Nga Ersuin Shehu
Ministria e Shëndetësisë ka gati kriteret për licencimin e spitaleve private. Rritja e interesit të investitorëve për shëndetësinë gjatë viteve të fundit i ka dhënë shtysë ministrisë për të plotësuar një boshllëk të hershëm në legjislacion, që u evidentua dukshëm gjatë zhvillimeve të fundit në treg. Janë disa spitale private që janë në prag të nisjes së aktivitetit dhe presin vetëm t´u hapet drita jeshile nga pikëpamja ligjore. Por miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave që do të mundësojë nisjen e aktivitetit të tyre duhet të presë edhe disa muaj. Sipas drejtuesve të ministrisë së Shëndetësisë, vendimi për miratimin e kritereve të licencimit të spitaleve private pritet të miratohet në muajin shtator, bashkë me dy ligje të tjerë të rëndësishme në reformimin e sistemit shëndetësore, atij për Kujdesin Shëndetësor dhe për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas ministrisë, këto dy ligje do të plotësojnë kuadrin ligjor për funksionimin optimal të spitaleve jopublike. Shqipëria ka një ligj për shërbimin spitalor që nga viti 2003 dhe që parashikon edhe hapjen e spitaleve jopublike. Por pikërisht mungesa e akteve nënligjore në mbështetje të këtij ligji nuk ka lejuar licencimin e spitaleve private.
Ja kriteret për të hapur një spital
Në projektvendimin e Ministrisë së Shëndetësisë përcaktohet se spitalet licencohen me vendim të ministrit të Shëndetësisë brenda dy muajsh nga data e paraqitjes së kërkesës. As në projektvendim dhe as në ligjin për shërbimin spitalor nuk përcaktohen kritere kufizuese për numrin e shërbimeve, shtretërve apo personelit të spitaleve jopublike. Kjo krijon hapësira për spitale të përmasave të ndryshme dhe që mund të ofrojnë një numër të ndryshëm shërbimesh.
Projektvendimi parashikon që spitali duhet të ketë një mision të përcaktuar qartë dhe të zbatojë politika dhe procedura të shkruara mbi të drejtat e pacientëve, të cilat i afishon në vende të dukshme. Spitali duhet të zbatojë një program për të ulur rrezikun e infeksioneve spitalore dhe duhet të ketë një procedurë sipas së cilës i përgjigjet të gjitha nevojave emergjente brenda spitalit 24 orë në ditë, përfshirë personelin e kualifikuar, barnat e nevojshme, si dhe pajisjet e kërkuara.
Për çdo pacient të trajtuar në spital duhet të ketë një kartelë mjekësore, që duhet të përmbajë një kopje të epikrizës së daljes. Vendimi parashikon që garantimin e konfidencialitetit dhe sigurisë së të dhënave dhe të informacionit.
Spitali duhet të bëjë vlerësime dhe analiza të hollësishme kur ndodhin ngjarje të papritura, si vdekje, dëmtime të pacientëve për shkak të gabimeve mjekësore, etj.
Vendimi nuk përcakton kritere konkrete për sa i takon sipërfaqes apo numrit të dhomave që duhet të ofrojë një spital, por i detyron ato të kenë një plan të përgjithshëm për të menaxhuar mjedisin fizik. Plani përfshin masat për sigurinë e përgjithshme, sigurinë në rast avarie me energji elektrike, me ujë, me gazrat mjekësore, sigurinë nga zjarri, përgjigjen në rast emergjence, materialet e rrezikshme dhe mbetjet, pajisjet mjekësore, trajnimin e personelit përkatës. Spitalet jopublike duhet të raportojnë pranë strukturës statistikore në Drejtorinë e Shëndetit Publik për të dhënat e aktivitetit spitalor.
Ministri i Shëndetësisë mund të shfuqizojë licencën e spitalit nëse inspektimi verifikon mosplotësimin e kërkesave të parashikuara në legjislacionin për shërbimin spitalor ose kur subjekti nuk ka marrë masat për përmirësimin e situatës për mangësitë e vërejtura më parë.
Përpara se licenca të shfuqizohet, ministri vë në dijeni me shkrim subjektin se është propozuar për heqje të licencës, për argumentet e propozimit dhe i lihet në dispozicion një afat i caktuar për zgjidhjen e problemeve të konstatuara. Në rast mosushtrimi të aktivitetit për një vit nga momenti i marrjes së lejes së hapjes së spitalit, subjekti humbet automatikisht të drejtën për të ushtruar këtë aktivitet.
Tarifa e marrjes së lejes së hapjes së spitalit është e pakthyeshme me vlerë prej 100 mijë lekësh. Përveç informacionit të përgjithshëm për shoqërinë tregtare, në aplikimin për licencë subjekti duhet të dorëzojë edhe dokumentacionin teknik. Në të përfshihet deklarata për shërbimet që ofrohen dhe tarifat përkatëse, përshkrimin e vendosjes së godinës dhe të ambientit rrethues, planin e çdo kati në një shkallë të përshtatshme, deklaratë mbi gjatësinë, gjerësinë dhe lartësinë e çdo dhome ose ambienti të godinës dhe qëllimi për të cilin përdoren, deklaratë mbi organizimin e shërbimit të higjenës dhe pastrimit, mbi sistemin e ventilimit, ngrohjes, ndriçimit dhe të furnizimit me ujë, një përshkrim i plotë i daljeve dhe i mjeteve në dispozicion në rast zjarri, lista e pajisjeve mjekësore që do të përdoren sipas shërbimeve përkatëse, lista e plotë e personelit drejtues, mjekësor dhe ndihmës, e shoqëruar me licencat individuale, për personelin mjekësor, licenca e rrezatimit jonizues në rast se spitali ofron shërbimin e radiologjisë, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.