Flet Av. Ndue Pjetra, themelues i Institutit Shqiptar të Detektivit privat
Kur shqipton fjalën detektiv privat, të gjithë parapërfytyrojnë një burrë me pardesy të gjatë e kapele të zezë, ulur në një stol duke tymosur duhan, dhe duke shqiptuar fjalët “Paris is Lovely”, thotë Av.
Ndue Pjetra, themelues i Institutit Shqiptar të Detektivit privat. Por, ai shton se kjo figurë është larg asaj që në të vërtetë punon një detektiv privat, funksioni i të cilit është hetimi për llogari të biznesit dhe klientëve private. Në një intervistë për Monitor, z.Pjetra shton se ne kemi një traditë më të vjetër se sa vendet më të zhvilluara të botës, edhe pse ky profesion po fillon të ushtrohet pas rreth 100 vjetëve të formimit të Shtetit Shqiptar.
A është profesioni i detektivëve privatë i kërkuar në Shqipëri? Sa vite ka që ka marrë hov zhvillimi?
Fillimisht më lejoni t’ju tregoj se në vendet kryesore perëndimore, si SHBA, Angli, Francë, Gjermani etj., institucioni i detektivit privat ka një histori 200-vjeçare suksesi. Në vitin 1883, Eugen Vidok, një ushtar francez, themeloi të parën agjenci, e njohur me emrin “Agjencia e Detektivit Privat’. Ai e quajti atë “Zyra Universale e Informacionit për Tregtinë dhe Industrinë”. Zyrtarët e vendit u përpoqën të pengonin aktivitetin e tij, por Vidok zhvilloi metoda të regjistrimit, përgjues kriminologjikë dhe balistikë për hetimin kriminal. Por edhe tradita shqiptare është e hershme në këtë fushë.
Ne si popull kemi një traditë të shkëlqyer për sa i përket institucionit të detektivit privat, edhe pse pak është folur për të. Ne kemi një traditë më të vjetër se sa vendet më të zhvilluara të botës, edhe pse ky profesion po fillon të ushtrohet pas rreth 100 vjetëve të formimit të Shtetit Shqiptar. Për këtë do t’i referohemi trashëgimisë në fushën e së drejtës zakonore, Kanunit të Lekë Dukagjinit, të mbledhur dhe botuar prej At Shtjefën Gjevoçi (1923).
Në bazë të fakteve, në kapitullin 14, neni 1507, është parashikuar veprimtaria e detektivit privat me emrin “këpucari”.
Kur shqipton fjalën detektiv privat, të gjithë parapërfytyrojnë një burrë me pardesy të gjatë e kapele të zezë, ulur në një stol duke tymosur duhan, dhe duke shqiptuar fjalët “Paris is Lovely”.
Kjo figurë është larg asaj që në të vërtetë punon një detektiv privat, funksioni i të cilit është hetimi për llogari të biznesit dhe klientëve privatë. Pra, dëshiroj të qartësoj se profesioni i detektivit privat nuk është asgjë tjetër, përveçse një hetues që gjurmon dhe heton shkelje të ndryshme, që nuk janë në kompetencë të organeve shtetërore të policisë, ose në shumicën e rasteve vijnë si pasojë e neglizhencës së këtyre organeve. Një veçori tjetër, që thekson rëndësinë e detektivit privat, është dobia shoqërore e tij, pasi të gjitha shkeljet që heton detektivi privat, janë ose shkelje të moralit, ose shkelje ligjore. Lufta ndaj të cilëve është në interes të shoqërisë, ose individëve të dëmtuar.
Duke iu rikthyer pyetjes suaj, kur po hidhnim dhe “infrastrukturën” fillestare të ushtrimit të këtij profesioni në fillim të vitit 2015, nuk e pritëm se do të kishte një kërkesë kaq të lartë, qoftë për të marrë edukim profesional, ashtu edhe për ofrimin e shërbimeve të ndryshme. Kjo edhe si shkak i veprime korruptive dhe neglizhencës së organeve qeverisëse ndër vite. Por vlen të theksohet se, problemet e tyre personale, qytetarët i trajtojnë më mirë me profesionistë privatë të fushës, pasi dhe shkëmbimi i informacionit që ata japin dhe marrin është konfidencial.
Ju i diplomoni këta individë për të ushtruar profesionin. Sa është shifra e tyre (ndër vite) ose gjatë vitit të shkuar sa janë diplomuar? A ka rritje?
Pas shumë vitesh, ky profesion është “sjellë në jetë” në vitin 2015 nga themeluesit dhe drejtuesit e Institutit të Detektivit Privat, i cili hodhi dhe themelet e para për ushtrimin e këtij profesioni në mënyrë bashkëkohore, duke diplomuar edhe brezin e parë të detektivëve privatë, mbështetur në metodologjinë anglo-amerikane. Shkolla është 1-vjeçare dhe çdo student përfiton më të mirën në ushtrimin e këtij profesioni, duke mos bërë asnjë dallim me metodologjinë që zhvillohet në vendet perëndimore.
