimë sesi do të procedohet”, thotë z. Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë Shqiptare, organizatë që grupon mbi 120 biznese të ndryshme vendase.
Por, sigurisht që debatet e para kanë nisur tashmë.
Biznesi i madh është kategorikisht kundër rritjes së tatimfitimit nga 10% që është sot deri në 15% gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria planifikon që të implementojë edhe një përshkallëzim të tatimfitimit, me qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe potenciale.
“Një nga mënyrat më efikase për të nxitur korrupsionin është padyshim shkallëzimi i taksave. Me taksën e sheshtë, manipulimi ishte shumë i pakët dhe vendosja në masën 10% tregoi efekte pozitive, sepse tatimet u rritën dyfish, sigurimet shoqërore nisën të paguheshin nga biznese për punonjësit e tyre. Përshkallëzimi dhe rritja do të thotë kthim mbrapa dhe padyshim, një rritje e shpejtë e evazionit”, thotë z. Fratari.
Nga ana tjetër, rritja pritet të sjellë edhe uljen e fitimeve dhe mundësive për të investuar të kompanive vendase, duke gjeneruar më pak të ardhura dhe vende pune në ekonomi.
“Problemi është se në vendet fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia, tatimfitimi është në nivelet 9-10% dhe prandaj qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të ruajë konkurrueshmërinë e vendit ndaj tyre. Me këtë paketë, ne bëhemi automatikisht më pak kompetitivë duke cenuar edhe thithjen e investimeve të huaja”, thotë kreu i Konfindustrisë.
Por, përveç rritjes së tatimfitimit për disa kompani në sektorë specifikë do të ketë edhe rritje të TVSH-së, siç janë hidrokarburet, koncesionarët e pasurive të nëntokës, arsimi, etj.
Këto biznese e kundërshtojnë kategorikisht ndryshimin e sistemit aktual fiskal dhe paralajmërojnë se kjo do të shoqërohet jo vetëm me më pak investime dhe punësim, por edhe deri në ndërprerje të aktivitetit në Shqipëri.
Vetëm dy sektorë, bujqësia dhe turizmi, po mirëpresin ndryshimet në paketën e re fiskale në kushtet kur në të përfshihen një sërë kushtesh lehtësuese që zerojnë apo ulin TVSH-në. Përfaqësuesit e këtyre degëve thonë për “Monitor” se sistemi i ri fiskal do të gjenerojë më shumë investime, prodhim dhe punësim gjatë viteve të ardhshme dhe do të na bëjë shumë konkurrentë kundrejt rajonit.
BUJQËSIA
“Më pak kosto, më shumë prodhim dhe eksporte”
Ruzhdi Koni, i cili prej vitesh drejton biznese në sektorin e bujqësisë, që nga importimi dhe tregtimi i farërave dhe fidanëve, si dhe prodhimi i produkteve të ndryshme bujqësore, i pret me shumë optimizëm masat e reja që do të nisin të zbatohen me paketën e re fiskale.
Për këtë sektor, qeveria ka parashikuar një sërë lehtësirash fiskale që nga heqja e TVSH-së mbi lëndët e para (fara, fidanë, etj.), heqja e akcizës së karburanteve që përdoren nga fermerët për punimin e tokës me mjete bujqësore.
“Këto janë nisma shumë pozitive për të nxitur sektorin dhe për të rritur më tej prodhimin vendas dhe eksportet. Heqja e TVSH-së do të ulët koston e prodhimit deri në 15% dhe kjo është pozitive sepse jemi më shumë konkurrues në treg dhe konsumatori do të përfitojë çmime të lira”, thotë z. Koni.
Përjashtimi nga TVSH i lëndëve të para, së bashku me heqjen e akcizës për karburantet pritet të ulë 60-70% koston e prodhimit të produkteve bujqësore, çka do të shtojë edhe potencialet për të eksportuar. Sipas z. Koni, këto janë vendime të vonuara, nëse krahasohemi me rajonin, ku prej kohësh po aplikohen masa incentivuese për lehtësimin e taksave në sektorin e bujqësisë.
Lehtësimet e taksave mirëpriten edhe nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH). Sipas presidentit të KASH, kjo do të sjellë një rritje të shpejtë të prodhimit vendas bujqësor.
