Për menaxherin e borxhit publik shqiptar, Xhentil Demiraj, situata ekonomiko-financiare kërkon vëmendje të veçantë, gatishmëri për çdo të papritur dhe masat për rastet e paparashikuara janë marrë, në radhë të parë me miratimin e buxhetit konservator, realist dhe për ruajtjen e borxhit.
Për vitin tjetër, qeveria parashikon të marrë rreth 41 miliardë lekë borxh, por duke pasur parasysh faktin se në 2011-n bankat u treguan më të rezervuara, meraku më i madh qëndron tek aftësia likuide e tyre, si përgjigje ndaj kërkesës së qeverisë për para. Drejtori i menaxhimit të borxhit publik pranon situatën e vështirë, për shkak të presioneve nga jashtë, por shton se qeveria i ka në dispozicion të gjitha burimet e mundshme financiare për të shlyer deficitin.
Bankat refuzuan, por besimi mbetet
“Bankat, si pasojë e politikave të tyre të brendshme për riskun, kanë kufizuar disi pjesëmarrjen, veçanërisht në ankandet e obligacioneve”, pranon Ministria e Financave në dokumentin zyrtar të buxhetit 2012. Ky paragraf dëshmon mungesën e reagimit të bankave ndaj nevojës së qeverisë për fonde, me qëllim difersifikimin e portofolit të kredisë, duke tentuar të përfitojnë sa më shumë në huatë afatshkurtra.
“Janë shenja të qarta për shkak të klimës në tërësi, por plani ynë i vitit 2012 nuk besoj se do t´i vërë bankat nën presion likuiditeti ndaj ekonomisë. Kemi rastin e vitit 2010 kur u morën 30 miliardë lekë dhe sërish bankat reaguan mirë ndaj kërkesës së tregut. Në këtë mënyrë, besoj që plani ynë për të marrë 19 miliardë lekë te bankat tona nuk do të shkaktojë asnjë afekt në sistem apo reagim kundërshtues”, thotë Demiraj.
Po nëse bankat rezistojnë, sikurse kanë vepruar gjatë vitit 2011? Edhe për këtë pjesë, qeveria duket se e ka një manovër. “Sikurse e përmenda, kemi disa burime alternative financimi. Në rast se bankat nuk i përgjigjen kërkesës sonë në ato nivele huaje që planifikohet, do t´i drejtohemi bankave të zhvillimit, institucioneve financiare donatore. Te këto banka kemi planifikuar të marrim 22 miliardë lekë dhe kemi gati të tjera hapësira në rast se do të na lindë nevoja. Financimi nuk është problem”, sqaron Demiraj.
Manovra
19 miliardë lekë
Është kredia që parashikon të marrë qeveria shqiptare në vitin 2012 nga bankat tregtare, për nevoja të financimit të deficitit buxhetor
22 miliardë lekë
Është huaja e planifikuar që të merret te bankat e zhvillimit, të cilat kryesisht i japin me kushte më të mira, në raport me subjektet tregtare
çfarë ndodhi në 2011-n
Të dhënat tregojnë se deri në fund të shtatorit 2011, instrumentet afatshkurtër të huamarrjes u ulën me 1,41 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa afatgjatat kanë pasur një rritje vetëm 1,48 për qind ndaj totalit.
Në stokun e borxhit është eliminuar tërësisht zëri i rivlerësimit të valutës në totalin e borxhit të brendshëm për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase ndaj euros dhe dollarit, gjë që e bën të panevojshme emetimin e ri për të mbuluar humbjet në rezervën valutore. Të paktën deri në këtë periudhë të vitit, qeveria nuk e ka pasur të nevojshme përdorimin e instrumentit të kredisë direkte.
Gjithsesi, qeveria pranon se ka pasur vështirësi në rikompozimin e portofolit të borxhit, si dhe në realizimin e objektivave për uljen e instrumenteve afatshkurtër në drejtim të rritjes së instrumenteve afatgjatë. “Gjendja e likuiditetit të brendshëm dhe sidomos ndikimi i situatës së trazuar të tregjeve ndërkombëtare financiare, të cilët karakterizohen nga luhatshmëri kritike gjejnë reflektim në strategjinë e bankave të nivelit të dytë drejt investimeve afatshkurtra me likuiditet të lartë dhe risk të ulët”, deklaron Ministria e Financave, duke shtuar se, “bankat, si pasojë e politikave të tyre të brendshme për riskun, kanë kufizuar disi pjesëmarrjen, veçanërisht në ankandet e obligacioneve”.
