RRF Bulgaria Equity është një mandat prej 180 milionë eurosh, i financuar nga Institucioni Bullgar i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.
Republika e Bullgarisë i ka besuar Fondit Europian të Investimeve (EIF) këtë mandat për të ofruar financim të kapitalit për rritjen, inovacionin dhe investimet në objektivat e klimës dhe transformimin dixhital për ndërmarrjet bullgare që janë prekur më shumë nga ndikimi afatgjatë negativ ekonomik i krizës COVID-19.
Fondi i menaxhuar nga EIF do të investojë në mbështetjen e projekteve të transferimit të teknologjisë, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), për të nxitur inovacionin dhe për të ndihmuar kalimin në një ekonomi dixhitale. Ai gjithashtu mund të financojë investime të kapitalit (si projektet e infrastrukturës), që mbështesin objektivat e klimës dhe transformimin dixhital.
Alexander Pulev, ministër i Inovacionit dhe Rritjes në Republikën e Bullgarisë, tha: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ne po u japim dritën e gjelbër 180 milionë eurove që do të investohen në ndërmarrjet bullgare dhe kjo shumë mund të kalojë lehtësisht shifrën 200 milionë euro nëpërmjet investimeve private që do të tërheqë.
Ne po i delegojmë një përgjegjësi të madhe partnerit tonë afatgjatë, EIF, për të mbështetur bizneset bullgare në përpjekjet për zhvillim dhe zgjidhje inovative, duke rritur konkurrencën e tyre, për të arritur tregje të reja, dhe për të pasur efikasitet në energji dhe në përmbushjen e objektivave të klimës.
Një përfitim i konsiderueshëm i financimit aktual është gjithashtu shtrirja e gjerë e mbulimit të kompanive në fazat e ndryshme të zhvillimit dhe të sektorëve ekonomikë”.
Nënkryetarja e BEI-t, Lilyana Pavlova, tha: “BEI dhe EIF kanë bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm me qeverinë bullgare. Bashkëpunimi i ngushtë ka mundësuar zhvillimin e nismave të reja të financimit, që do të sigurojnë që bizneset në mbarë Bullgarinë, të përfitojnë nga skema e rimëkëmbjes.
Ne jemi të përkushtuar që të mbështesim rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia dhe tranzicionin e gjelbër në të gjithë Europën, duke maksimizuar ndikimin e investimeve të reja të mbështetura nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.
Bullgaria ia ka besuar Grupit BEI këtë mandat, në përputhje me Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.