Nga ana tjetër, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar kërkon që në paketën fiskale të vitit të ardhshëm, akciza e naftës për fermerët të rimbursohet me para në dorë dhe jo me tollona. Sipas presidentit të KASH, Enver Ferizaj, skema aktuale e rimbursimit të naftës nuk ka funksionuar si duhet, madje ka pasur dhe abuzime, pasi ndikon shumë shkalla e lartë e informalitetit në skemën e tregtimit të produkteve bujqësore.
Me heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore, kërkohet të rimbursohet fermeri për çdo blerje dhe jo distributorët importues në doganë.
Sipas Ferizajt, në propozimet që tashmë i janë paraqitur qeverisë për këtë paketë kërkohet mbështetje më e madhe për kooperativat bujqësore, si dhe dhjetëfishim i granteve në bujqësi dhe agropërpunim. Qeveria duhet të mbështesë me subvencione edhe mbjelljen e ullirit, vreshtave apo arrorëve, pasi sipas tij, hyrja në BE e vendit tonë, do të kufizojë shtimin e këtyre kulturave.
Kërkesat për qeverinë
Bordi i KASH, përbëhet nga kryetarët e 23 shoqatave tregtare kombëtare, të cilat janë themeluese dhe anëtare të KASH, si dhe 12 kryetarët e zgjedhur të Këshillave Rajonalë të KASH për 12 qarqet. KASH ka “depozituar” tashmë kërkesat në qeveri:
-Të nxitet kooperimi bujqësor, duke financuar çdo kooperativë me jo më pak se 3-5 milionë lekë, kjo për ndërtim objekti dhe blerje makinerish bujqësore seleksionuese e prodhuese për treg. Ky financim do të shërbejë si shtysë për organizimet e tjera duke reduktuar kostot prodhuese, duke garantuar suksesin e sipërmarrjeve dhe arritjen e një monitorimi më të mirë të subjekteve në sektorin e bujqësisë;
-Eksporti të konsiderohet si prioritet dhe të nxitet sidomos në drejtim të disa aspekteve ku vendi ynë ka avantazhe.
-T’u kushtohet më shumë vëmendje e të zbatohen me rigorozitet vendimet e KM për kultivimin e bimëve mjekësore, si ato me shtim të sipërfaqeve të reja dhe mbrojtjen e atyre autoktone shqiptare, pasi këto të fundit po dëmtohen nga vjelja pa kriter dhe abuzive;
-Të mbështetet prodhuesi i vajit të ullirit “të virgjër” për çdo litër vaj të prodhuar;
-Fermeri ka nevojë për përdorimin e naftës pa akcizë, prandaj jemi të mendimit që të kompensohet me mjete monetare për çdo hektar të mbjellë të tokës bujqësore dhe jo si në skemën e mëparshme ku kompensohej nafta për hektar të punuar, pasi kjo e fundit është abuzive, ka kosto të lartë menaxhimi dhe e pakontrollueshme;
-Të mbështetet si deri më tani rritja e prodhimit bio etj;
-Rritja e prodhimeve që janë burime proteinike të ushqimit dhe që një sasi e konsiderueshme e tyre importohet, duke marrë parasysh shtimin e prodhimit vendas, si zëvendësim të importeve, duke i mbështetur si më poshtë:
-Programi i mbështetjes së qumështit të aplikohet për jo më pak se 10 krerë lopë. Ne nuk mbështesim shpërblimin për prodhim të dorëzuar, pasi fermerët janë të paregjistruar, nuk kanë NIPT dhe dokumentacion ligjor për dorëzimin e mallit. Skema e vitit të kaluar për çdo ton prodhim nuk ka funksionuar si duhet;
-Mbështetja për prodhimin e mishit të bëhet për fermerët që trajtojnë jo më pak se 50 krerë viça dhe të jenë të licencuar për mbarështim e për prodhim mishi;
-Ushqimi i blegtorisë është baza e aktivitetit prodhues prandaj importimi i lëndëve të para e inputeve për prodhimin e tyre si misri, gruri e mielli i sojës, të bëhet pa TVSH si dhe të eliminohen referencat e çmimeve në dogana të paktën për mallrat që vijnë nga BE-ja.
-Të shikohet me përparësi prodhimi i peshkut nëpërmjet akuakulturës, duke studiuar skema të cilat nxisin këtë prodhim si një mundësi me perspektivë.
