Historia e shqiptarit Gasmen Toska, specialistit që drejton 5 fabrika në fushën e tekstileve teknike në Francë. Si e nisi dhe zhvilloi biznesin e tij duke blerë e menaxhuar kompani në vështirësi apo në prag falimentimi. Planet e tij për rimëkëmbjen e Kombinatit të Tekstileve të Beratit dhe potencialet e vendit tonë për zgjerimin e industrisë së tekstileve në Shqipëri
Kur Gasmen Toska u nis në Francë në vitin 1983, për të studiuar për inxhinieri tekstile, nuk e mendonte se e ardhmja e tij do të lidhej pazgjidhshmërisht me këtë shtet. Ndër katër studentët e përzgjedhur, u largua në vitin e dytë të studimeve nga universiteti shqiptar për të përfunduar studimet në Francë, me synimin për t´u rikthyer përsëri në Shqipëri. Ndonëse mbaroi në Francë me rezultate të shkëlqyera, dhe me diploma të tjera në fushën e informatikës dhe inxhinierisë mekanike, pikësynimi i tij mbetej Kombinati i Tekstileve të Beratit, qytetit prej nga e kishte dhe origjinën. Por, i zhgënjyer nga ambienti që gjeti në Shqipëri u nis përsëri drejt Francës në vitin 1990. Këtu fillon dhe historia e tij e biznesit në shtetin francez, histori që ai e rrëfen për revistën “Monitor”.
Puna si inxhinier në fushën e kërkimeve të përpunimit të nënprodukteve të naftës (fibra sintetike, që e kanë origjinën te nafta dhe zhvillohen me procese kimike) në grupin Rhône Poulenc i dha kualifikimin e nevojshëm dhe teksa vit pas viti rritej në përgjegjësi u specializua për menaxhimin e problemeve në uzinat në vështirësi, apo në prag falimentimi. Gjithnjë e më shumë atij filluan t´i ofronin të blinte apo menaxhonte uzina në vështirësi, ndonjëherë duke marrë dhe uzina me vetëm 1 euro, bën analogji Toska me strategjinë shqiptare të tërheqjes së investimeve Shqipëria 1 euro. Uzina e parë ishte Rhône Polenc Chaînes Textiles në vitin 1999.
Tri ishin mënyrat nëpërmjet të cilave biznesi i tij filloi të zhvillohej: Së pari, shteti francez ndërhynte direkt duke ofruar sipërmarrje, pasi për qeverinë franceze ishte mjaft e rëndësishme mbrojtja e vendeve të punës. Së dyti, duke blerë fabrika nga grupe të mëdha që vendosnin të hiqnin dorë nga specializimi në fushën e fibrave sintetike. Së treti, duke studiuar për blerje ndërmarrje në falimentim, nëse ia vlente të zhvilloheshin apo jo.
Si çdo biznes, herë ecën e hërë jo, pohon Toska. Është e pamundur që gjithmonë të të ecë, por e rëndësishme është të mësosh nga eksperiencat, shton ai.
Dhe duket se në tërësi aktiviteti ka ecur. Sot Gasmen Toska është aksioner dhe pronar i 5 sipërmarrjeve në fushën e tekstileve teknike në Francë dhe grupet e tij kanë një qarkullim vjetor prej 15 milion eurosh, duke punësuar direkt 150 punonjës dhe indirekt 600 punonjës. Aktiviteti kryesor është ai i grupit Noiret, i specializuar në prodhimin e copave që i rezistojnë zjarrit dhe që përdoren nga ushtritë, zjarrfikëset, forcat e ndërhyrjes speciale dhe industritë që kërkojnë veshje me rezistencë të madhe mekanike si metalurgjia, pikat e karburanteve etj. Grupi Noiret është kryesues në Francë në prodhimin e fibrave rezistente ndaj temperaturave të larta dhe ka një përvojë 100-vjeçare në këtë fushë. Grupi vetëm prodhon copat, ndërsa konfeksionimi kryhet nga sipërmarrje të tjera.
“Janë aktivitete në fusha të vështira, që kërkojnë nivel specializimi shumë të madh dhe është e pamundur të transferosh aktivitetin në një vend tjetër”, thotë Toska, teksa vlerëson dhe angazhimin e qeverisë franceze për politikat që ndiqen ndaj industrialistëve dhe përpjekjet për ruajtjen e vendeve të punës.
Bizneset në Shqipëri
Prej disa vitesh, Gasmen Toska ka filluar aktivitetin në Shqipëri, në qytetin e tij të lindjes, Beratin. Ka hapur një aktivitet konfeksioni në Berat që prej vitit 2004, ku janë të punësuar 70 veta dhe punojnë me sistemin fason për një grup tjetër francez për tregun e spitaleve franceze (veshje krevati, bluza për sallat e operacionit. Modelin e drejtimit të uzinave në Francë është përpjekur ta fusë edhe në sipërmarrjen e Beratit. “Fabrika funksionon në autonomi totale, unë vij vetëm disa herë në vit. Cilësia e punës dhe skarcitetet janë të nivelit si në Francë”, thotë ai.
“Erdha me vonesë se kisha dyshim për nivelin e angazhimit të biznesit këtu”, por përvoja 5 vjeçare ka rezultuar relativisht nxitëse.
