Hendeku i kreditimit të ekonomisë po ngushtohet në dy vitet e fundit. Në analizat e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me rritjen ekonomike, duke e shtuar eventualisht rreziqet sistemike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e dytë 2020 hendeku raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -7.1 pikë përqindje. Ndonëse ngelet negativ, ky hendek u ngushtua për të gjashtin tremujor radhazi. Në tremujorin e parë, hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte 9.85 pikë përqindje, ndërsa në tremujorin e dytë 2019 kishte qenë -11.14 pikë përqindje. Zbutja e vlerës negative të treguesit reflekton tkurrjen e aktivitetit ekonomik në tremujorët e fundit, por paralelisht edhe qëndrueshmërinë e rritjes vjetore të kredisë për ekonominë, me kontribut kryesor nga kreditimi i ndërmarrjeve.
Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit. Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje.
Si plotësues të treguesit parësor, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.
Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë.
Edhe treguesit plotësues dëshmojnë vijueshmëri në prirjen rritëse të kredisë, sidomos të asaj për pasuri të paluajtshme, por me një ritëm më të ulët krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.