Qeveria shqiptare duhet t’i kthejë sytë nga industria e hotelerisë, jo duke shkuar vetë në plazh dhe me pushime, por duke menduar për ta bërë këtë industri të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë
Luan Bregasi, kryetar i Biznes Albania, me përvojë në fushën e prodhimit dhe atë të ndërtimit, ka nisur së fundmi ofrimin e shërbimeve në fushën e turizmit. Pas ndërtimit të hotel Palace & Spa Durrës, Bregasi synon të zgjerohet më tej në këtë sektor në qytete të tjera turistike. Ai pohoi se norma e rikthimit të investimit në fushën e turizmit llogaritet pas 7 vitesh aktivitet, por vuri në dukje se qeveria ndjek një politikë të ashpër fiskale, duke ofruar TVSH-në më të lartë në rajon për sektorin.
Zoti Bregasi, veç të tjerash, ju jeni diversifikuar edhe në turizëm nëpërmjet Palace Resort. Pse e morën një nismë të tillë?
Në filozofinë time si sipërmarrës, por edhe në filozofinë e të bërit biznes, është shumë i rëndësishëm diversifikimi i portofolit, çka do të thotë se nuk mund të investosh vetëm në një sektor, i cili për arsye të ndryshme, për kushte dhe rrethana që nuk varen nga ti, mund t’i shkaktosh biznesit tënd probleme dhe mungesë suksesi.
Unë kam investuar në sektorin e ndërtimit, në industrinë e prodhimit të pijeve dhe konkretisht të birrës, si dhe në industrinë e hoteleri-turizmit në qytetin e Durrësit, me hotel Palace & Spa.
Kam investuar në hoteleri-turizëm, sepse kam kuptuar që industria e turizmit është një fushë e rëndësishme për të bërë biznes, si dhe me perspektivë të madhe në Shqipëri, një vend me një vijë bregdetare të gjatë dhe shumë të bukur dhe kam besuar se shumë shpejt, përmirësimi i infrastrukturës rrugore do ta bëjë këtë degë të rëndësishme, një nga degët më fitimprurëse për ekonominë shqiptare.
Sa ka qenë norma e kthimit në investimin tuaj në sektorin e turizmit në krahasim me sektorët e tjerë ku operoni?
Norma e rikthimit të investimit në fushën e turizmit llogaritet pas 7 vitesh aktivitet. Investimi te Palace hotel në Durrës, është shumë serioz, shumë cilësor dhe i pëlqyeshëm për klientët. Hoteli ka filluar punë në korrik 2013 d.m.th gati 3 vjet, që do të thotë së duhet të kisha rikthyer gati gjysmën e investimit, gjë që nuk ka ndodhur, për shkak të mungesës së konkurrencës, pabarazisë në çmime, mungesë incentivash dhe sidomos pagesa shumë e lartë e TVSH prej 20%.
Cilin target turistësh synoni dhe cilat janë paketat që ofroni ndaj tyre?
Në hotel Palace & Spa Durrës, klientët vijnë pothuaj nga shumë vende të botës me booking, por më shumë vijnë nga Italia, Gjermania, Kosova, Maqedonia nëpërmjet agjencive turistike me rezervime online etj. Aplikohen paketa të ndryshme ofertash në raste festash etj.
Si ka qenë ecuria gjatë viteve që ju e administroni këtë resort?
Ecuria duhet konsideruar pozitive, nga viti në vit, të gjithë sektorët e hotelit kanë pasur rritje, në mënyrë të veçantë hoteleria, por dhe shërbimet e tjera kanë pasur rritje.
Si e shihni perspektivën e sektorit të turizmit dhe a mendoni të zgjeroheni edhe më shumë në këtë drejtim?
E shoh me shumë interes sektorin e turizmit, më pëlqen ky lloj biznesi, pasi vendi ynë ka filluar të bëhet një atraksion shumë pozitiv për të huajt dhe nga pikëpamja e administrimit, është më i kontrollueshëm, për këtë arsye kompania ime ka dhe dy projekte të reja për të investuar, një në Vlorë dhe një tjetër në Tiranë.
Projekti i Vlorës do të jetë ndoshta një nga projektet më të mira për hoteleri turizëm në zonën e Vlorës. Ky projekt nuk është thjesht për të ndërtuar pallate dhe objekte për shitje, por një resort kompleks me hotele rezidenca komplementare të dy hoteleve me një nyje për ankorim jahtesh bare restorante dhe shërbime te tjera.
Përveç dëshirës për të bërë gjëra të bukura në bregdetin tone, jemi nxitur dhe nga ambienti për të investuar ne fushën e turizmit i cili me një kujdes më të madh të qeverisë dhe institucioneve shtetërore mund të shndërrohet në një nga sektorët me fitimprurës. Por qeveria ka bërë pak për të mos thënë aspak për ti orientuar investimet drejt hotelerisë. Asnjë kërkesë e biznesit e adresuar në këtë sektor nuk është përfillur nga të gjitha qeveritë.
Çfarë politikash duhet të ndjekë qeveria që të nxisë sektorin e turizmit dhe investimet drejt tij?
Duhet bërë më shumë në fushën e turizmit. Së pari, kërkohet që ky sektor të mbështetet me politika që të lehtësojnë këtë sektor jetik për ekonominë. Jemi vendi që paguajmë TVSH më të lartë në rajon prej 20%, kur vendet e rajonit e kanë nga 5-8%! Kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon dhe mungesë certifikimi dhe kualifikimi për stafet që duhet të shërbejnë në hoteleri turizëm!
Qeveria shqiptare duhet t’i kthejë sytë nga industria e hotelerisë, jo duke shkuar vetë në plazh dhe me pushime, por duke menduar për ta bërë këtë industri të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.