“Në gamën e produkteve që ne shesim, kozmetika është e para dhe zë peshën më të madhe të volumeve që ne bëjmë”, thotë Diamant Fiku, menaxher i përgjithshëm i filialit të kompanisë gjermane LR në Shqipëri, e cila pak ditë më parë shpërndau në Tiranë 14 makinat e para LR POLO për bashkëpunëtorët dhe partnerët e vet.
Sipas tij, janë pikërisht grupi 30-35 vjeç ato që i kushtojnë më shumë rëndësi kujdesit për veten dhe që kanë edhe buxhetet për të përballuar kostot.
Nga një vlerësim i bërë nga kompanitë më të mëdha që veprojnë në këtë treg në vend, konsumatorët shqiptarë (që mbeten kryesisht femrat) shpenzojnë nga 5 deri në 15% të buxhetit të tyre familjar për t’u kujdesur për veten. Kjo shifër mbetet e lartë krahasuar me peshën e shpenzimeve në vende të tjera si p.sh. Kroacia. Për produktet kozmetike në Kroaci mund të shpenzohet disa herë më shumë në vlerë, por pesha e tyre në të ardhurat e familjes është më e ulët. Krahasuar me vendet fqinje si Maqedonia apo Kosova, shpenzimet paraqiten në të njëjtat nivele. Konsumatoret më të mëdha të produkteve kozmetike me rreth 65 për qind janë femrat, ndërsa meshkujt janë më të dhënë pas produkteve higjienike, sesa pas kozmetikës. Ajo që vërehet nga të dhënat është rënia ndër kohë e volumit të artikujve higjienikë në përdorim, ku futen sapuni, shampot dhe detergjentët e tjerë larës, ata dezinfektues dhe produktet klorifikuese, në një kohë që përdorim gjithmonë e më të madh kanë parfumet, kremrat për fytyrën, bojërat e flokëve dhe solucionet e makijazheve për femrat. Për sa i përket cilësisë, sipas raportit, gama e madhe e produkteve që hyjnë nga mjaft vende të botës lë hapësira të mëdha zgjedhjeje si në çmim, edhe në kualitet, por problem i madh mbeten produktet pirate ose false.
Sipas menaxherit të LR-së, interes të veçantë ka edhe për suplementet ushqimore, që kanë elementë kurativë dhe këtu fasha e blerësve është e një moshe më të madhe, kryesisht mbi 50 vjeç.
“Ne kemi në treg edhe një mori produktesh me vlera kurative, kryesisht me bazë aloe vera, të cilat kanë pasur një ecuri të mirë. Janë të dytat për nga niveli i shitjeve në kompaninë tonë”, thotë z. Fiku.
Sot, markat më të njohura në tregjet ndërkombëtare dhe emrat e kompanive më të mëdha ndërkombëtare të prodhimit të produkteve kozmetike janë tashmë të njohura pothuajse në të gjithë tregun shqiptar.
Sipas të dhënave nga dogana, importi i produkteve kozmetike gjatë 2011-s arriti në 5.1 miliardë lekë, rreth 13.5% më shumë se një vit më parë. Tendenca e importit të këtyre produkteve ka ardhur në rritje, çka flet për rritje të këtij biznesi në vend.
“Etja” në treg për këto produkte ka bërë që bizneset në këtë sektor të shtohen dukshëm vitet e fundit. Forma të ndryshme tregtie (nga shitjet direkte të produkteve LR apo “Avon” dhe deri te një formë e tregut masiv) kanë bërë që në tregun e kozmetikës të ketë vend për të gjitha produktet. Përfaqësitë që kanë marrë ekskluzivitetin, por dhe tregtarë të thjeshtë, duket se po ecin mirë në tregun e bukurisë.
“Kemi arritur në 2011-n një xhiro prej 2 milionë eurosh, megjithëse hymë në treg në muajin gusht. Për këtë vit kemi parashikuar dyfishim të xhiros, duke arritur në 4 milionë euro”, thotë z. Fiku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.