Tashmë prej tre vitesh, Toska po përpiqet të shtojë aktivitetet e tij në Shqipëri, pasi ka tregje në Europë dhe në Francë, që janë të interesuar të prodhojnë këtu. Por, ai thekson se në realitetin shqiptar ka ende një pasiguri për mentalitetin e një industrialisti francez. “Elementet kryesore që sheh një sipërmarrës kur do të investojë janë: pronësia e tokës; furnizimi i vazhdueshëm me energji; infrastruktura dhe ambienti legjislativ i vendit”. Këto normalisht duhet të jenë të zgjidhura, teksa preokupimi kryesor i një sipërmarrësi duhet të jetë tregu e jo çështjet e pronësisë së tokës, energjisë etj. Toska përmend që në Shqipëri infrastruktura po përmirësohet, ligjet janë të mira, por problem mbetet garancia e furnizimit me energji elektrike, që për vitin 2009 duket e përmirësuar, dhe çështja e pronësisë së tokës, që mbetet shumë e komplikuar.
Planet për kombinatin e Beratit
Ëndrrën që nuk e realizoi dot kur mbaroi shkollën për zhvillimin e Kombinatit të Tekstileve të Beratit, Gasmen Toska po përpiqet ta plotësojë tani. Dy çështjet që e shqetësojnë, pronësia e tokës dhe energjia, ai i sheh të zgjidhura, pasi shteti është aksioner në këtë pjesë prej rreth 7 000 m² të kombinatit dhe furnizimi me energji është i vazhdueshëm. Gjendja në kombinat sot është katastrofike, në një kohë që kjo pronë po humb vlerë dita ditës, teksa nuk po shfrytëzohet aspak.
Toska shprehet se është i gatshëm të investojë fillimisht 200 mijë euro në këtë pjesë të kombinatit dhe të krijojë brenda disa vitesh 200-300 vende pune. Karakteristikë e veçantë e aktiviteteve të Toskës në Shqipëri është se fitimet e aktiviteteve riinvestohen përsëri në Shqipëri. Ky është kontributi që ai do të sjellë për vendin e tij dhe është diçka interesante, kur dihet se bizneset e huaja në Shqipëri tërheqin fitimet në vendin e tyre. Aktiviteti i Toskës ka edhe një dimension social të rëndësishëm, pasi një pjesë e fitimeve do të shkojë për dhënien e bursave, ndihmën e fëmijëve të braktisur ose të moshuarve në kushte ekonomike të vështira.
Toska shpreh shpresën se shpejt do të gjendet një zgjidhje me autoritet për të transformuar pjesën e shkatëruar të kombinatit të Beratit në uzinë që do të punësojë banorët e Beratit dhe do të krijojë fitime që s´do të dalin nga Shqipëria.
Konfeksionim i rrjetave të mushkonjave në Shqipëri
Një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) për rrjetat e mushkonjave sjell një tjetër shans për zhvillimin e industrisë së tekstileve në Shqipëri, në një drejtim të ri. Sot në Botë vdesin 2 milion njerëz nga pickimet e insekteve, ndaj OBSH komisionon prodhimin çdo vit të rrjetave të insekteve, që zhvillimet e fundit të teknologjisë mundësojnë lëshimin prej tyre të esencave që i largojnë dhe ngordhin insektet. Një tender i tillë është fituar nga kompania gjermane Bayer dhe Toska thotë se ai ka mundësi të prodhojë copat dhe po diskuton me Bayer, që këto copa më pas mund t´i kalojë në Shqipëri për kryerjen e qepjes dhe ambalazhit. Nga Porti i Durrësit, këto prodhime do të çohet më pas në vendet e goditura nga malarja ose sëmundjet e lidhura me pickimet e insekteve.
Shanset për industrinë shqiptare të tekstileve
Pse Shqipëria mund të konsiderohet si një Kinë e vogël për Europën
Gasmen Toska ka një përvojë të madhe globale në fushën e tekstileve teknike. Udhëtimet e tij të shumta në Europë dhe zhvillimi i projekteve deri në Kinë e Indonezi i mundësojnë tashmë të parashikojë të ardhmen dhe të vlerësojë potencialet e të bërit biznes. Ai konstaton se mundësitë e zhvillimit të tregut për një sipërmarrës francez në vendet me kosto të ulët të fuqisë punëtore janë interesante. Megjithatë ai shton se fuqia e lirë punëtore është një përparësi e përkohshme. P.sh., në krahasim me Shqipërinë, në Ukrainë dhe Moldavi kostoja punëtore është më lirë, në vendet aziatike është akoma më lirë se në Ukrainë e Moldavi. Ndaj industria e fasonit duhet të ndihmohet duke u përpjekur të njohë tregun final, të njohë furnitorët e lëndëve të para dhe të rrisë specializimin duke punësuar në fabrika njerëz të shkolluar. “Një aktivitet duhet të ketë vlerë të shtuar të lartë jo vetëm nga kostoja e ulët e fuqisë punëtore, por edhe nga çmimi i lartë i shitjes së mallit që realizohet nëpërmjet daljes nga sistemi i punës me fason. Industrialistët shqiptarë duhet të arijnë të shesin direkt në treg mallrat e tyre”, thotë Toska.
Një tjetër përparësi e tregut shqiptar është pozicioni gjeografik, që mundëson dërgimet në një periudhë të shkurtër kohe, përparësi e cila bëhet më e madhe tani që kosto e fuqisë punëtore në Kinë po rritet.
Ai e sheh Shqipërinë me potenciale zhvilluese, në rast se do të ketë politika të qarta dhe veprime konkrete e efikase që do të dinë të tërheqin investitorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.