Rritja e yield-it mesatar të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në emetim i instrumenteve të huamarrjes së brendshme në fund të muajit mars ishte 4.51%, nga 4.48% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.62%, nga 4.56% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Viti i kaluar përgjithësisht rezultoi me një rritje më të ngadaltë nga sa pritej të normave të interesit. Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë gjatë vitit. Norma bazë e mbylli vitin 2023 në nivelin 3.25%, një nga më të ulëtit në Europë.
Kjo bëri që rritja e shpejtë e yield-eve që pati nisur në vitin 2022 të ngadalësohej ndjeshëm.
Megjithatë, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm të qeverisë, sidoqoftë, ndodhet në nivelet më të larta që prej vitit 2015.
Përveç rritjes së yield-eve të emetimeve të reja, pas vitit 2022, rritja e yield-it mesatar të portofolit të borxhit të qeverisë i detyrohet në një masë të konsiderueshme edhe zgjatjes së afatit mesatar të maturimit.
Në fund të tremujorit të parë 2024, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 911 itë, nga 835 ditë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Kjo rritje dëshmon përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë gjatë tremujorit të parë të këtij vitit. Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.
Kjo tendencë u frenua përkohësisht gjatë vitit 2022, për shkak të preferencës së investitorëve drejt titujve afatshkurtër, por iu kthye përsëri tendencës rritëse pas vitit 2023.
Letrat me vlerë të qeverisë ngelen instrumenti kryesor benchmark në tregun financiar shqiptar, ndaj interesat e ulëta ndikojnë në terma mesatarë edhe koston e huamarrjes për sektorin privat të ekonomisë.
Për vitin 2023, buxheti shpenzoi 29 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, në rritje me 19.8% krahasuar me vitin 2022. Ndërsa shpenzimet për interesa në buxhetin 2024 parashikohen në vlerën 34.5 miliardë lekëve, në rritje me 19% krahasuar me vitin 2023.
Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund të muajit mars arriti në rreth 741 miliardë lekë, në rënie të lehtë me rreth një miliard lekë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Huamarrja e brendshme është e realizuar e gjitha nëpërmjet letrave me vlerë të borxhit. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.