Me ngadalësimin e rritjes, firmat këshillimore si McKinsey kanë nevojë vetë për këshillë, shkruan The Economist
I nderuar kryearkitekt i strategjisë korporative. Si konsulent i një prej shoqërive këshillimore më të shquara në botë, ju e dini mirë sa i vështirë ka qenë biznesi kohët e fundit. Vetëm dy vite më parë, ju po kapnit qiellin me dorë.
Klientët e tronditur nga pandemia Covid-19, kërkuan mendimin tuaj si një person që i njeh me themel zinxhirët e furnizimit dhe bizneset dixhitale. Mania për shqetësimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, rriti rezultatet. Fatkeqësisht, kjo nxiti një mani punësimi nga ana juaj.
Tani kohët e mira kanë marrë fund. Rritja është ngadalësuar pasi klientët kanë shkurtuar projektet tepër të shtrenjta. Janë përhapur përpjekjet për optimizimin e fuqisë punëtore, edhe pse të paktën, ju kontribuuat me diçka, duke punësuar staf sigurie shtesë, për të përzënë ish-bashkëpunëtorët nga mjediset e kompanisë.
Këtë muaj, një memorandum anonim, që mendohet se është shkruar nga ish-bashkëpunëtorët e firmës McKinsey, qortoi “rritjen e pakontrolluar dhe të pamenaxhuar” të firmës dhe “mungesën e fokusit strategjik”.
Këto janë fjalë mjaft të ashpra për një biznes që është ndërtuar duke u dhënë leksione kompanive të tjera se si të menaxhojnë punët e tyre. Madje, mund të shkonim aq larg sa të thoshim se këshilltarët kanë tashmë nevojë për një këshillë të mençur.
Këtu hyn në punë firma ime, e cila është firma e parë në botë që këshillon firmat këshillimore.
Unë kam përpiluar një prezantim me 367 slajde në PowerPoint, ku hyj në hollësi, por në thelb, diagnoza ime është e thjeshtë: ju jeni të gjitha firma shumë të mëdha.
Të ardhurat totale të tetë firmave kryesore në industrinë tuaj, tani janë sa dyfishi i shumës së një dekade më parë. Kjo pjesërisht reflekton edhe kërkesën në rritje. Por është edhe reflektim i tepricës. E thënë shkurt, jeni tepër i fryrë miku im.
Dikur ju keni operuar në fushën e këshillave për biznesin, por më pas e keni humbur fokusin dhe shtrirja juaj strategjike është tendosur së tepërmi.
Në shoqëri si Bain, BCG dhe McKinsey, këshilltarët më të mirë të strategjisë po i zgjasin gjithnjë e më shumë kontratat e udhëzimit, me muaj ose vite, duke i ndihmuar klientët që të vënë në zbatim idetë e tyre të zgjuara.
Kjo i bën këshillat e tyre edhe më të vështira për t’u kuptuar. “Katër gjigantët e kontabilitetit”, Deloitte, EY, KPMG dhe PWC, po e çojnë këtë një hap më larg, duke drejtuar veprimtari të caktuara, nga menaxhimi i zinxhirit të furnizimit, te siguria kibernetike, në emër të klientëve.
Ata i quajnë këto “shërbime të menaxhuara”; mua më duket më shumë si një delegim, dhe me të njëjtat përfitime.
Ju mund të kundërshtoni duke thënë se keni pasur një biznes të shëndoshë. E di këtë, sepse i kam lexuar fjalimet tuaja. Përvoja e jashtëzakonshme, së bashku me ekonomitë e mëdha të shkallës në fusha si teknologjia, ju bëjnë më produktivë se klientët tuaj, në shumë fusha.
Prej dekadash, kompanitë janë tërhequr nga operacionet “back-office”, si menaxhimi i listës së pagave.
Megjithatë, mjegullimi i përgjegjësive midis klientit dhe këshilltarit, ngre disa pyetje të sikletshme. Gjendja ishte mjaftueshëm e keqe kur një ekip ekzekutiv me aftësi të larta nuk mund të përpunonte dot strategjinë e vet.
Tani ata kanë deleguar edhe drejtimin e biznesit. Atëherë çfarë pune mbetet për t’u bërë?
Përkufizimi i paqartë i punës këshillimore sjell edhe dy rreziqe për ju. I pari është se klientët fillojnë të vënë në pikëpyetje tërë ata konsulentë 20-vjeçarë, këshillat e të cilëve shoqërohen me fatura të kripura (sa për dijeni, ekipi ynë përbëhet vetëm nga persona të mërzitshëm mbi moshën 50 vjeç). Rreziku i dytë është se, në një kohë trazirash, ju e lini mënjanë biznesin kryesor të dhënies së këshillave.
Tani për tani, Inteligjenca Artificiale mund t’ju duket si një dhuratë nga Perëndia, sepse klientët po ju drejtohen sërish për ndihmë. Ama, me kalimin e kohës, ajo mund t’i japë fund industrisë tuaj.
Kjo është arsyeja pse ne kemi një program të ri transformimi për firma si tuajat. Ju e dini se si funksionon kjo punë:
Unë nuk do t’ju them se çfarë përfshin ajo, derisa të nënshkruani kontratën. Por nëse zotoheni që të jeni me ne për disa vite, kam besim se mund t’i kapërceni këto sfida.
Me respekt, BILL FOLD. Shefi i Hakerimit të Rritjes, PDQ Consult.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.