BKT është e para kompani në Shqipëri, që shpërblen punonjësit e saj me bonus për kryerjen e vaksinimit Anti COVID -19.
Në një kohë që për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimor dhe studentët është vendosur vaksinim i detyrueshëm, kompanitë private kanë zgjedhur një tjetër strategji për të nxitur punonjësit e tyre të vaksinohen.
Në mbështetje të fushatës së vaksinimit të ndërmarrë nga Qeveria dhe të masave Anti Covid-19, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka prezantuar fushatën e vaksinimit për punonjësit e saj për periudhën 30 Gusht -30 Shtator 2021.
Të gjithë punonjësit e BKT-së, që nuk e kanë kaluar COVID-19, do të motivohen financiarisht me 5,000 lekë për çdo vaksinë, që do të kryejnë në këtë periudhë kohore 30 Gusht -30 Shtator 2021, pra, në total me bonus prej 10,000 Lekë. Me këtë nismë BKT është e para kompani në Shqipëri, që shpërblen punonjësit e saj me bonus për kryerjen e vaksinimit Anti COVID -19.
Kjo nismë, përpos masave dhe respektimeve të protokolleve anti-covid, që zbatohen sot në çdo degë, do të rrisë edhe më shumë kujdesin dhe sigurinë për shëndetin e punonjësve, klientëve dhe partnerëve të bankës.
Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe në vend, e fokusuar në përkushtimin e vazhdueshëm ndaj standardeve më të larta të përsosmërisë si në drejtim të personelit të saj ashtu dhe në shërbimin ndaj klientëve.
Me performancën e saj të qëndrueshme BKT është vlerësuar me çmime të ndryshme prestigjioze në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke marrë vazhdimisht tre çmimet kryesore në industrinë bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.