Urat e vjetra
Rënia e një ure në Itali nxjerr në pah mangësitë në infrastrukturën e saj. Infrastruktura po vjetrohet dhe qeveria është e përçarë
Më 14 gusht, një prej shtyllave në të cilat mbështetej ura Morandi mbi lumin e Polcevera në Xhenova, u shemb. Tre automjete të rënda dhe deri në 35 makina ranë nga autostrada A10 në shtratin e lumit, duke vrarë 43 persona. Po pse ndodhi një katastrofë e tillë? Ashtu si shumë ura të tjera në Europë dhe në Amerikë, kjo ishte një urë e vjetër, që datonte që nga 1967, shkruan The Economist.
Gjendja e saj ishte përkeqësuar nga pesha e rëndë e automjeteve. Ditën e shembjes ajo u godit edhe nga një stuhi e fuqishme dhe nga një vetëtimë. Por asnjë prej elementeve të mësipërme nuk e shpjegon rënien e saj. Sipas teorisë së Antonio Brençich, një lektor në Universitetin e Xhenovës, kjo urë ka qenë plot me të meta, që në momentin e ndërtimit.
Projektuesi i saj, Riccardo Morandi, ndërtoi një urë ku shufrat metalike për të qenë sa më të forta u përforcuan me beton nga ana e jashtme. Por, betoni i përforcuar mbart disa probleme të cilat janë shfaqur edhe në dy prej urave të tjera të ndërtuara sipas së njëjtës mënyrë dhe nga i njëjti projektues. Një prej urave që ndodhet në Libi dhe një tjetër në Venezuelë. Ura në Venezuelë, u shemb pasi u godit nga një anije.
Ndërsa ajo në Libi, doli jashtë funksionit, pasi inspektorët panë në të një plasaritje gjatë vitit të kaluar, duke shmangur kështu pasojat e një katastrofe të mundshme me atë të urës Morandi në Xhenova. Ndërsa qeveria populiste e Italisë fajësoi persona të tjerë. Edhe tre ura të tjera kanë rënë në Itali gjatë tre viteve të fundit dhe sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini i Ligës së Veriut, vendosja e limiteve të deficitit buxhetor nga Bashkimi Europian, kishte kufizuar edhe shpenzimet e Italisë në fushën e infrastrukturës.
Z. Salvini akuzoi edhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradës, Autostrade per l’Italia, e cila nuk arriti të mirëmbante ashtu siç duhej urën. Duke lënë mënjanë mospranimin e akuzave të tilla nga kompania në fjalë, ajo u gjobit nga ministri i Infrastrukturës, Danilo Toninelli, i Lëvizjes Pesë Yjet, deri në 150 milionë dollarë euro.
Kjo ndihmoi edhe në shmangien e një përçarje të thellë në koalicion. Lëvizja Pesë Yjet i ka kundërshtuar me forcë thuajse të gjitha projektet e Ligës së Veriut, siç ishte edhe ai i ndërtimit të një unaze që do të reduktonte trafikun në urën që s’ka shumë që u shemb.
Në një fjalim të 2014-s, themeluesi i Lëvizjes Pesë Yjet, Beppe Grillo, denoncoi projektin si një humbje parash në faqen e tij online, ndërsa kundërshtarët e cilësuan arsyetimin e tij si të pabazë, gati-gati si një përrallë për t’u treguar.