Bordi i Transparencës ka rritur sërish çmimet e tregtimit të karburanteve në vend.
Një litër naftë do të tregtohet me 210 lekë, benzina me 192 lekë për litër, ndërsa gazi ka pësuar ulje, duke u tregtuar me 69 lekë/litri.
Kjo është mbledhja e dytë për këtë vit, ku Bordi vendos të rrisë çmimet, bazuar në të dhënat e bursës Platts.
Në bursa nafta tregtohet me rreth 86.05 dollarë për fuçi (tregues referencë Brent).
Që prej marsit të vitit 2022 çmimet tavan të naftës vendosen nga Bordi i Transparencës, i krijuar nga qeveria me synimin për të kontrolluar rritjen e fortë të karburanteve që erdhi pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Njoftimi
Vendim i Bordit të Transparencës- 25.01.2023
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 25 Janar 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 24.01.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 892, +50 nga data 16.01.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 978, +41 nga data 16.01.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 56 (-0.43 nga data 16.01.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 25 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.