Banka e Shqipërisë vlerëson se vitin e kaluar shqiptarët kryen mesatarisht 21 pagesa elektronike për frymë.
Shifrat tregojnë se përdorimi i pagesave elektronike është rritur me ritme të shpejtë në vitet e fundit. Në vitin 2022, numri i pagesave elektronike kishte qenë 17 për frymë (për popullsinë në moshë mbi 15 vjeç), ndërsa në vitin e pandemisë, 2020, pagesat elektronike ishin mesatarisht vetëm 9 për frymë. Krahasuar me një dekadë më parë, ky tregues është rritur me pothuajse 10 herë.
Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël 2018-2023 kishte vendosur si objektiv që pagesat elektronike të arrinin në 10 për frymë brenda vitit 2023, por rritja ka qenë e shpejtë dhe përdorimi mesatar i pagesave elektronike është ka rezultuar më shumë se dy herë më i lartë, krahasuar me objektivin e vendosur.
Pagesat elektronike përfshijnë të gjitha pagesat e kryera e kryera nëpërmjet kanaleve elektronike të pagesave të ofruara nga sektori financiar dhe përfshijnë kryesisht veprimet me kartë pagese dhe transaksionet e kryera nëpërmjet internet banking dhe mobile banking.
Vlerësohet se përfshirja financiare e shqiptarëve është rritur ndjeshëm dhe rreth 70% e popullsisë zotëron një llogari pagesash, nga 40% që ishte ky tregues një dekadë më parë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare të internet banking vitin e kaluar arriti në 7.67 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.1% ose me 1.4 milionë veprime më shumë. Që prej vitit 2019, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 120%. Kufizimet e lidhura me pandeminë sollën një vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë që ofron sektori bankar në vend. Tendenca rritëse veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë. Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë.
Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin vitin e kaluar arriti në pothuajse 1.1 milionë mijë, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Ndërkohë, gjithmonë sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 numri total i veprimeve të kryera me kartë arriti në 37.3 milionë, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë në bankomate, numri dhe pesha e veprimeve jo cash me kartë po rritet me ritme të shpejtë. Pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) vitin e kaluar arritën në pothuajse 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej në 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2023 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.