Kryeministrja serbe, Ana Brnabic, deklaroi se e vetmja mundësi për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për Serbinë, është që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, duke shtuar se vendi nuk ka një plan B.
Duke folur në panelin “Yes, but”, të organizuar nga EURACTIV Serbia, Brnabic theksoi se ky është prioriteti kryesor strategjik i Serbisë në politikën e jashtme”. Ekonomikisht, ne jemi tashmë pjesë e Bashkimit Europian dhe kulturalisht, gjeografikisht dhe historikisht, jemi pjesë e kontinentit europian dhe familjes europiane. Në fund të fundit, nuk mendoj se kemi një plan B”, tha kryeministrja.
Brnabić shtoi se Serbia ka hapur dy nga pesë grupet e negociatave për anëtarësim në BE dhe se shpreson se do të hapë një tjetër deri në fund të vitit.
“Më duhet të them se rruga është shpesh më e rëndësishme se vetë destinacioni. Ndryshimet që ne zbatojmë për t’u bërë pjesë e BE-së, në radhë të parë, po i bëjmë sepse janë të mira për qytetarët, ekonominë dhe shoqërinë tonë”, theksoi kryeministrja.
Ajo tha se Bashkimi Europian është projekti më i suksesshëm i paqes në historinë e njerëzimit dhe “nëse dikush duhet të jetë pjesë e këtij procesi paqësor, sigurisht që është Ballkani”.
Brnabić nënvizoi se procesi i anëtarësimit është një punë shumë e ndërlikuar dhe burokratike.
“Parapëlqej të flas për procesin e anëtarësimit përmes tre shtyllave kyçe, që janë administrata publike, sundimi i ligjit dhe ekonomia. Duke reformuar ato shtylla, ne do të reformojmë vendin dhe shoqërinë”, tha kryeministrja.
Sipas saj, Serbia ka bërë përparimin më të madh në ekonomi dhe deklaroi se borxhi publik tani është 51.4%, papunësia është nën 9% dhe deficiti buxhetor me shumë gjasa do të jetë 2.8%. Në të njëjtën kohë, ajo deklaroi se paga mesatare në Serbi dalëngadalë po i afrohet standardit të Bashkimit Europian.
“Ne kemi bërë shumë në shtatë vitet e fundit dhe prezantimi i qeverisjes elektronike është veçanërisht i rëndësishëm, sepse tani kemi një qeveri plotësisht transparente dhe të aksesueshme për qytetarët 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, 365 ditë në vit, si dhe një qeveri që lufton korrupsionin”, tha kryeministrja, e cila shtoi se ka ende gjëra që duhen bërë në këtë fushë.
Duke folur për shtetin e së drejtës, ajo tha se ende duhen bërë shumë reforma, duke përfshirë zbatimin e plotë të strategjisë së medias, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare.
“Më duhet të theksoj se ne i kemi zbatuar plotësisht ato reforma, të cilat i konsideroj më të ndërlikuarat. Këtu përfshihet edhe Reforma në Drejtësi.
Ne ndryshuam Kushtetutën tonë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, për të siguruar që sistemi gjyqësor të jetë plotësisht i pavarur nga çdo ndikim politik”, tha kryeministrja e Serbisë. Brnabic theksoi se ka edhe dy probleme të tjera që qëndrojnë midis Serbisë dhe anëtarësimit të saj: normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën dhe çështja e sanksioneve kundër Rusisë.
“Kosova nuk është një sfidë që varet vetëm nga ne. Fatkeqësisht, në 24 muajt e fundit, sidomos vitin e kaluar, kemi pasur tensione të vazhdueshme, provokime dhe paqëndrueshmëri. Qeveria, me mbështetjen e madhe të presidentit Aleksandër Vuçiç, po përpiqet ta bëjë situatën sa më paqësore dhe të qëndrueshme”, tha Brnabic, duke i quajtur problemet që lindin, një burim “shqetësimi të vazhdueshëm”.
“Por në përgjithësi, nëse doni të bëheni pjesë e klubit, ai mund të ndryshojë kushtet e anëtarësimit. Mund të jesh i zhgënjyer dhe i pakënaqur për këtë, por nëse dëshiron të bëhesh pjesë e klubit, duhet të respektosh rregullat e tij”, tha Brnabić./ EURACTIV.rs