Përmirësim me 32 vende për të bërit biznes në Shqipëri. Shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed, thotë në një intervistë për ‘Ora News’ se Shqipëria ka bërë progres, por rendit si probleme çështjen e pronave dhe inspektimin në dogana.
Si paraqitet Shqipëria në raportin e fundit “Doing Bussnes” të publikuar nga Banka Botërore?
Me të vërtetë është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Raporti “Doing Bussnes 2017” është publikuar 30 minuta përpara kësaj interviste. Në këtë raport, Shqipëria ka bërë progres, duke u renditur në vendin e 58-të nga vendi i 90-të që renditej në raportin “Doing Bussnes 2016”. Me lejoni t’ju shpjegoj lidhur me mënyrën e vlerësimit së raportit “Të Bësh Biznes”. Vlerësimi bëhet në bazë të renditjes, që e citova dhe më lart. Ndërsa elementi i dytë i vlerësimit ka të bëjë me distancën nga vlerësimi me pikë maksimale. Praktikat më të mira me pikët maksimale janë 100, ndërsa Shqipëria vlerësohet në raportin “Të Bësh Biznes 2017” me 68.9 pikë nga 61.3 pikë në raportin e një viti më parë.
Cilat janë reformat që kanë ndikuar në këtë progres të Shqipërisë?
Për sa u përket reformave që kanë ndikuar në vlerësimin e Shqipërisë, tre kanë qenë kryesoret: reforma e parë ka të bëjë me heqjen e moratoriumit për lejet e ndërtimit dhe si rezultat, aktualisht jepen më shumë leje në fushën e ndërtimit; elementi i dytë ka të bëjë me lehtësinë e lidhjeve të energjisë elektrike për bizneset, ndërsa reforma e tretë ka të bëjë me deklarimin dhe pagesën online të taksave.
Cilat janë elementet ku Shqipëria duhet të përmirësohet? Çfarë duhet bërë më shumë?
Ashtu si shqiptarët, edhe ne të Bankës Botërore dëshirojmë ta shikojmë Shqipërinë me një klimë biznesi të klasit ndërkombëtar. Ne besojmë se qeveria ka dhënë kontributin dhe ka treguar angazhim të fortë për të arritur pozicionimin e Shqipërisë në këtë vend në raportin “Të Bësh Biznes 2017”. Për sa u përket raporteve të ardhshëm, ne mendojmë se ka disa fusha kritike ku duhet të punohet më shumë: një prej këtyre fushave është harmonizimi i lidhjeve të energjisë elektrike; një tjetër fushë ka të bëjë me dhënien online të certifikatave; një tjetër çështje me rëndësi ka të bëjë me transferimin e pronave dhe zgjidhjen e konflikteve tregtare në gjykata. Gjithashtu duhet të ulet koha dhe kostot e inspektimeve në dogana. Një tjetër çështje që shkon përtej kufijve ka të bëjë me inspektimet dhe certifikatat e kolaudimeve.
Si paraqitet në këtë raport Shqipëria kundrejt vendeve të tjera të rajonit?
Shqipëria, ndër 25 ekonomitë e Europës dhe Azisë Qendrore, paraqitet në këtë raport e 16-ta. Shqipëria ka
performuar më mirë sesa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.