Çfarë po ndodh me taksën e re të pronës

26/10/2019 10:08 PM 0 komente

Taksa e re e ndërtesës, me formulën që ka në bazë vlerën e tregut, ka 18 muaj që ka hyrë në fuqi. Bashkitë janë ende në tranzicion, duke e aplikuar këtë taksë sipas situatës, ku në disa raste zbatohet formula që përcakton metodologjia e re, e në të tjera aplikohet aforfeja. Zgjedhjet vendore ulën ritmin e bashkive për të saktësuar të dhënat. Bashkia më e madhe në vend, Tirana, po vazhdon me formulën e vjetër, ndërkohë që agjenti i saj, ujësjellësi ka nisur një fushatë për të nxitur vetëdeklarimin. Teksa projekti për regjistrin qendror të Kadastrës Fiskale ka renditur 1.3 milionë pasuri, bashkive do t’ju duhet të kalojnë një kohë të mirë në tranzicion, duke punuar paralelisht me regjistrin qendror dhe atë të agjentëve.

 

Nga Nertila Maho

 

Thuajse 18 muaj nga hyrja në fuqi e taksës së re të ndërtesës me një metodologji që ka në bazë vlerën e tregut, bashkitë në të gjithë vendin janë në përpjekje për të plotësuar bazën e tyre të të dhënave, ende e paplotë. Kjo ka bërë që një pjesë e llogaritjes së taksës të bëhet në formë aforfe dhe një pjesë tjetër mbi bazë të metrave katrorë të saktë për ndërtesat. Paralelisht me këtë, është puna e projektit ProTax-i, i cili synon ngritjen e sistemit të Kadastrës Fiskale që pritet të jetë gati sipas parashikimeve në fund të vitit 2020.

Përmes këtij projekti synohet që jo vetëm të bëhet saktësimi i regjistrit të plotë për pasuritë në të gjithë territorin e vendit, por edhe integrimi i metodologjisë për përllogaritjen e taksës për çdo pasuri. Ajo që konstatohet sot, më shumë se një vit e gjysmë nga nisja e zbatimit, është fakti që taksa e ndërtesës vijon të mbetet në një fazë tranzicioni, ku bashkitë mbeten peng i informacionit të cunguar që kanë nga terreni, ndërkohë që agjentët e përzgjedhur për të arkëtuar këtë taksë, që janë ujësjellës-kanalizimet, kanë ndikuar pozitivisht te rezultati i arkëtimeve, pasi kjo erdhi në një kohë me fushatën kundër informalitetit në sektorin e ujit.

Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë treguan se në vitin 2018, “faturimi total i sasisë se ujit të prodhuar në nivelin 36% paraqet trend në rritje. Aksioni për vendosjen e matësve për të gjitha kategoritë e klientëve ka bërë që niveli për “Faturimin e matur” të jetë përmirësuar me 1,5% në krahasim me vitin e kaluar”. Kjo do të thotë që, me rritjen e familjeve që kanë hyrë në sistemin e ujësjellësve, është rritur edhe baza e taksapaguesve që e paguajnë taksën e ndërtesës.

 

Tirana, ende me taksën e vjetër, UKT u kërkoi qytetarëve të bëjnë vetëdeklarim

Në muajin gusht, qytetarëve të Tiranës, fatura e ujësjellësit u ka shkuar me një vlerë 100 lekë si taksë ndërtese. Është formula e vjetër e taksës që parashikon 100 lekë çdo muaj, apo në total 1200 lekë. Ujësjellësi, si agjent i përzgjedhur nga Bashkia, njoftoi në gusht që qytetarët duhet të bënin vetëdeklarimin lidhur me banesën e tyre. Në momentin që qytetari shkon në sportelet e UKT, njoftohet edhe për taksën që duhet të paguajë sipas formulës së re të taksimit. Sipas njoftimit që bëri më herët UKT, vetëdeklarimi mund të bëhej me një kopje të kartës së identitetit, certifikatën e pronësisë me kartelën e pasurisë/ kontratë shitblerje, dhurimi ose shkëmbimi / akt privatizimi apo vetëdeklarimi të ALUIZNI-t, rivlerësim të fundit të pasurisë, nëse ka, dhe librezën e ujit apo një faturë UKT.

Vetëdeklarimi pranë pikave, sipas afatit të UKT, mund të bëhej deri më 15 shtator, ndërkohë që mbetet i hapur opsioni i vetëdeklarimit në faqen online të ujësjellësit. Paralelisht me këtë proces, UKT njoftoi se do të niste verifikimet në terren për të pasuruar sistemin me të dhënat e detajuara për banesat në kryeqytet. Nga detyrimi për të paguar këtë taksë, do të jenë të përjashtuara banesat sociale; ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre; ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetёm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetёm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë; ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

 

Zgjedhjet ulën ritmin për verifikime, kryebashkiakët e rinj pak ndryshime në stafe

Zgjedhjet e 30 qershorit angazhuan arsenalin e gjithë bashkive në funksion të fushatës, duke humbur fokusin nga disa detyra prioritare. Por edhe pse pati një lloj përgjumje para tyre, duket se pas zgjedhjeve ka rinisur puna. Burime pranë bashkive thanë se janë të paktë ata kryebashkiakë që kanë bërë lëvizje në stafet e tyre në përgjithësi e aq më pak në pjesën që i takon asaj të taksave. Lëvizjet kanë qenë vetëm në nivel drejtorësh, ku të paktën në dy raste ka pasur kallëzime penale, kurse në një pjesë të mirë specialistët, që edhe janë trajtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, kanë mbetur të pandryshuar. Në rastet e pakta të ndryshuar, stafeve ju janë lënë kredencialet për logimin në sistemin e ngritur.

