Sant Jordi, ose Dita e Shën Gjergjit, është më shumë se një ditë e thjeshtë festive në Barcelonë. Ajo është ekuivalentja katalanase e Shën Valentinit – mund të ndieni dashurinë në ajër!
Çdo vit, rrugët mbushen me njerëz, të cilët mbajnë në duar libra dhe trëndafila të mbështjellë me ngjyrat e flamurit katalan (Senyera).
Sant Jordi nuk është një festë publike, kështu që gjithë dyqanet dhe restorantet janë të hapur si gjithnjë. Por është e pamundur të mos ndiesh atmosferën e festës që ndihet në rrugë.
Historia e Sant Jordi
Historia e Sant Jordi është e njëjta me atë të njohur në mbarë botën. Shën Gjergji është një hero: ai shpëtoi një princeshë të bukur nga kthetrat e një dragoi që po terrorizonte një fshat të tërë.
Versionet e historisë janë të ndryshme, por faktet bazë mbeten të pandryshuara. Sant Jordi është Shenjti mbrojtës i Kalalonjës dhe historia e tij është e famshme në të gjithë qytetin.
Çfarë ndodh në këtë ditë?
Ideja që qëndron pas Sant Jordi është që burrat u dhurojnë grave trëndafila, ndërsa gratë u dhurojnë atyre libra. Mund të jetë kushdo, jo domosdoshmërisht njeriu i zemrës apo dikush që ju pëlqen.
Me rastin e kësaj feste, djemtë u blejnë trëndafila nënave dhe vajzat u blenë libra miqve. Por kjo nuk është e gjitha: në një shoqëri moderne si kjo e sotmja, rregullat se kush merr çfarë nuk janë më aq strikte. Edhe një vajzë mund të marrë libra dhe anasjelltas.
Rrugët dhe sheshet e Barcelonës mbushen me tezga që shesin libra dhe trëndafila. Është një atmosferë e bukur, e ndriçuar nga dielli pranveror. Çiftet ecin dorë për dore me trëndafila në duar.
Cilat janë vendet më të mira ku mund të shkoni?
Gjatë Sant Jordi, tezgat shfaqen në të gjithë qytetin. Pjesa më e madhe, megjithatë, gjenden në sheshet dhe rrugët kryesore. La Rambla është zemra e aktivitetit, edhe pse mund të mbushet plot e për plot në orët kryesore të ditës.
Librashitësit dhe botuesit presin një Sant Jordi historik këtë vit, me shitjet që pritet të jenë në të njëjtat nivele me ato të para pandemisë. Në Barcelonë do të ketë 300 tezga që do shesin libra, një rekord që mendohet se do të arrijë 22 milionë euro (22,7 milionë dollarë).
Duke përfituar nga popullariteti i Ditës së Sant Jordi, dhe që 23 prilli përkon me vdekjen e Migel Servantes, Uilliam Shekspir dhe Inca Garcilaso, UNESCO e shpalli 23 Prillin si Dita Botërore e Librit në vitin 1995.
Në këto ditë, libraritë në mbarë botën do të përpiqen të përfitojnë nga data për të nxitur leximin dhe shitjen e librave.
Në Spanjë, Dita Botërore e Librit përkon edhe me Çmimin Servantes, një nga çmimet më prestigjioze letrare në gjuhën spanjolle, që do t’i jepet shkrimtares uruguaiane Cristina Peri Rossi në vitin 2022.