-Të subvencionohen ato ferma që mbarështojnë dhe shtegtojnë bletë të cilat kanë jo më pak se 50 koshere;
Disa masa që duhen marrë si nxitëse për biznesin sidomos në sistemin fiskal si:
-Zbatimi i ligjit për heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore, duke kompensuar në vlerë monetare fermerin për çdo blerje dhe jo distributorët importues në doganë. Për këtë kemi paraqitur edhe propozim konkret;
-Të rishikohet ligji i farave duke vendosur që të gjitha farat që janë të regjistruara në katalogun e OCDE të hyjnë në Shqipëri sipas standardit e jo të regjistrohen për çdo rast importi, pasi ka abuzime;
-Në pikën 4 të ligjit të TVSH-së për mekanikën bujqësore, të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së kompanitë e leasing-ut por jo tregtarët e thjeshtë të mekanikës bujqësore. Në këtë aspekt, mendojmë se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë subjektet tregtare që importojnë makineri bujqësore;
-Duke pasur parasysh VKM Nr.89, datë 16.01.2013 “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, propozojmë që për vitin 2014 të merren parasysh si më poshtë:
-Të vazhdojë skema e mbështetjes së ullirit si për mbjelljen e fidanëve të rinj ashtu edhe për ndërhyrjen në masën prej 20-30% të inventarit shekullor (sipas studimit të kryer për ullirin);
-Të mbështetet mbjellja për mollët dhe arrorët si arrat, lajthitë, gështenjat etj., pasi sipas studimit të bërë, arrorët zënë toka joproduktive;
-Të mbillen sa më shumë sipërfaqe me pemë e vreshta pasi hyrja në BE do të sjellë kufizim të mbjelljes së mëtejshme;
-Të ndalohet ndërtimi në tokat bujqësore. Për këtë qëllim propozojmë një moratorium për 5 vjet, duke i lënë hapësirë studimeve në qendrat e banuara në fshatra të cilat do të shërbejnë edhe për ndërtimin e infrastrukturës së duhur;
-Prodhimi i verërave të konsiderohet konsum familjar. Për këtë të ulet akciza nga 20 lekë në 5 lekë/litër, pasi taksa e lartë mbi këtë produkt favorizon importimin e verërave nga jashtë Shqipërisë. Të ndalohet importi i verërave të hapura e të pakontrolluara nga jashtë vendit;
-Të nxitet kreditimi nga sektori bankar dhe buxheti i shtetit duke mbuluar interesat bankare të kredisë deri në 70% për 5 vjet;
CIGARET
“Akciza le të rritet, por qeveria të operojë mbi një kalendar”
Një tjetër taksë që pritet të rritet me hyrjen në fuqi të paketës së re fiskale të vitit 2014 është edhe akciza e cigareve. Kjo është në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian.
Por importuesit e cigareve, problem shqetësues është pulla fiskale, e cila bëhet nga një kompani koncesionare e huaj. Sipas tyre, kjo pullë është një kosto e shtuar në kurriz të konsumatorit.
Në parim, distributorët e cigareve në vendin tonë janë dakord për rritjen e akcizës, e cila aktualisht qëndron në kufijtë e 70 lekëve për paketë.
Por sipas tyre, kjo nuk mund të bëhet pa përpiluar një kalendar mbi të cilin do të operojë qeveria.
“Ne jemi të vetëdijshëm se akciza do të rritet, por problemi këtu është se ajo rritet pa një plan dhe axhendë, ku edhe ne të jemi të informuar se çfarë kostosh do të kemi nga viti në vit.
Qeveria duhet që të hartojë një kalendar mbi bazë vjetore, ku të parashikohet çdo vit sesa do të ndryshojë akciza”, thotë Andi Nano, menaxher i komunikimit në një prej kompanive më të mëdha të cigareve në vend, JTI.
Përfaqësues të këtij biznesi kanë kërkuar që rritja e akcizës të bëhet në mënyrë graduale, me 10 lekë në vit.
Për sa i takon këtij viti, importi i cigareve është ulur, çka do të thotë më pak të ardhura në buxhet,ndërsa tregu është më i disiplinuar, pasi është ulur kontrabanda.
Por importuesit evidentojnë se gjithnjë e më shumë ka një rritje të duhanit të hapur në treg, i cili prodhohet dhe tregtohet pa paguar asnjë lloj takse në buxhetin e shtetit. Sipas tyre, rritja e akcizave do të dëmtojë më shumë ata që derdhin të gjitha detyrimet në shtet, ndërsa do të favorizohen në mënyrë të tërthortë, të gjithë evazorët, që mund të konkurrojnë me çmime shumë më të lira.