Mosarkëtimin në potencial si efekt edhe i situatës zgjedhore e nënvizon edhe kreu i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, i cili rendit edhe një sërë arsyesh të tjera. “Mbledhja e kësaj takse është një e ardhur shumë e mirë për buxhetin e bashkive. Deri më tani, nuk ka pasur rezultate edhe shumë të mira për disa arsye. Së pari, mungesa e kadastrës fiskale, pra sistemit të plotë të saj, paqartësitë mbi të dhënat e pronave, mungesë vullneti për të bashkëpunuar mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore, aftësitë jo të mjaftueshme nga vendorët për zbatimin e metodologjisë së re, situata politike dhe periudha zgjedhore, si dhe ndryshimet potenciale kanë krijuar një mjedis jo të qëndrueshëm për eficencën e taksës” – shprehet ai.

 

Bashkitë aplikojnë taksën sipas mundësisë, Korça 80% të bazës me vlerë tregu

Bashkitë në vend kanë punuar për plotësimin e bazës së të dhënave me metrat e saktë katrorë. Bashkia e Korçës raporton se të paktën 80% të kësaj baze e ka të plotësuar saktë, çka i jep mundësinë të taksojë me metodologjinë e re.

“Faturim aforfe bëhet vetëm për ato ndërtesa në njësitë administrative për të cilat nuk disponohet dokumentacion, apo për të cilat nuk kemi asnjë të dhënë” – shprehet Sotiraq Filo, kryebashkiak i Korçës. Mosinformimi i qytetarëve në disa raste bën që pagesa të bëhet në formën e vjetër.
Jeton Puka, këshilltar ekonomik pranë Bashkisë së Vlorës, sqaron se një pjesë e mirë do të përfitonin ulje, nëse do të bënin vetëdeklarimin, pasi taksa rezulton më e ulët, por fakti që nuk paraqiten, i penalizion ata me aforfe, që ka një vlerë më të lartë. “Në qytetin e Vlorës, aforfe paguhet 3100 lekë në vit, duke e ndarë në këste të barabarta mujore, dhe për çdo njësi administrative ka vlera në bazë të VKM. Me taksën e re, një apartament, në një pallat të vjetër para vitit 1993, do të paguante më pak” – sqaron ai.

 

Treguesit fiskalë, taksa e ndërtesës në gusht 2019, më dobët se vitin e shkuar

Teksa pushteti vendor synon që taksa e pronës t’i shërbejë si një frymëmarrje për financat e veta, me një mundësi arkëtimi më të lartë të saj treguesit fiskalë të 8-mujorit 2019 reflektojnë një situatë jo dhe aq optimiste. Të paktën jo në raport me vitin 2018, kur nisi për herë të parë zbatimi i taksës. Deri në fund të gushtit, në zërin e taksës së pasurisë (ndërtesës) janë arkëtuar 3.82 miliardë lekë, me një rënie 1.8% në raport me një vit më parë. Kjo duket se lidhet me faktin që deri në prill 2018, bizneset dhe individët kanë paguar taksën me formulën e vjetër. Pavarësisht kësaj, 8-mujori 2019 mbetet periudha me ecurinë më të mirë pas asaj të vitit 2018 në dhjetë vitet e fundit.

 

 

Si taksohet sot një ndërtesë apo njësi pronësore

Taksimi për ndërtesat apo njësitë pronësore sot, sipas kuadrit ligjor, bëhet në bazë të disa specifikave. Së pari, duhet pasur parasysh çfarë kategorie ndërtese është ajo, apo funksioni që kryen; së dyti, nëse është ndërtim i para vitit 1993 apo pas vitit 1993 dhe në çfarë zone ndodhet. Me një vendim të veçantë, atë 132, qeveria përcaktoi një vit më parë edhe çmimet referencë që do të mbahen parasysh për të llogaritur vlerën e një banese në treg. Çdo njësi, që të ketë një taksë të përllogaritur sipas metodologjisë së re, duhet të ketë të plotësuar specifika të tilla, si sipërfaqja, zona ku ndodhet dhe normalisht funksionin e saj.

