Tregtia e jashtme janar-gusht 2014
Eksportet kanë ngadalësuar sërish ritmet e zgjerimit për periudhën janar-gusht 2014.Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në fund të tetëmujorit 2014, eksportet arritën në rreth 171.5 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7% me bazë vjetore (nga 7.6% që ishte rritja për shtatëmujorin). Për gjashtëmujorin, rritja vjetore ishte 10.3%, ndërsa për katërmujorin, 11.2%.
Tekstilet dhe këpucët kanë vijuar të jenë motori i rritjes së eksportet në tetë muajt e parë të këtij viti, ndërsa grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, që kanë udhëhequr shitjet jashtë vendit në 2001-2013, gjithnjë e më shumë këtë vit po thellon ritmet e rënies.
Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 61.95 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke përshpejtuar ritmet e rënies dhe duke u tkurrur me 8% me bazë vjetore (për shtatëëmujorin rënia ishte 7%). Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, që tregton naftën bruto, ka pohuar se për gjashtëmujorin e parë 2014 kanë rritur eksportet me 20% me bazë vjetore. Tkurrja e këtij grupi duket se ka ardhur nga energjia, si rrjedhojë e motit të thatë, si dhe frenimit të shitjeve të kromit. Edhe rënia e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare ka ndikuar negativisht.
Ky grup po shfaq ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 42% në gusht 2013, në 36% në korrik 2014.
Industria e tekstileve e këpucëve vijoi ecurinë e mirë, duke arritur në rreth 57.1 miliardë lekë në fund të gushtit, me rritje 25.5% me bazë vjetore. Tekstilet mbeten grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 33% të totalit në fund të gushtit, nga 28% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia” vijojnë ende të ruajnë vendin e parë.
Sipërmarrjet vendase të tekstileve e këpucëve shënuan një ecuri shumë të mirë këtë vit, si rrjedhojë e shtimit të porosive nga partnerët italianë, që i kanë kthyer sytë sërish nga Shqipëria për të shfrytëzuar avantazhet që ofron industria shqiptare: afërsi gjeografike, aftësi për të punuar me porositë të vogla dhe për t’i dorëzuar shpejt ato (një përparësi e madhe ndaj Kinës e Lindjes së Mesme), forcë punëtore relativisht të kualifikuar, dhe mbi të gjitha kosto të ulët të punës, që bën që Shqipëria të jetë e preferuar edhe ndaj vendeve të Europës Lindore, si Rumania e Bullgaria.
Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që po mbajnë peshën kryesore në performancën pozitive të eksporteve këtë vit (duke ndikuar në mbi 90% të rritjes për tetëmujorin).
Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 24 miliardë lekë, duke rimarrë veten dhe duke u zgjeruar me rreth 11% për tetëmujorin.
Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin e eksporteve, kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 11% (duke ngadalësuar gjithsesi ndjeshëm ritmet në raport me pesëmujorin, kur u zgjeruan me 24% dhe shtatëmujorin me 13%), dhe ato të “prodhime druri dhe letre”, që u zgjeruan me 25.5% (nga 41% që ishte rritja për 6-mujorin).
Burimi: INSTAT