Ministria e Financave sqaroi sot ndryshimet në udhëzimin “Për procedurat tatimore”, konkretisht pikën 90.1 të tij, për urdhrat e bllokimit të llogarive bankare.
Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se ndryshimet e udhëzimit unifikojnë qëndrimin që duhet të mbajë administrata tatimore brenda kompetencave që i lejon ligji “Për procedurat tatimore”.
Konkretisht, sipas Ministrisë të Financave, ndryshimet vetëm sqarojnë procedurën e bllokimit të llogarive, si masë preventivuese; kohëzgjatjen e bllokimit dhe përparësitë e urdhrave; mënyrën e procedimit me urdhrat e bllokimit jo të sakta dhe kohën kur mund të kërkohet borxhi tatimor i papaguar nga pronarët e biznesit.
Por në ndryshimet e botuara në Fletoren Zyrtare, në një paragraf të udhëzimit thuhet se nëse pas zbatimit të masave shtrënguese, duke përfshirë sekuestrimin dhe shitjen e pasurive, subjektet nuk shlyejnë detyrimet, shuma e papaguar i transferohet ortakut, aksionarit dhe administratorit. Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhër bllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve të subjekteve.
Këto ndryshime që sanksionojnë urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për ortakët, aksionarët apo administratorët e shoqërive në rast mos shlyerje të detyrimeve u kundërshtuan nga sipërmarrje, pasi ato konsiderohen antikushtetuese. Përfaqësuesit e studiove ligjore më me zë në Shqipëri, vlerësuan se ndryshimet janë në kundërshtim, si me ligjin “Për Procedurat tatimore”, ashtu edhe me atë “Për shoqëritë tregtare”.
Lexo edhe këtë: Bllokimi i llogarive bankare për ortakët dhe administratorët është antikushtetues; I hapet rrugë abuzimeve të skajshme nga tatimet
Reagimi i plotë i Ministrisë të Financave:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në zbatim të detyrimit ligjor të parashikuar në nenit 99 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me miratimin e rregullave dhe procedurat për zbatimin e këtij neni, nëpërmjet ndryshimit të pikës 90.1 të Udhëzimit Nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka plotësuar këtë detyrim, duke plotësuar dhe vendosur rregulla proceduriale më të qarta dhe të nevojshme për zbatimin sa më të drejtë dhe të përcaktuar në të gjithë parashtrimet ligjore të parashikuara në nenet 88 – 104 të ligjit.
Grupet e interesit të përfaqësuara në Këshillin e Investimeve dhe bankat e nivelit të dytë kanë qenë pjesë aktive në proceset e konsultimit të kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për këtë qëllim.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke marrë shkas nga shkrimet në media për sa më sipër, dhe nën përgjegjësinë dhe peshën për të sqaruar publikun, bën këtë sqarim dhe siguron që akti nënligjor i keqintepretuar në këto shkrime, nuk vendos detyrime të cilat nuk janë të parashikuara në ligjin specifik të fushës, pavarësisht pretendimeve të ngritura.
Udhëzimi Nr. 44, datë 09.11.2020 “Për një ndryshim në Udhëzimin Nr. 24, datë 02.09.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” sqaron:
procedurën e bllokimit të llogarive si masë preventivuese, që garanton mbledhjen e taksave dhe tatimeve të papaguara sipas parashikimeve ligjore;
kohëzgjatjen e bllokimit të llogarive dhe përparësitë e urdhrave të bllokimit,
mënyrën e procedimit me urdhrat e bllokimit jo të sakta;
kohën kur mund të kërkohet borxhi tatimor i papaguar nga pronarët e biznesit etj.
Ky ndryshim në udhëzim unifikon qëndrimin që duhet të mbajë administrata tatimore, gjithmonë brenda kompetencave, që japin nenet 88-104 të Ligjit Nr. 8560, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka 12 vjet që zbatohet.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar dhe mirëpret çdo sugjerim në frymën e komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.