Për kompaninë CEZ, e cila menaxhon mbi 1 milion fatura në një terren të vështirë, ku gjysma e vendit jeton në fshat dhe me mentalitet të vjetër faturistësh,
është e vështirë të japë rezultatet maksimale. Shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike është duke punuar për të rritur performancën dhe për të ulur sa më shumë numrin e ankesave,
të cilat në një periudhë të caktuar, arritën rekordin kryesisht për mbifaturim.
Gazeta “Shqip” ka mundur të sigurojë një kopje të letrës që drejtuesit e lartë të CEZ-it, duke nisur nga shefi kryesor, Jaroslav Macek, deri te kreu i Shpërndarjes,
Admirim Lakra, i kanë dërguar faturistëve, kategorisë së punonjësve që lexojnë të dhënat e sahatit.
Letra përmban tone presioni dhe paralajmërimi për largim nga puna për ata që nuk tregohen korrektë me konsumatorin, sikurse i jepet mundësi cilido punonjësi për rritje rroge, në rast se paraqet seriozitet maksimal.
“Gjatë kësaj periudhe, ndaj shumë prej jush janë marrë masa disiplinore dhe disa punonjës janë pushuar për performancë të dobët dhe në disa raste,
për përfshirje në afera korruptive. Kini parasysh se çdo moskorrektësi në kryerjen e detyrës suaj (mbifaturim, nënfaturim i qëllimshëm etj.)
do të mbikëqyret dhe do të pasohet nga masat përkatëse në përputhje me procedurat e departamentit të burimeve njerëzore të kompanisë”,
thuhet në letër. Siç duket qartë, CEZ pranon se punonjësit e saj, kategoria e faturistëve, e kanë ushtruar detyrën, një pjesë, për qëllime përfitimi, duke dëmtuar abonentin (konsumatorin), dhe natyrisht dhe vetë kompaninë.
“Ju do të jeni nën vëzhgim, si dhe kontrolle të vazhdueshme do të zbatohen në mënyrë që të përmirësohen proceset e punës dhe për të plotësuar objektivat afatshkurtra të kompanisë”, vijon më tej letra.
Kompania synon të gjejë mënyra dhe forma të tjera për të rritur të ardhurat e punonjësve të saj. “Projekti i shpërndarjes së faturave të energjisë nga ana e lexuesve ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi të ardhurat tuaja.
Ne jemi të bindur se performanca e kompanisë dhe veçanërisht performanca juaj do të çojë në rezultate më të mira, duke filluar nga ky moment”, përfundon letra me firmën e tre drejtuesve kryesorë të CEZ-it.
Rritja e të ardhurave konsiston në ngarkimin e dy punëve njëherësh për një punonjës, i cili paralelisht me leximin e sahatit, të shërbejë edhe për dorëzimin e faturës, kryesisht në zonat rurale dhe malore.
Kompania CEZ numëron rreth 600 faturistë dhe nga muaji qershor i vitit 2011 deri në mars 2012, ka larguar nga puna rreth 90 persona.
Sakaq, mësohet se janë paralajmëruar për largim nga puna rreth 160 faturistë, 20 për qind e punonjësve, kurse kanë marrë vërejtje 260 të tjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.