Kanë kaluar më shumë se 30 vjet kur ekspertët parashikuan se: shumë shpejt, punonjësit do të punojnë nga shtëpia ose nga ndonjë vend tjetër – plazhe, bare – shkruan Liz Ryan në revistën ekonomike “Forbes”.
Ky parashikim nuk është verifikuar. Ende, shumica e njerëzve vijojnë të shkojnë në punë çdo ditë. Sipas Ryan, e cila drejton një kompani këshilluese, të punuarit nga shtëpia do të ishte më eficiente.
Universiteti i Stanford-it ka gjetur se të punuarit nga shtëpia nuk ka efekte negative, përkundrazi sjell efekte pozitive në rendiment. Ata morën në studim 2013 punonjës të kompanisë kineze Ctrip. Një grup u lejua të punonte në shtëpi për nëntë muaj, të tjerët ishin të detyruar të shkonin në punë çdo ditë. Studiuesit gjetën se punonjësit që punuan nga shtëpia ishin jo vetëm 13 për qind më produktivë, por edhe më të lumtur.
Kundër të punuarit nga shtëpia – arsyeja është psikologjike
Ryan pyet: “Pse një kompani të mos i lejojë punonjësit të punojnë nga shtëpia? Arsyeja është se menaxherët i tremben kësaj gjëje. Edhe pse financiarisht do të ishte më e leverdishme që të lejohen punonjësit të punojnë nga shtëpia, drejtuesit i tremben ndryshimit”.
Punonjësit kanë nevojë për besim. Nëse drejtuesit janë të shqetësuar se punonjësit janë duke abuzuar me orët e tyre të punës, ata në mënyrë të pandërgjegjshme do ta tregojnë këtë me fjalë dhe veprime – thotë Ryan. Rezultati: ju jeni duke u përpjekur të ushtroni shumë kontroll mbi punonjësit. Punonjësit nuk do të ishin më vetvetja dhe nuk do ta përballonin dot këtë situatë.
Mungesa e besimit do të thotë një menaxhim i keq
Problemi te drejtuesit që nuk lejojnë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia qëndron te mungesa e besimit te vetja. Ata ua mohojnë punonjësve mundësinë për të punuar në mënyrë të pavarur dhe të besueshme. Në nënvetëdijen e tyre, ata vuajnë aftësinë për të udhëhequr.
Ka ardhur koha që kompanitë të mos kenë më arsye të kenë frikë të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia – shkruan Ryan. Ajo thotë se gjithnjë e më shumë kompani janë duke u dhënë punonjësve të tyre lirinë për të punuar ku të duan. Besimi i tyre do të reflektohet në punonjës më të qetë dhe kreativë.
*Annette Dönisch
Burimi: Business Insider (De)