Nuk kemi pasur asnjë tendencë që të diplomojmë një numër të madh studentësh, përkundrazi numri i të diplomuarve është i ulët, rreth 12 persona në vit, kjo pasi më shumë prioritet i kemi dhënë përgatitjes së profesionistëve në këtë fushë ambicioze dhe me motiv të lartë për zhvillimin e këtij profesioni në të ardhmen. Për një periudhe trevjeçare janë diplomuar gjithsej 35 persona.
Sigurisht që numri i atyre që dëshirojnë të diplomohen sa vjen dhe rritet, kjo dhe për faktin se ky profesion u përshtatet të gjitha moshave. Persona me përvojë të hershme në ushtri dhe Policinë e Shtetit janë targetgrupi kryesor, që ushtron këtë profesion, edhe ata individë që kanë punuar në organet ligjzbatuese. Por edhe të rinjtë nuk mbeten mbrapa, duke shfaqur ambicie në kualifikimin e arsimit profesional.
Për çfarë interesohen më tepër shqiptarët që punësojnë një detektiv?
Shqipëria ka hyrë në zonën e kuqe për sa u përket divorceve, pikërisht në grupin e vendeve që kanë një normë të lartë divorci 30 për 100 martesa. Ky tregues sa vjen dhe rritet. Fatkeqësisht, divorcet nuk kalojnë pa pasoja dhe kanë ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve. Brenda kuadrit të kësaj problematike, është normale që një prej partnerëve kërkon të dijë se cili është shkaku real i krizës martesore. A lidhet me shkeljen e kurorës?! Apo me faktorë të tjerë, të cilët cenojnë harmoninë në çift? Por, që mund t’i jepet zgjidhje optimale. Jo çdokush që merr shërbimin e një detektivi privat konstaton “shkelje kurore”.
Pjesa më e madhe largojnë dyshimet e pajustifikueshme në mendjen e tyre, të ngritura mbi fakte irracionale. Nuk është vetëm kaq. Statistikat e marra në Gjykatën e Tiranës tregojnë se dy ndër katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Në kushte të tilla, ato i drejtohen detektivit privat për gjetjen e pasurisë së fshehur dhe hetimit të të ardhurave të babait të fëmijës, n.q.s. ai jeton me të ardhura mbi atë që ka deklaruar në gjykatë.
Shumë baballarë për shmangien e tarifave të larta të pensionit ushqimor ndaj fëmijëve, fshehin ose manipulojnë të ardhurat reale. Gjithashtu, në punën tonë hasim në raste të keqtrajtimit të fëmijëve nga ana e prindërve, veçanërisht gjatë fazës para divorcit. Shpesh, një nga partnerët na drejtohet për të mbledhur prova që do t’i japin atij mundësinë të fitojë kujdestarinë e fëmijëve. Siç e kuptoni edhe ju, jo çdokush që i drejtohet detektivit privat domosdoshmërisht kërkon të hetojë mbi tradhtinë. Në çështjet e brendshme familjare ka mbi 100 arsye pse dikush thërret shërbimin e detektivit privat.
Por më lejoni të theksoj, se puna e detektivit privat është mjaft e gjerë, duke filluar që nga investigimi mbi vjedhjet brenda kompanive të biznesit, mashtrimet me siguracionet, sjelljet e rrezikshme nga punonjësit, kërkimi i personave të humbur, gjetje debitorësh që u shmangen shlyerjes së detyrimeve financiare, gjetje adresash etj. Do të përmendja atë që është më e rëndësishme, mbledhjen e provave në favor të palës së pandehur ose viktimës gjatë hetimeve penale etj. Ka një numër mjaft të lartë dhe të shumëllojshëm shërbimesh që ofrohen nga detektivi privat.
A ka kërkesa për investigime në fushën e biznesit?
Biznesi që synon të marrë rezultate të larta në fushën ku operon, i kushton vëmendje të konsiderueshme mbledhjes së informacionit. Kryesisht biznesi mbledh informacion mbi një klient potencial, një furnizues të mundshëm, ose ndaj një konkurrenti të ri që po bëhet faktor kyç në treg. Para se të hyjnë në një marrëdhënie të re, biznesi është gjithmonë i interesuar të dijë mbi disa faktorë që do të ndikojnë në vendimet e tij të ardhshme, si p.sh., cili është historiku i të ardhurave, shlyerjes së detyrimeve tatimore, apo rastet e falimentit të një klienti potencial; ose kur një shitës potencial, pjesë e zinxhirit të furnizimit, është paditur për mashtrim; gjithashtu nuk mungojnë rastet kur partneri potencial në biznes ka një historik të kaluar kriminal. Megjithatë, një marrëdhënie e re biznesi mund të paraqesë pak ose shumë rrezik, dhe jo pa qëllim ka kërkesa për kryerjen e investigimeve mbi marrëdhëniet kryesore të furnizuesit; shqyrtimin e klientëve të rinj; hulumtim konkurrues dhe informacion inteligjent; bashkimet e aksioneve dhe vlerësim biznesi etj.
