Ekonomia në botën e çudirave!
Indeksi i përkeqësuar ndjeshëm i Dhomës Amerikane ishte goditja finale në vazhdën e treguesve, që përgjatë këtij viti kanë paralajmëruar vazhdimisht për një klimë të përkeqësuar të biznesit. Më herët, indeksi i besimit të Bankës së Shqipërisë, kishte treguar për një rënie të pritshmërive të investimeve të bizneseve (sidomos ndërtimit, që në 2015-n ishte udhëheqësi i rritjes ekonomike) dhe të pritshmërive të blerjeve të mëdha të konsumatorëve. Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIIA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha, e ka nxjerrë në rënie indeksin e saj për 2015-n për të katër tremujorët radhazi. Edhe më parë FIIA kishte paralajmëruar se duhet të realizohen reformat, në të kundërt investimet do të orientohen drejt fqinjëve. Një indeks i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë këtë pranverë tregoi se, Shqipëria renditet e fundit si destinacion ku gjermanët do të investonin sërish, si dhe e parafundit në rajon për atraktivitetin si destinacion investimesh.
Bizneset, e huaja dhe ato vendase, ankohen për barrë të shtuar fiskale, që e kombinuar me presionin tatimor, paqëndrueshmërinë legjislative e rënien e konsumit po i bën ata gjithnjë e më pesimistë për të investuar, ndërsa po humbet konkurrueshmëria në raport me vendet e tjera të rajonit. Përqindja e bizneseve, të anketuara nga Dhoma Amerikane, që i konsiderojnë taksat e zbatuara të pafavorshme dhe shumë të pafavorshme, është rritur nga 31% në vitin 2012 në 70% në 2015-n. Ambasadori Amerikan e shprehu hapur zhgënjimin për rënien e ndjeshme të treguesit të biznesit dhe ripërsëriti thirjen për përmirësim të klimës. Një mesazh, që me force, e ka dhënë edhe përfaqësuesi i FMN-së në daljen e fundit para shtypit.
Ky është realiteti ekonomik, sipas bizneseve të mëdha e të vogla, të huaja e vendase, që tashmë po thuhet mëse troç. Janë këta që kontribuojnë në mbi 80% të prodhimit të brendshëm bruto, që investojnë e që mbi të gjitha hapin vende pune. Me pak fjalë janë ata që e çojnë ekonominë e vendit përpara.
Kemi dhe një përqasje tjetër (nuk mund të përdorim sërish termin realitet), atë që po tentohet të përçohet nga politikëbërësit dhe institucionet qeveritare. Një përqasje ku të dhënat negative, që vijnë nga ekonomia reale, jo vetëm që nuk pranohen dhe quhen me kokëfortësi perceptim, por ç’është më e keqja tentohen të na “shiten” si arritje. Nuk pranohet rënia e kreditimit të ekonomisë, tkurrja e konsumit, interpretohen si pozitive të gjitha indekset e bizneseve që qartazi tregojnë rënie, tentohet që Shqipëria të “shitet” si vendi më pozitiv në rajon, kur në realitet janë shtetet fqinjë që po na i “rrëmbejnë” gjithë investitorët dhe treguesit makro i kemi më të përkeqësuar dhe krahasohemi vetëm me Serbinë, shtetin tjetër që ka ndjekur politika taksash të larta (të dy këto shtete kanë rritjen më të ulët, borxhin më të lartë dhe huatë me probleme rekord në rajon). Ndonëse nga 6 grupet kryesore të eksporteve, vetëm dy janë në rritje (“fasoni” dhe “produktet bujqësore”) dhe katër (“lëndë djegëse e minerale”, “makineri e pajisje”, “materiale ndërtimi e metale” dhe “produkte druri e letre”) janë në rënie, kjo nuk shihet si problematike dhe tentohet të fshihet pas disa volumeve në rritje.
Është normale që politikat korrektuese të çdo qeverie do të hasin në rezistencë të biznesit, sidomos në një ekonomi ku informaliteti pranohet edhe zyrtarisht që është mbi 50% dhe që ndodhet në një moment delikat ristrukturimi, ku shumë sipërmarrje janë në dilemën e ekzistencës, për shumë arsye. Por është jo normale mohimi i qeverisë ndaj realitetit ekonomik. Një mohim që mund të ketë pasoja vetëshkatërruese, pasi largon vëmendjen nga reformat që janë të domosdoshme për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe për ta orientuar atë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.
Gjithsesi, mohimi i të vërtetës nuk mund të zgjatë pa fund. Filli që ndan realen me surrealen duket se ka filluar të këputet. Në një zhvillim pozitiv, qeveria njoftoi se po heq dorë nga masat represive (pasi dështoi me supergjobat dhe kërcëcënimet penale) dhe po bashkëpunon me bizneset për të thjeshtëzuar procedurat fiskale. A është kjo kthesë 180 gradë një taktikë për të qetësuar biznesin, apo thjesht manovra e radhës për të shitur perceptimin si realitet? Këtë vetëm koha pritet ta tregojë…