Paketa- ndryshimet e propozuara për akcizën
-Akciza e cigareve pritet të rritet nga 70 lekë në 90 lekë/kg.
Në vitin 2015, 2016 dhe 2017, akciza e cigares rritet me 10 lekë/paketa. Për vitin 2014, efekti i përllogaritur është 3,5 miliardë lekë. Duke marrë në konsideratë se muaji dhjetor 2013 do të ketë rritje të importeve të cigareve, efekti në buxhet është vënë 3.3 miliardë lekë.
Kërkesa e importuesve ka qenë rritje me 10 lekë/paketa çdo vit. Për efekt buxhetor, qeveria propozon që në 2014-n rritja të jetë 20 lekë/paketa dhe në vitet në vijim të jetë 10 lekë/paketa. Risku i rritjes së akcizës së cigareve është rritja e kontrabandës, mirëpo në vitin 2014 administrata doganore do të asistohet nga Crown Agent që do të ndihmojë në uljen e kontrabandës.
-Duhani i dredhur rritet nga 1500 lek/kg në 3000 lek/kg
– Akciza e verës dhe pijeve alkoolike rritet me 30%
-Ristrukturim i taksimit të birrës – Akciza e birrës është e ndryshme, në varësi të katër niveleve të prodhimit vjetor dhe forcës alkoolike. Propozohet që akcizimi i birrës të jetë i diferencuar vetëm sipas një niveli prodhimi vjetor 200 mijë HL/ vit dhe të forcës alkoolike. Pesë birrat prodhuese vendase kanë prodhim vjetor nën 200 mijë HL/vit.
-Heqja e përjashtimit nga akciza të importit të lëndëve djegëse që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta. Për vitin 2012, kompanitë hidrokarbure kanë marrë përjashtimin nga akciza në shumën 4.7 miliard lek, ndërsa për 10 Mujor 2013, përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse që përdorin për nevojat e veta ka qënë 5.3 miliard lek. Efekti i vlerësuar në buxhet 2014, është vënë 5 miliard lek. Sipas financave, shoqëritë hidrokarbure do të kontestojnë këtë masë me argumentin e rritjes së kostos së lëndëve të para dhe mund të kërkojnë rinegocim të marrëveshjeve hidrokarbure për ruajtjen e stabilitetit fiskal. Ministria e Financave është pro ndërmarrjes së kësaj mase në 1 janar 2014. Sipas të dhënave nga administratat tatimore dhe doganore, shoqëritë hidrokarbure kanë abuzuar me këtë përjashtimin duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg e jo t’i përdorin për nevojat e veta. Varianti i dytë që po shqyrtohet nga financat është heqja e përjashtimit nga akciza të importit të lëndëve djegëse që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta të bëhet në 1 janar 2015.
KONCESIONARËT
“Rritja e rentës, e paligjshme”
Paketa e re fiskale propozohet të sjellë rritje të rentës minerare për të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, ndonëse financat duken të pavendosura për ta zbatuar këtë masë. Në këtë “rreth” përshihen shoqëritë e kromit, bakrit, naftës, çimentos, etj., që renditen ndër firmat më të mëdha eksportuese në vend.
Nazmi Kumanova, koordinator në kompaninë e eksplorimit, pasurimit dhe eksportit të kromit “Beralb”, thotë se rritja e rentës minerare nga ana e qeverisë është e paligjshme.
“Ligjërisht, qeveria nuk ka të drejtë të rrisë rentën, sepse siç është përcaktuar edhe në një vendim të mëparshëm të qeverisë, renta luhatet në varësi të çmimit të produktit në bursë dhe ajo nuk rritet apo ulet sa herë që ekzekutivi e sheh të arsyeshme”, thotë z. Kumanova.
Aktualisht, në sektorin e bakrit, renta minerare është në nivelin 6% dhe sipas përllogaritjeve të “Beralb”, rritja e saj pritet të arrijë në nivelin prej 250%.
“Nga 1.5 milionë USD që paguajmë sot, ne duhet të paguajmë vitin e ardhshëm deri në 3 milionë dollarë në vit vetëm për rentën. Duke qenë se çmimi i bakrit ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, nga 1600 USD/kg është ulur në 1148 USD/kg, kjo do të sjellë ulje të ndjeshme të fitimeve”, thotë përfaqësuesi i shoqërisë me kapital turk “Beralb”.
Rritja vjen në kushtet kur kompania ka depozituar tashmë një kërkesë pranë qeverisë për të rishikuar rentën për këtë sektor, si pasojë e rënies së çmimeve. Nëse ajo do të rritet në këtë masë, “turqit” kërcënojnë me largim nga Shqipëria.