Po investigime të mirëfillta të spiunazheve industriale keni?
Për sa kohë që ka tregti, ka edhe spiunazh. Metodat për spiunimin e konkurrentëve kanë ndryshuar me kalimin e kohës, por dëshira për të zbuluar sekretet e një rivali nuk ka ndryshuar. Në vitin 1993, General Motors akuzoi Volkswagen për spiunazh industrial, pasi Jose Ignacio Lopez, shefi i prodhimit për divizionin Opel të GM, u largua për t’u bashkuar me makinën rivale të Gjermanisë, së bashku me shtatë drejtuesit e tjerë. GM pretendoi se sekretet e saj të korporatës ishin përdorur nga VW. Në fund, kompanitë ranë dakord për një nga marrëveshjet më të mëdha të këtij lloji: GM do të tërhiqte paditë e saj në këmbim të një premtimi nga VW, për të blerë 1 miliard dollarë pjesë të GM për shtatë vjet.
Përveç kësaj, VW do t’i paguante 100 milionë dollarë GM. Edhe në Shqipëri kemi zhvilluar hetime mbi spiunazhin industrial, ku rasti më i fundit ishte një menaxher firme (pa përmendur emra për arsye të ruajtjes së konfidencialitetit), i cili i vuri në dispozicion të firmës konkurrente listën e plotë të klientëve me të cilën punonte firma në fjalë, duke i shkaktuar biznesit humbje klientele dhe tkurrje në të ardhura. Kur “fajtori” u pyet se cili ishte qëllimi i këtij veprimi, ai u përgjigj se e nxori informacionin për shkak të nervozizmit ndaj punëdhënësit të tij.
A ka kosto të lartë punësimi i një detektivi?
Është relative. Gjithçka varet nga kompleksiteti i çështjes, qëllimi i kryerjes së investigimit dhe kohëzgjatja e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, detektivi ofron shërbim në bazë të orëve të punës që ai kalon në çështje. Gjithçka kryhet në marrëveshje me klientin. Shpesh zgjidhja e çështjeve kërkon ndërthurjen e dy-tre shërbimeve njëherësh. Dhe jo pa qëllim mbahet një komunikim i vazhdueshëm me klientin gjatë hetimit, ku dhe merret aprovimi i tij paraprak nëse dëshiron të vazhdojë më tej ose jo.
A është profesion i së ardhmes? Mendoni se do të marrë më tepër zhvillim?
Profesioni i Detektivit Privat është kthyer një alternativë atraktive për shumë njerëz gjatë viteve të fundit, veçanërisht atyre njerëzve që kërkojnë një ndryshim të madh të karrierës. Le të themi një të vërtetë të njohur se, numri i pakënaqur i fuqisë punëtore sa vjen dhe rritet; shumë njerëz kërkojnë mundësi të reja për t’i larguar ato nga ekzistenca e përditshme e vendeve të tyre të punës.
Biznesi privat i hetimit, jo vetëm që ofron mundësi interesante dhe emocionuese të punës, por edhe mundësi vetëpunësimi për ata që progresivisht duan të jenë vetë drejtues. Për sa kohë që të rinjtë kanë mbushur 18 vjeç e lart dhe kanë dosje penale të pastër, atëherë ata kualifikohen për të hyrë në karrierën e hetimit privat. Në praktikën perëndimore, ashtu edhe tek ne në Shqipëri, nuk ka kërkesa formale për arsim për të hyrë në biznesin e hetimit privat. Çdokujt që i mungon kualifikimi në fusha të tjera, mund të ndjekë arsimin profesional në këtë fushë. Është interesante të vërehet se disa shkolla dhe kolegje në botë kanë filluar të ofrojnë kurse në Universitete, si pjesë e kurrikulës arsimore.
Për ata që kanë përvojë në një profesion tjetër, si forca policore, fusha e sigurisë ushtarake apo e qeverisë, atëherë kalimi në hetime private është pothuajse i natyrshëm. Megjithatë, shumë njerëz që kanë prejardhje nga karriera të tilla si sigurimi, ligji dhe financa, gjithashtu bëjnë kalimin në fushën e hetimeve private.
Për sa i përket së ardhmes, mund të them me bindje se shifrat e industrisë e vendosin biznesin e hetimit privat në krye të pemës së rritjes së industrive. Interneti ka hapur një portal të ri për Investiguesit Privatë të cilët kryesisht veprojnë mbi çështjet e vjedhjes së identitetit dhe shkeljes së të drejtës së autorit. Bota gjithashtu është bërë një vend më i vogël me biznesin e hetimit privat dhe kërkesa për detektivë privatë sa vjen dhe rritet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.