Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Isa Mustafa vendosi sot që të çojë për miratim Kuvendit projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me të ardhura 1 miliard e 576 milionë euro.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare këtë javë, por ende nuk dihet se kur mund të mbahet seanca në të cilën do të miratohet buxheti për vitin 2015.
“Në seancën tjetër, pikë e rendit të ditës do të jetë aprovimi i buxhetit për vitin 2015″, ka thënë Adem Grabovci, deputet i PDK-së, shkruan Telegrafi.
Edhe partitë opozitare shtrojnë nevojën për shqyrtimin sa më të shpejtë të buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Për vitin 2015, të ardhurat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, (apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014)”, ndërsa “shpenzimet e përgjithshme për vitin 2015 pritet të jenë në nivelin prej 1miliard e 682 milionë euro, që paraqet një rritje rreth 6% krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve në vitin 2014”- thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.