“Nëse qeveria do të vendosë këtë rentë, atëherë ne do të jemi të detyruar të largohemi nga investimi në Shqipëri, në pamundësi për të gjeneruar fitime”, shton z. Kumanova.
Një tjetër rritje e kostove pritet të vijë nga rritja e tatimfitimit, i cili, siç pritet, do të arrijë deri në 15%.
Paketa- ndryshimet për koncesionarët
-Kompanitë koncesionare do të përballen dhe me një rritje në 15% të rentës minerare nga 10% mbi çmimin e shitjes që është aktualisht
Heqja e përjashtimeve nga TVSH-ja në import dhe brenda vendit të mallrave dhe shërbimeve që lidhen me sektorin e hidrokarbureve. Për vitin 2012, sipas të dhënave të administratës doganore, efekti në të ardhurat e munguara nga TVSH-ja ka qenë 6.2 miliardë lekë. Për efekt vlerësimi buxhetor, duke marrë në konsideratë se kjo TVSH do të jetë e kreditueshme tek administrata tatimore, vlerësimi buxhetor është vënë 1 miliard lekë për vitin 2014.
Të dhënat nga administrata tatimore për 9-mujorin e vitit 2013 janë 6.5 miliardë lekë TVSH e përjashtuar. Për efekt vlerësimi, pritshmëria është përllogaritur 1 miliard lekë bazuar në argumentin e dhënë më lart. Në total, vlerësohen 2 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja nga heqja e këtyre përjashtimeve.
Ky përjashtim nuk është në përputhje me BE-në.
“Mendojmë se nuk do të ketë kontestime nga shoqëritë hidrokarbure. Kemi kërkuar mendimin teknik të Ministrisë së Energjetikës si ministria që rregullon marrëdhëniet e këtij sektori. Përjashtimi duhet hequr se ka rezultuar abuzues. Të gjithë duhet të futen në skemën e TVSH-së. Kompanitë e naftës janë eksportuese, kështu që TVSH e paguar në blerje, u rimbursohet 100% tek administrata tatimore. Në bazë të eksperiencave të vendeve naftënxjerrëse rezulton se Spanja, Australia, Danimarka nuk i përjashtojnë nga TVSH, kompanitë hidrokarbure; Azerbajxhani i përjashton nga TVSH me të drejtë kreditimi të TVSH. Përjashtim nga TVSH për të tilla shoqëri hidrokarbure aplikon vetëm Kameruni, Çadi dhe Algjeria”, argumentojnë zyrtarët e qeverisë.
Arsimi:
TVSH-ja mbi sektorin ul investimet, rrit çmimet për studentët
Thuajse dy vjet pasi u hoq TVSH-ja për arsimin, synohet një rivendosje e saj në masën prej 15% për arsimin publik dhe privat, duke e argumentuar me faktin se përjashtimi nga TVSH-ja nuk është në përputhje me Direktivën e BE-së.
Vendosja e kësaj takse nuk do të jetë e menjëhershme. Hartuesit e paketës janë në dilemë, nëse do të fillojë në tetor 2014, apo 2015, kur fillon viti akademik.
Përfaqësuesit e sektorit të arsimit privat universitar janë kategorikisht kundër përfshirjes së skemës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, thotë se kjo gjë do të sjellë shumë pasoja negative në sektorin e arsimit.
“Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar se arsimi nuk është biznes i mirëfilltë, sepse ka impakt në të gjithë shoqërinë. Ne, së fundmi, po punonim për të hyrë në skemën e organizatave jofitimprurëse, pikërisht për faktin se nuk jemi një biznes i mirëfilltë.
