Raporti i kredive me probleme pësoi një tjetër rënie të lehtë në muajin mars.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4.64%, nga 4.69% që kishte qenë për shkurtin. Raporti i kredive me probleme vazhdon të bjerë me bazë vjetore. Në mars të vitit të kaluar, ky tregues kishte qenë në nivelin 5.15%.
Kreditë me probleme po ndjekin një tendencë të vazhdueshme rënëse që prej vitit 2016 dhe ndodhen në nivelet më të ulët që prej vitit 2008. Kjo tendencë nuk është u ndërpre as nga pandemia (edhe falë masave të përkohshme lehtësuese që mori Banka e Shqipërisë) dhe as nga goditja inflacioniste, e shoqëruar me rritjen e normave të interesit.
Përmirësimi i cilësisë së kredisë për ekonominë duket se po mbështetet nga cikli pozitiv që po ndjek ekonomia shqiptare në vitet e fundit, me një rritje të lartë të sektorëve të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve të lidhur me turizmin. Ndërkohë, veçanërisht në dy vitet e fundit një ndikim të konsiderueshëm pozitiv vlerësohet se ka dhënë forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Forcimi i lekut ka rritur aftësinë paguese të huamarrësve me kredi në valutë të huaj, por të ardhura në monedhën vendase, si edhe ka amortizuar efektin e rritjes së normave të interesit të euros, pas vitit 2022.
Ulja e raportit të kredive me probleme po ndikohet edhe nga ecuria e mirë e kreditimit të ekonomisë dhe zmadhimi me ritme të përshpejtuara të portofolit të kredisë për ekonominë.
Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 763.2 miliardë lekëve, me një rritje prej më shumë se 13 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 7.3% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të shkurtit rritja vjetore ishte 5.6%.
Ulja e këtij raporti është reflektuar edhe në uljen e mëtejshme të shpenzimeve për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë. Provigjionet e kredive për tremujorin e parë ishin 855 milionë lekë, në rënie me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia e raportit të kredive me probleme, mes të tjerash, po jep një efekt pozitiv në performancën financiare të sektorit bankar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar e mbylli tremujorin e parë të vitit me një fitim neto në vlerën e 9.6 miliardë lekëve, në rritje me 41% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Edhe treguesit e rentabilitetit ngelen në nivele të kënaqshme. Kthimi nga kapitali (mesatarizuar me bazë vjetore) në fund të muajit mars arriti në 19.24%, nga 14.58% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet arriti në 2.2%, nga 1.7% që kishte qenë në fund të tremujorit të parë të vitit të kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.