BE-ja i ka dhuruar Kosovës 6.000 teste, 67.000 maska, 90 shtretër dhe 350 pajisje për matjen e pulsit, të gjitha këto në vlerë prej 800 mijë eurosh. Në ceremoninë e pranim-dorëzimit, të mbajtur të enjten, të pranishëm ishin ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë sot ka ndarë një donacion në vlerë prej 800 mijë eurosh, për Ministrinë e Shëndetësisë.
Ky donacion i cili përfshin 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor, është ndarë në kuadër të pakos 5 milionëshe të BE-së për Kosovën për luftimin e pandemisë.
Shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova, ka thënë se COVID-19 është pandemi që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku.
“Ajo çfarë po bëjmë për momentin është se jemi duke i ndihmuar Kosovës në tejkalimin e kësaj krize të tmerrshme. Pandemia nuk është vetëm krizë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, jeni duke e parë se çfarë po ndodh në Europë dhe pastaj përtej oqeanit, kjo është pandemi që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Jam krenare që e para që ka dalë me një pako emergjente për Kosovën është BE-ja dhe vendet tona anëtare, që tregon se ne i shohim kosovarët si vëllezërit tani, nuk jeni anëtarët tonë por do të jeni”, tha Apostolova.
Apostolova bëri të ditur se javën tjetër do t’i dorëzojnë MSH-së edhe ventilatorë.
“Javën tjetër do të dorëzojmë edhe ventilatorë që janë shumë të nevojshëm për sistemin shëndetësor të Kosovës”, tha shefja e Zyrës së BE-së, Apostolova.
Ajo kërkoi nga qytetarët që të respektojnë kufizimet që janë shumë të rëndësishme në luftimin e pandemisë.
“Ju lutem qytetarë respektoni kufizimet shumë të rëndësishme për të luftuar këtë pandemi. Gjithandej qytetarët po dalin dhe nuk po respektojnë distancimin shoqëror, nuk vendosin maska dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat tepër të rënda që po ndodhin. Ju kërkoj juve mediave që ky mesazh të përcillet te të gjithë qytetarët. Sistemi i juaj shëndetësor nuk është i përgatitur që të përballet me sfidat që mund të ndodhin nëse pandemia mund të përhapet edhe më shumë. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë”, tha në fund Apostolova.
Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë me këtë rast se shëndeti është më i rëndësishëm sesa qëndrimet politike.
Ai, teksa e ka përsëritur thirrjen për respektimin e masave, ka folur për “thirrjet për padëgjueshmëri për vendimet e Qeverisë”.
“Respektoni masat, zbatoni ato, mos i dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e Qeverisë… më i rëndësishëm është shëndeti sesa politika apo dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, ka thënë ai.
Zemaj ka treguar se me donatorët është në koordinim të vazhdueshëm.
“Ministria e Shëndetësisë është duke u koordinuar me donatorë. Ky është një ndër pjesët e kontingjentit, të ardhur më parë. Këto na kanë ndihmuar shumë në pandemi”.
Ky donacion i cili përfshinë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor, është ndarë në kuadër të pakos 5 milionëshe që ka ndarë BE-ja për Kosovën për luftimin e pandemisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.