Ajo që ne mendojmë është se përfshirja në TVSH do të sjellë efekte shumë negative, sepse studentët dhe familjet e tyre do të detyrohen të paguajnë më shumë për tarifat vjetore të shkollimit ndërkohë që universiteteve do t’u rriten kostot dhe do t’u ulen ndjeshëm mundësitë e investimit”, thotë z. Civici për revistën “Monitor”
Paketa- ndryshimi për arsimin
-Sektori i arsimit pritet të përfshihet sërish në skemën në TVSH-së që, sipas propozimeve të qeverisë në paketën e re fiskale 2014 do të arrijë deri në 15%
LIBRI
Botuesit: TVSH në nivelin 10% (?), atëherë çmimi i librit do të rritet
Drejtuesit e shtëpive botuese në Shqipëri nuk janë të informuar se me ndryshimet fiskale që do të përfshihen në paketë është parashikuar që të hiqet edhe përjashtimi nga TVSH-ja për librin dhe shtypshkrimet, ndërsa ato mund të bëhen subjekt i një norme të reduktuar prej 10%. Drejtuesit e shtëpive botuese të pyetur nga “Monitor” japin mendime të ndryshme në lidhje me efektet që do të mund të sjellë në treg një masë e tillë. Për disa, ajo do të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të librave, por nuk dinë të thonë nëse do të shoqërohet edhe me hedhjen e më pak titujve. Ka nga ata drejtues që shprehen se në fakt i patën kërkuar qeverisë një normë të ulët që mund të shkonte në rreth 4%, pasi, sipas tyre, standardi europian luhatet nga 0-4%. “Ne, thonë drejtuesit e shtëpive të botimit, çdo furnizim e marrim me TVSH dhe jemi të detyruar ta shkarkojmë te libri të cilin e shesim me TVSH. Kemi kërkuar të jemi objekt i një TVSH-je zero, që bën edhe diferencën ose maksimumi të një niveli që shkon në masën 4%, por niveli 10% për ne është i lartë. Nëse një masë e tillë miratohet nuk mund të themi se cilat do të jenë efektet e menjëhershme që do të sjellë në treg, a do të shoqërohet me rritje çmimesh apo me ulje të numrit të titujve”.
Por, me apo pa këto reforma, libri në Shqipëri vazhdon të vuajë nga kriza e thellë, nga ulja e shitjeve në masën 20-30%, nga rënia e numrit të botimeve (sot numërohen 1086 tituj të rinj hedhur në treg).
Paketa-libri
Do të hiqet dhe përjashtimi nga TVSH për librin dhe shtypshkrimet, ndërsa ato mund të bëhen subjekt i një norme të reduktuar prej 10%.
TURIZMI
Frymëmarrja e shumëpritur
Industria e turizmit është duke mbajtur “frymën” dhe përfaqësuesit e saj po shtojnë takimet me zyrtarë, si për t’u “bindur” se këtë herë ulja e TVSH-së aq fortë e lobuar prej tyre do të jetë e shkruar e zezë mbi të bardhë në Paketën e re Fiskale. Mesa duket ka gjasa që TVSH-ja për sektorin e hotelerisë të reduktohet në 10%. Kjo do të thoshte shumëçka për turizmin: përmirësim i paketave turistike; i raportit cilësi/shërbim; i uljes së informalitetit; shtimit të numrit të hoteleve. Ndaj duket se edhe për pak, një nga pengesat e mëdha sikundër konsiderohej nga operatorët turistikë, barra e lartë fiskale, do të bjerë. Nga ana tjetër, parashikohet që ulja e TVSH-së do të nxisë konkurrencën në vend, por edhe me shtetet e rajonit.
Flet Zak Topuzi, kryetar i sektorit të akomodimit, ATA (Shoqata Shqiptare e Turizmit)
Pak e dinë që turizmi jep kontributin më të madh për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi duke gjeneruar mbi 40% të eksporteve, rreth 15% të PBB dhe mbi 140.000 vende pune. Duke vëzhguar situatën aktuale të turizmit në Shqipëri të përqendruar kryesisht vetëm në dy muajt e verës, si dhe duke iu referuar statistikave të destinacioneve turistike, është e kuptueshme që potencialet, (të papërdorura dhe të pazhvilluara ende) nuk janë të mjaftueshme. Shqipëria mund (dhe duhet) të bëjë më shumë dhe se zhvillimi i qëndrueshëm në turizëm vazhdon të jetë në rrezik, si rezultat i përballjes së fortë me konkurrencën e destinacionet rajonale dhe ndërkombëtare. Por, përpos kësaj, duket se ka një “dritë në tunel”. Qeveria ka në plan të përfshijë në paketën e re fiskale edhe uljen e TVSH-së për sektorin e hotelerisë nga 20% që është aktualisht në 10%. Nga 27 vendet e BE-së, 25 kanë reduktuar TVSH për hotelet. Niveli i çmimeve të hoteleve është faktor i rëndësishëm i konkurrueshmërisë në rajon. Të gjithë shtetet mesdhetare (pa përjashtim) ndjekin politika mbështetëse për sektorin e turizmit në fushën fiskale dhe kanë ulur TVSH nën 10%. Vendi i fundit, Maqedonia, verën e kaluar e uli në 5%, duke i dhënë rritje të menjëhershme fluksit të turistëve. Shembulli më i mirë është Turqia. Në vitin 2001, siguronte rreth 300.000 turistë/vit, aq sa Shqipëria në vitin 2004. Falë lehtësive fiskale dhe uljes së TVSH në 7%, sot ka 36 milionë turistë duke u kthyer lider botëror. Greqia, me gjithë masat shtrënguese nga BE, e ngriti TVSH-në në kufirin 6-10%, kurse Mali i Zi e ka 7%.
