Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të mbajë një konferencë për shtyp sot, në orën 16:00, ku do të sqarojë arsyet e këtij vendimi.
Që prej mesit të vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë agresive lehtësuese monetare, duke ulur 11 herë normën bazë, që aktualisht gjendet në minimumin e saj historik.
Megjithatë, kjo politikë lehtësuese ka ndikuar pak në nxitjen e kreditimit, që që qershor të këtij viti u tkurr me 1.6% me bazë vjetore, pasi faktorë të tjerë si kreditë e larta me probleme, kriza ekonomike, frenimi i investimeve të bizneseve apo tkurrja e konsumit kanë ndikuar prirjen e huadhënies në ekonomi. Nga ana tjetër, ulja e normave të interesit të kredisë në lekë ka qenë më e ngadaltë në krahasim me normat e depozitave dhe sidomos yield-in e bonove të thesarit.
Megjithatë maji dhe qershori dhanë sinjalet e një gjallërimi të kreditimit, ndërkohë që dhe raporti i aktivitetit kreditues të tremujorit të dytë tregoi se bankat po lehtësonin kushtet e huadhënies.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.