Dy muaj pas një samiti të tendosur në të cilin Z. Hollande bëri përparësi rritjen si alternativë ndaj mantrës së emergjencës, të Zj. Merkel, ministrat e financës të këtyre vendeve, ditën e hënë njoftuan formimin e një grupi pune që do të përpiqet të nxisë qëndrime të përbashkëta përpara takimit të ministrave të financës të BE-së dhe samiteve të krerëve europianë.
Pasi priti homologun e tij francez Pierre Moscovici në Berlin, Wolfgang Schäuble, ministri i financës së Gjermanisë, tha se ata ranë dakord të formojnë grupin që do të punojë në bashkimin bankar evropian, integrimin fiskal, dhe çështjet e rritjes dhe konkurueshmërisë.
“Ne duam të marrim vendime të përbashkëta,” tha Z. Schäuble, duke theksuar se nevoja ishte edhe më e madhe duke parë ngadalësimin e rritjes ekonomike në Europë dhe nëpër botë.
Vendimi i Gjermanisë dhe Francës për të kërkuar bashkëpunim më të ngushtë është shenja më e qartë deri më sot për ngrohjen e marrëdhënieve midis Berlinit dhe Parisit – ose konservatives Merkel dhe socialistit Hollande – që kur votuesit francezë përjashtuan Nicolas Sarkozy në muajin maj. Z. Sarkozy dhe Zj. Merkel kishin krijuar një qëndrim të përbashkët politik në më shumë se dy vjet lufte kundër krizës, me kritikët në Francë, përfshirë Z. Hollande, që akuzonin Z. Sarkozy për përulje ndaj diktatit Gjerman për shkurtimet e shpenzimeve që e fshinë rritjen ekonomike.