Z. Topuzi, në paketën e re fiskale duket se janë parashikuar politika lehtësuese edhe për industrinë e turizmit, ku konsistojnë ato?
Rekomandimi i BE-së që nga viti 2006 nëpërmjet direktivave të saj është ulja e TVSH-së për hotelet nga 5-10%, por në përgjithësi edhe për industrinë që përfshin shërbimet. Nga 27 vendet e BE-së, 25 prej tyre e kanë ulur TVSH-në nën 15%, të gjitha vendet e rajonit të Mesdheut e kanë ulur nën 10%. Kufiri minimal i përcaktuar nga BE-ja është 5% dhe këtë nismë e kanë përkrahur edhe vendet fqinje si Maqedonia, Greqia (6.5%), Mali i Zi, por edhe Franca e Spanja. Një nga problemet e mëdha që kanë pasur operatorët shqiptarë ishte se nuk bënin dot paketa të përbashkëta turistike, në një kohë kur Ballkani është kthyer në një brand. Nëpërmjet shoqatës BAHA po bëjmë që turizmi në këtë rajon të jetë sa më konkurrues dhe paketat të jenë të përbashkëta. Shqipëria ka pasur (dhe ka) dy probleme kryesore: cilësinë dhe taksat e larta. Nëpërmjet uljes së TVSH-së ne do të mund t’u përafrohemi standardeve të rajonit dhe të hyjmë në paketat e përbashkëta sipas raportit cilësi/shërbim. Nga ana tjetër, ulja e barrës tatimore do të formalizojë industrinë e turizmit, pasi 60% e saj është informale, duke qenë se hyn në pjesën e akomodimit familjar. Më i godituri ka qenë sektori i hotelerisë (pra ai formal) që ka paguar rregullisht taksat dhe ka regjistruar punonjësit e saj. E në këto kushte, ATA, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, bëri rekomandimet përkatëse për Ministrinë e Turizmit edhe pas konsultave me ekspertët ndërkombëtarë, ku u paraqitën tri çështje kryesore: ulja e TVSH-së, regjistrimi dhe standardizimi i industrisë. Duhet kuptuar që turizmi është eksport dhe si i tillë duhet ta kishte TVSH-në zero. Kjo ishte edhe gjëja më e rëndësishme, pra ndërgjegjësimi i strukturave përkatëse se turizmi duhet të trajtohet si eksport.
Me hyrjen në fuqi të reduktimit të TVSH-së, cilat do të jenë efektet e menjëhershme, ku do të reflektohen ato?
Këto ndryshime do të reflektohen te standardi. Do të bëjmë një turizëm me një kosto të caktuar dhe me një shërbim shumë herë më të mirë se ai i mëparshmi. Kjo industri llogarit shpenzime për: 20% TVSH, 3% taksa lokale, 2-4% taksa e POS operatorëve të bankave, etj., dhe në total bëjnë rreth 30%. Në një kohë kur rajoni e llogarit në total rreth 11%.
Edhe shoqatat e tjera ballkanike po kërkojnë që Shqipëria të përmirësojë kuadrin fiskal në sektorin e turizmit për të qenë bashkëpunues dhe konkurrues. Nga ana e saj, qeveria në programin e saj ka theksuar nevojën për të shtuar paketat e përbashkëta rajonale, por kjo nuk mund të bëhet kur ekzistojnë diferenca në standarde dhe në çmim.
Nga ana tjetër, kjo ulje pritet të japë efekte edhe në formalizimin e industrisë…
Duke paguar më pak, biznesi do të tentojë të bëhet formal dhe kështu shteti do të mund të arkëtojë më shumë të ardhura.
Çfarë nismash të tjera fiskale mendoni ju se mund të ndërmerren për të nxitur sektorin?
