Pas tre muajsh negociatash shteruese, duket se qeveria ka reflektuar në lidhje me taksën e plastikës. Shumë shpjet pritet që në Kuvend të shkojnë ndryshimet e propozuara në ligjin për “Taksat Kombëtare”.
Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar thotë se u arrit të lehtësohej barra e taksës për industrinë e plastikës në vend. Gjithashtu u arrit që të përjashtoheshin prej saj taksimi i produkteve plastike që nuk kanë lidhje me ndotjen, sikurse janë lënda e parë që përdorët për termoizolim, celuloza që përdoret në prodhimin e sallamit, aditivë që përdoren në prodhimin e materialeve të ndërtimit, apo edhe pjesë plastike në sektorin e mobilierisë.
Gjithashtu u arrit që të rregullohet edhe defekti që kishte ligji në rimbursimin e kësaj takse në produktet e eksportit, kur ajo ishte paguar njëherë në import apo në prodhim.
Megjithatë Shkodra shton se Ministrja e Financave dhe Ministri i Sipërmarrjes qenë bashkëpunues për të nxjerrë një ligj më të mirë.
Kështu sipas projektligjit që pritet të kalojë në Kuvend kjo taksë pritet të bëhet 10 lekë për kilogramë nga 25 lekë që ishte fillimisht. Shkodra thotë se Bashkimi i Prodhuesve ka propozuar që taksa të ishte 5 lekë për kilogram dhe shpresojnë që vendimi final të jetë më poshtë propozimit të parë në projektligj.
Së dyti projektligji parashikon se do të rimbursohet taksa jo vetëm për ambalazhet që eksportohen, por edhe për çdo produkt tjetër plastik që eksportohet.
Së treti me anë të këtij projektligji synohet që të qartësohet përjashtimi nga pagesa e taksës lëndët e para primare apo materialet që përfshihen në kapitullin 39 të Nomenklature Doganore, të cilat përdoren në procese teknologjike për prodhimin e mallrave jo plastikë.
Sipas Relacionit të këtij projektligji ndryshimi i paraqitur së fundmi, synon të stimulojë prodhimin vendas duke e ulur më tej nga 25 lekë/kg në 10 lekë/kg, pra -60 % nivelin e taksës, si dhe të përjashtojë nga taksa një sërë lëndësh të para dhe artikuj plastike, të cilat përdoren: në industrinë e ndërtimit në kuadrin e rritjes së eficiencës së energjisë, në industrinë e mobilierisë dhe të prodhimit të bojërave dhe materialeve te ndërtimit.
Taksa mbi Kodin 39
Pjesë e paketës fiskale 2019 ishin edhe ndryshimet në ligjin për Taksat Kombëtare. Ndryshimi, që taksonte me 25 lekë/kg prodhimin vendas dhe 35 lekë/kg prodhimet e importuara që përfshihen në Kodin 39 të nomenklaturës, ka solli jo pak shqetësim për sektorë dhe industri të ndryshme, nga riciklimi deri te prodhuesit e materialeve të ndërtimit. Kodi 39 i nomenklaturës përbëhet nga 26 kategori të mëdha produktesh. Ndryshimi në ligjin për taksat kombëtare në lidhje me taksimin e Kodit 39, që shërbejnë si lëndë e parë për disa industri prodhuese në vend, alarmoi prodhuesit. Për disa prej tyre, taksimi me 25 lekë për kilogramë të lëndës së parë të importuar rriste kostot operative deri në 70%. Duke rrezikuar konkurrueshmërinë, si për tregjet ku eksportojnë, po ashtu edhe në tregun vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.