“Moody´s” dhe rreziku i rajonit
Kompania e vlerësimeve mbi kapacitetin ekonomik të një vendi për herë të gjashtë testoi Shqipërinë dhe shumë shpejt, në janar mund të publikojë rezultatet. Në tre muajt e fundit shumë shtete dhe institucione financiare morën vlerësime negative nga kompania amerikane, për shkak të paaftësisë për të shlyer borxhet dhe mungesës së ritmit të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Po sa gjasa ka që “Moody´s” të japë vlerësime negative për vendin tonë? “Shanset janë të pakta, për të mos thënë fare, nëse do të analizojmë situatën, të ndarë me atë çfarë po ndodh në rajon. I prezantuam buxhetin konservativ, panë treguesit e kufirit të ruajtjes së borxhit, deficitin, të ardhurat e tjera, sikurse pranuan me fakte ritmin rritës të ekonomisë (PBB). Pra, përshtypjet e tyre ishin të mira dhe kjo u duk qartë, pasi na e shfaqën hapur, por problemi qëndron te vendet fqinje dhe ndikimi i tyre në ekonomi. Të presim çfarë do të raportojnë në janar”, thotë Demiraj.
Për vitin 2011, qeveria parashikon rritje ekonomike jo më të lartë se 3.9 për qind, ndërsa për 2012-n rreth 4.1 për qind, kur në korrik u mendua se mund të ishte 5.5 për qind. Në total, stoku i borxhit për vitin tjetër mund të arrijë në 825 miliardë lekë, ndërsa shërbimet për interesat do të jenë rreth 49 miliardë lekë, ose sa 3.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sa i takon borxhit në raport me PBB-në, aktualisht është në nivelin e 59.6 për qind dhe do të vijojë, të paktën deri në 2014-n të mos tejkalojë kufirin e 60 për qind.
Korporata mund t´i drejtohet bankave, kurse qeveria pret të rishikojë garancitë
KESH nuk paraqet asnjë kërcënim te borxhi
Garancia e lëshuar së fundmi nga qeveria për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare ka luhatur disi parametrat e borxhit publik, por gjithsesi duke qëndruar pranë kufirit të lejuar. Garancia 4.5 miliardë lekë për korporatën prek buxhetin 2011, por nga ana tjetër nuk e ndalon KESH-in ta përdorë si “certifikatë” edhe në 2012-n, në rast nevojash për para te bankat.
Qeveria gjithnjë ka qenë e hapur për të mbështetur aktivitetin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sidomos kur bëhet fjalë për sigurimin me energji elektrike për konsumatorët. Është një nen i veçantë në ligjin e buxhetit, ku thuhet se në momente të duhura mund të rishikohet kuota e garancisë. “Fatkeqësisht garancitë që lëshohen për ndërmarrjet me kapital shtetëror qeveria i raporton si borxh 100 për qind shtetëror, kur në fakt nuk është praktikë ndërkombëtare. Këto garanci nuk duhet të kontabilizohen si 100 për qind borxh publik”, thotë drejtori i menaxhimit të Borxhit.
Sa i takon ndikimit, garancia e fundit për KESH-in do ta shtojë edhe më shumë stokun e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Publik, jo në nivele për t´u shqetësuar, por në 59.6 për qind, me efekt nën 0.25 pikë përqindje.
A i mjafton KESH-it ky fond, duke pasur parasysh se kemi përpara dimrin dhe vitin 2012? “Është e vërtetë që garancia i referohet këtij viti, pra këtij buxheti që po mbyllim, me vlerë 4.5 miliardë lekë, por KESH-i nuk është e thënë që ta ‘shpenzojë´ të gjithën për këtë periudhë, mund edhe ta përdorë për periudhat e ardhme, sipas nevojave”, thotë Demiraj.
Për vitin 2011, garancitë në tregun e brendshëm kanë mbetur thuajse në të njëjtat nivele. “Kjo përbërje tregon përpjekjet për të akomoduar kërkesat për huamarrje në segmente të instrumenteve afatgjata, si dhe punën e kujdesshme në procesin e emetimit të borxhit të ri”, tregon Ministria e Financave. Në total garancia e lëshuar nga qeveria për ndërmarrjet shtetërore është rreth 50 miliardë lekë, ose sa 4 për qind e PBB-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.