Ka ende shumë për të bërë në disa drejtime. Mirë është të ndërmerren edhe hapa të tjerë fiskalë. Ne mendojmë që në zonat malore të mos kenë taksa për një periudhë 5-10 vjet në mënyrë që të zhvillohen, sepse për qeverinë është shumë mirë që njerëzit që jetojnë në këto zona të punojnë dhe të qëndrojnë në ato vende ka interes për shtetin.
Çdo person që ka një biznes turistik punëson 7-10 persona të tjerë duke përfshirë këtu që nga punonjësit direkt si dhe të punësuarit e lidhur me të, si furnitorë të ndryshëm.
Kjo po bëhet në të gjithë botën, edhe në Angli janë tashmë duke diskutuar mënyrat e reja të taksimit për turizmin. Në bazë të startegjisë së BE-së, ky sektor është potencial dhe duhet të mbështetet me po ndodh kjo.
Si është situata aktuale e sektorit?
Më duhet të evidentoj se ky sektor ka shumë probleme pasi rezulton se rreth 43.7% e kredive të dhëna për sektorin hotelier janë të pakthyera sepse pjesa më e madhe janë aktivitete sezonale dhe kanë vështirësi në likuiditete.
Nga ana tjetër ka shumë njësi që nuk janë të licencuar dhe të ligjëruara në pamundësi për të paguar gjithë taksat dhe detyrimet ndaj shtetit.
Ndikimi
Reduktimi i TVSH-së ka të bëjë me ndikimin direkt në çmim. Hoteli zë gati 50-60% të çmimit të paketës turistike.
Shpenzimet
Industria hoteliere e ka koston fikse 36% e, po t’i mbledhësh të gjitha, shkojnë mbi 70% vetëm shpenzimet.
Paketa- ndryshimi në turizëm
-Ulja e normës së TVSH-së në 10% për hotelerinë.
-Pothuajse gjithë vendet e Rajonit zbatojnë TVSH të reduktuar për turizmin.
-Financat janë në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për turizmin për përcaktimin e hapave që duhen ndërmarrë për formalizimin e këtij sektori. Sektori i turizmit është ndër sektorët më me risk për administratën tatimore.
Britania e Madhe, shoqatat e turizmit kërkojnë uljen e TVSH-së për të stimuluar industrinë
Në Britaninë e Madhe, industria e turizmit i ka bërë thirrje qeverisë për reduktimin e TVSH-së për të nxitur sektorin. Përfaqësuesit e industrisë së turizmit thonë se kjo do t’i ndihmonte ata të rrisnin eksportin dhe të ndalnin rënien në tregjet kryesore. Një propozim të tillë ata e paraqitën përpara ministrit të Thesarit. Fushata për të reduktuar TVSH-në në turizëm ka angazhuar më shumë se 3,500 akomodues individualë në sektorin e mikpritjes dhe më shumë se 40 shoqata kombëtare dhe rajonale. Fushata synon që ta kthejë Britaninë në një aktor të rëndësishëm dhe konkurrues me vendet e BE-së, të cilat aplikojnë TVSH të reduktuar.
Kërkimet e fundit mbi TVSH-në tregojnë se kjo do të rriste më shumë akomodimin, gjë që do të kontribuonte me një shtesë prej 4 miliardë paund çdo vit për ekonominë britanike. Fushata është duke u udhëhequr nga një numër i grupeve të profilit të lartë, si: British Hospitality Association, British Association of Leisure Parks, Piers& Attractions, Bourne Leisure Group dhe Merlin Entertainments Group.
Nick Varney, drejtor ekzekutiv i Merlin Entertainments, tha se: “Qeveria është duke promovuar identitetin e saj të eksportit, por nuk ka arritur të njohë faktin se turizmi është një sektor eksporti. Ajo ka ngarkuar me taksat turizmin, siç është TVSH-ja dhe ka rritur pengesat e tjera. Në këtë pikë ku ne jemi, kemi humbur pjesë të tregut që janë marrë nga rivalët tanë.
Turizmi është një nga të paktat mallra dhe shërbime për të cilat BE-ja i lejon shtetet anëtare të zbatojnë norma të reduktuara taksash dhe shumica e vendeve e kanë realizuar këtë për ta bërë industrisë e turizmit më konkurruese, duke inkurajuar rritjen. Turizmi në Britaninë e Madhe është eksportuesi i gjashtë më i madh dhe i vetmi që i nënshtrohet regjimit të taksimit me TVSH.
Përgatitën:
Laura Çela
Elona Bedalli