Banka Kombëtare Tregtare (BKT) vendosi në muajin mars të rrisë kapitalin aksioner me 50 milionë dollarë amerikanë, ndërkohë shpërndau 50 milionë dollarë të tjerë si dividend për aksionerin e vet.
Sipas vendimit të miratuar më datë 27 mars, asambleja e aksionerëve të BKT vendosi që një pjesë e fitimit të akumuluar dhe të pashpërndarë për vitin 2022, me vlerë prej rreth 4.83 miliardë lekë ose 50 milionë USD të përdoret për rritje kapitali, nëpërmjet emetimit të aksioneve të reja. Pas kësaj rritjeje, kapitali i paguar i BKT ka arritur në 350 milionë USD.
Pjesa tjetër e fitimit të vitit 2022 (1.53 miliardë lekë) dhe një pjesë e fitimit të vitit 2023 (3.3 miliardë lekë), për një total prej 4.83 miliardë lekësh ose 50 milionë USD janë shpërndarë në formën e dividendit për aksionerin e vetëm, Çalik Holding.
Një pjesë e fitimit të vitit 2023 do të përdoret si rezervë ligjore (393 milionë lekë), ndërsa pjesa më e madhe e mbetur, rreth 4.17 miliardë lekë do të mbahet në bilanc si fitim i pashpërndarë.
Mbështetur në raportimet paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i BKT sipas standardit IFRS për vitin e kaluar kishte vlerën e rreth 6.7 miliardë lekëve.
Megjithatë, shpërndarja e dividendëve bëhet mbi fitimin që rezulton mbështetur në standardet mbikëqyrëse lokale të Bankës së Shqipërisë. Bazuar në të dhënat e vendimit të asamblesë së aksionarëve, përllogaritet se fitimi i BKT sipas standardeve lokale ishte pothuajse 7.9 miliardë lekë.
Performanca e mirë financiare e viteve të fundit iu ka mundësuar bankave të përmbushin kërkesat në rritje rregullatore për kapitalizim, por disa prej tyre, sidomos BKT, Raiffeisen Bank apo ABI Bank, kanë arritur të shpërndajnë dividendë në vlera të konsiderueshme në vitet e fundit.
Sipas burimeve nga tregu financiar, operacioni i shpërndarjes së dividendit nga BKT ka paSur një ndikim të ndjeshëm edhe në kursin e këmbimit në fund të muajit mars.
Në datën 27 mars, kursi i këmbimit të Euros shënoi një rritje shumë të fortë, me 1.7 pikë brenda ditës dhe arriti në 104.63 lekë, niveli më i lartë i vitit 2024. Rritja ditore e kursit të Euros ishte më e larta që prej gushtit të vitit të kaluar.
Burimet bëjnë të ditur se rritja e fortë e kursit të Euros në muajin mars erdhi pikërisht nga blerjet e mëdha të valutës të realizuara nga BKT, për nevojat e shpërndarjes së dividendit për aksionerin e vet.
Duke qenë se Euro është monedha më e tregtueshme në tregun valutor shqiptar, çdo rritje e kërkesës apo ofertës për valutë reflektohet direkt në kursin e monedhës europiane. Për shkak të përmasave të vogla të tregut valutor në Shqipëri, kërkesat në vlera të mëdha, si ajo e BKT për të paktën 50 milionë USD, shkaktojnë luhatje të forta në kursin e këmbimit valutor./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Vendimi nr. 5 i Mbledhjes së Përgjithshme të Aksionerëve të BKT, datë 27.03.2024, përcakton që dividenti prej 50,000,000 USD do t’i paguhet si divident aksionerit më datë 29.04.2024 dhe jo më 27.03.2024. Për këtë arsye, nuk duket të ketë kuptim që luhatja e tregut më datë 27.03.2024 të jetë e lidhur me shpërndarjen e dividentit, pasi sipas vendimit nuk janë paguar ende.
Më duket më shumë si koicidencë.