Kompania e mbeturinave ‘Pastrimi’ që nga sot nuk do të bëjë me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave. Kjo për shkak të bllokimit të xhirollogarive bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës. E gjendja e kontejnerëve në kryeqytetin e Kosovës po duket e tmerrshme. Vetëm në Prishtinë, kompania “Pastrimi” largon mesatarisht 231 mijë kilogramë mbeturina brenda 24 orëve.
Prishtina ka filluar të mbulohet nga mbeturinat. Në mëngjesin e sotëm, pothuajse në secilin cep të kryeqytetit sheh mbeturinat që kanë mbuluar edhe kontejnerët. Krejt kjo për shkak që Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” i janë bllokuar xhirollogaritë bankare.
Nga kompania “Pastrimi” bëhet e ditur se vlera e borxhit që kanë ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, ka arritur në 1 milion e 394 mijë e 449 euro.
Sipas tyre, ky borxh është i trashëguar ndër vite që nga koha e pasluftës, ndërsa kompaninë e ka rënduar edhe tarifa e kamatës ligjore që është 732 mijë e 601 euro.
“Ky borxh është grumbulluar/trashëguar ndër vite për arsye se qytetarët nuk kanë paguar Kompaninë ‘Pastrimi’, për shërbimin e mbeturinave pavarësisht që ne kemi kryer shërbim , KMDK ka dërguar Kompaninë ‘Pastrimi’, tek përmbaruesi duke bllokuar te gjitha xhirollogaritë bankare te Kompanisë”.
Për shkak të këtij borxhi po rrezikohen të mbesin pa paga 600 punëtorët e kompanisë, e rrjedhimisht gjithë rajoni i Prishtinës pas disa ditëve mund të mbulohet nga bërlloku.
“Ka disa ditë që është bllokuar xhirollogaria jonë, e sigurisht që mund të ketë vështirësi të jepen pagat e punëtorëve, sepse tashmë jemi edhe në fund të muajit. Po ashtu ka rrezik që mos të mundemi të realizojmë aktivitetet ditore që i bëjmë për pastrim, pasi na nevojiten edhe derivate dhe në momentin që përfundojnë derivatet, sigurisht që do të ndërpritet edhe puna jonë dhe nuk do të mund të mbledhim mbeturinat në qytet”.
Kjo kompani u ka bërë thirrje urgjente institucioneve shtetërore që të marrin masa dhe ta ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate në të cilën gjenden.
Në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës kanë treguar se sot do të mblidhet Bordi dhe do të shqyrtohet mundësia që t’i jepet kohë “Pastrimit” ta kryejë pagesën dhe brenda asaj kohe t’i zhbllokojnë llogaritë.
Kurse, në qeverinë e Kosovës kanë bërë me dije se u kanë rekomanduar kompanive që duke respektuar ligjet, ta zgjidhin këtë çështje.
“Ne e kemi pranuar këtë kërkesë dhe njoftim nga ana e kompanisë ‘Pastrimi’. Zgjidhja e problemit është adresuar te të dyja palët, në mënyrë që të gjendet hapësira e nevojshme, bazuar në ligjet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi. Kompania ‘Pastrimi’, bazuar në vendimin e Gjykatës, ka thënë se ka të drejtë në arsyetimet e saj. Gjithsesi, këto dy palë, besojmë që do të arrijnë të kenë një komunikim të mirëfilltë në mënyrë që të kalohet edhe kjo situatë”. Vetëm në Prishtinë, kompania “Pastrimi” largon mesatarisht 231 mijë kilogramë mbeturina brenda 24 orëve.
/Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.