Bujqësia shqiptare është më e nënfincuara nga sektorët e tjerë prej fondeve publike edhe pse kontribuon gati në 40% tëpunësimit dhe rreth 19% të PBB-së. Por edhe ato fonde që buxheti i shtetit akordon nuk arrihen të përdoren dhe pikërisht për këtë fakt, ndodh që më së shumti Ministrisë së Bujqësisë t’i shkurtohen në mes të vitit.
Ministria e Financave vërejti se gjatë 4-mujorit të parë, Ministria e Bujqësisë kishte shpenzuar vetëm 8% në krahasim me planin 4-mujor. Konkretisht, sipas programeve përqindja e realizimit paraqitet: Programi “Planifikim menaxhim administrimi” në masën 22.2%, programi “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit” në masën 14.9%, programi “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” në masën 9.1%, programi “Zhvillimi Rural”, në masën 2.6%, programi “Këshillimi dhe Informacioni Bujqësor” në masën 23%, programi “Menaxhimi qëndrueshëm i tokës bujqësore” në masën 2.6%, dhe programi “Mbështetje për Peshkimin” në masën 7.6%.
Për sa u përket shpenzimeve kapitale, përqindja e realizimit është përgjithësisht jo e mirë dhe vihet re realizimi me përqindje të ulët. Për programet “Zhvillimi rural duke mbështetur Prodhimin Bujqësor Blegtoria, Agroindustria dhe Tregjet” dhe “Planifikim menaxhim administrimi”, nuk ka fare realizim. Nuk identifikohet arsyeja e mbetjes në pritje të pagesës për pajisje zyre dhe kompjuterike. Ndërsa lidhur me rikonstruksionin e ambienteve të MBZHR është në proces prokurimi.
Totali i shpenzimeve korente për 4-mujorin e vitit 2019, në krahasim me planin është realizuar në masën 19%, kjo përqindje tregon për një nivel të ulët realizimi.
Në programin “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, vërehet se nuk ka konsistencë midis shifrave të vendosura në tabelën e anekseve me ato të vendosuara në analizën narative. P.sh. “Mbrojtja e shëndetit të kafshëve të imëta nëpërmjet vaksinimit kundër sëmundjes së Brucelozës për vitin 2019 dhe në vijim, bazuar në programin e kontrollit të Brucelozës në të Imëta do të kryhet vaksinimi vetëm i kafshëve të remontit.
Gjithashtu, në analizën e këtij programi mungon ecuria faktike lidhur me 4-mujorin, (sa nga këto produkte të planifikuara për vitin 2019 janë realizuar për 4-mujorin e parë) duke mos specifikuar në këtë mënyrë ecurinë e deritanishme por flitet vetëm për angazhimet e planifikuara për vitin 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.