Në të ardhmen BKT synon të zgjerohet edhe duke blerë banka të tjera në Shqipëri.Megjithë statusin e saj të pazgjidhur përsa i përket pronësisë, Banka Kombëtare Tregtare e ka mbyllur mjaft mirë vitin 2003. Totali i aktivit shënoi rritje prej 48%, apo një rritje reale prej rreth 38% (duke hequr inflacionin dhe normën e rritjes së PBB-së), një prej ritmeve më të larta të rritjes në sektorin bankar gjatë vitit 2003. Drejtori i BKT-së, Seyhan Pencapligil i vlerëson të kënaqshme rezultatet e arritura. BKT i arriti dhe, në shumicën e rasteve, i tejkaloi objektivat e vendosura, thotë ai. Banka ishte e aftë të kombinonte një nivel të lartë përfitueshmërie me rritjen, ç ka nuk është shumë e zakonshme në sistemin bankar, komenton drejtori i BKT-së.Fitimi i bankës ka arritur në fund të vitit 2003 rreth 4 milion USD, me një rritje prej 108% në krahasim me vitin 2002. Ndërsa depozitat e klientëve kanë shënuar një rritje prej 49%.Huatë për klientët rritje prej 200%Portofoli i kredisë i BKT-së u trefishua gjatë vitit 2003. Synimi i bankës ishte zgjerimi i portofolit të kredisë dhe diversifikimi i mëtejshëm i tij. Rreth 80% e kredisë është dhënë për sektorin e industrisë, 20% për individët. Pjesa më e madhe e huasë për industrinë vazhdon të shkojë për sektorin e tregtisë. Në dallim nga viti i kaluar ka një rritje të ndjeshme të tepricës së kredisë për individë (për blerje shtëpie) dhe huasë konsumatore për (riparim shtëpie, blerje makinash etj.). Ka filluar për herë të parë dhënia e kredive për arsim. Me gjithë rritjen e tepricës së kredive, banka nuk raporton hua me probleme. Investimet në bono dhe letra me vlerë të shteteve të tjeraRreth 53% e totalit të aktivit vazhdon të jetë e investuar në bono thesari. Teprica e bonove është rritur me 45% në vitin 2003 në krahasim me vitin 2002. Banka ka investuar 20 milion USD, ose rreth 6% të totalit të aktivit në letra me vlerë të shteteve të ndryshme, nga të cilat rezulton me humbje vetëm nga blerja e bonove të Qeverisë Turke, të cilat, në fakt vlerësohen nga Standard&Poor s me B+ (vlerësimi maksimal është 3 A). Gjithsesi, humbja është tepër e papërfillshme në totalin e bilancit të bankës dhe banka ka arritur të fitojë nga investimet në bonot e shteteve të tjera. Në planet e BKT-së për vitin 2004, sipas drejtorit të BKT-së janë vazhdimi i përpjekjeve për rritjen e pjesës së tregut, si dhe për të përballuar konkurrencën pas privatizimit total të sistemit bankar. Kjo do të arrihet, pohon Pencapligil, nëpërmjet hedhjes në treg të produkteve të reja si makinat e tërheqjes së parasë ATM, kartat e kreditit, bankingut nëpërmjet internetit. Lidhur me planet e zgjerimit drejtori i BKT-së thotë se, synohen degë ndërkombëtare në shtetet fqinjë dhe nuk përjashtohet as mundësia e blerjes së bankave të tjera në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.