Vlera e pasurisë llogaritet duke shumëzuar çmimin për metër katror i përcaktuar në VKM-në e qeverisë me sipërfaqen e njësisë pronësore. Taksa llogaritet sa 0.05% e kësaj vlere. Për ndërtesat e ndërtuara para vitit 1993, apo ato që konsiderohen si apartamente të vjetër, çmimi për metër/katror llogaritet sa 70% e atyre referencë të përcaktuar në vendimin e qeverisë. Ndërtesat që shërbejnë për veprimtari ekonomike, nga ana tjetër, do të taksohen në vlerën 0.2% të vlerës së tregut që ka njësia e tyre pronësore.

 

INTERVISTAT

Jeton Puka, Këshilltar Ekonomik, Bashkia e Vlorës

 

“Po zbatojmë rast pas rasti formulën e re ose aforfenë”

 

Bashkia e Vlorës po punon paralelisht me dy opsione lidhur me taksën e ndërtesës. Për ato pasuri që disponohen të dhënat e sakta mbi metrat katrorë po aplikohet formula e re, teksa aforfeja po zbatohet në rastet kur nuk gjenden këto të dhëna.

Jeton Puka, Këshilltar Ekonomik pranë Bashkisë së Vlorës, në një intervistë për “Monitor”, nënvizon se të ardhurat nga familjarët nga kjo taksë janë rritur, edhe si efekt i zgjerimit të bazës së taksapaguesve. Rol në këtë ka luajtur, sipas Pukës, aksioni i uljes së informalitetit në sektorin e ujit ku, ujësjellësi që është agjenti që arkëton taksën, ka futur më shumë familje në skemë.

Si ka qenë ecuria e arkëtimit të taksës së pronës në Bashkinë e Vlorës për vitin 2019, duke qenë se ka të paktën 18 muaj që ka hyrë në fuqi metodologjia e re?

Bashkia e Vlorës ka vijuar me arkëtimin e taksës së ndërtesës dhe referuar analizës që kemi zhvilluar për treguesit e 8-mujorit na rezulton se të ardhurat e kësaj takse nga familjarët për 8-mujorin 2019 janë rritur disa herë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra nëse për janar-gusht 2018, të ardhurat ishin 21 milionë lekë për 8-mujorin 2019 kemi 72 milionë lekë të arkëtuara vetëm nga familjarët. Duhet të kemi parasysh se rritja e arkëtimeve ka të bëjë edhe me faktin që vetë ujësjellësi që është agjenti ynë që mbledh këtë taksë, ka qenë i përfshirë në aksionin për uljen e informalitetit dhe lidhjeve të jashtëligjshme. Përfshija në sistemin e tij e më shumë familjeve ka dhënë efekt direkt edhe tek arkëtimet e taksës së ndërtesës.

Ujësjellësi është agjenti juaj për mbledhjen e taksave. Si rezulton baza e të dhënave lidhur me ndërtesat, si po veprohet për popullimin e saktë të regjistrit?

Për qytetarët është ujësjellësi si agjent, kurse për bizneset është Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në bashki. Ne si Bashki kemi nisur zbatimin e formulës së re ligjore që nga korriku i vitit të shkuar. Për ato ndërtesa që kemi detajet e nevojshme, që lidhen me metrat katrorë, po aplikohet taksa e re. Përpiqemi që të dhënat e sakta t’i sigurojmë nga hipotekat por edhe vetëdeklarimi. Për pjesën që nuk kemi të dhëna mbi metrat, vijohet me faturimin aforfe. Baza e të dhënave që ka ujësjellësi na jep mundësinë që të shtojmë detaje të tjera që lidhen me formulën, siç janë metrat katrorë apo viti i ndërtimit i banesës. Inspektorët tanë, në bazë të vetëdeklarimeve dhe të dhënave të mbledhura në terren, kanë akses në sistem dhe hedhin këto të dhëna. Gjithsesi, duhet ta pranojmë se janë hedhur ende shumë pak të dhëna.

Aktualisht është një sistem që po ngrihet nga projekti që mbështetet nga pala suedeze dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, si koordinoheni me këtë sistem, duke qenë se referencë është baza e ujësjellësit?

Sistemi që po ngrihet është shumë i mirë, por nuk ka lidhje teknike me agjentët. Ne si bashki kemi akses, marrim dhe japim të dhëna, por problemi ynë është me agjentin. Ai përdor sistemin e vet. Të gjithë agjentët e bashkive, që në shumicën e rasteve janë ujësjellës, përdorin sistem komplet tjetër. Te këta të fundit, referencë për numrin e pronës është numri i kontratës së ujit, kurse në sistemin qendror që po ngrihet referencë, është numri unik i pronës. Sigurisht ne po përpiqemi që të kemi një saktësim të të dhënave dhe kemi shpërndarë formularë vetëdekalrimi. Çdo qytetar mund ta plotësojë dhe specialistët e hedhin më pas në sistemin e ujësjellësit. Gjithsesi, vetëdeklarimi vijon të mbetet i ulët. Qytetarët ende nuk janë të informuar që pjesës më të madhe u ulet fatura dhe vetëm një pjese të vogël i rritet. Pastaj, duhet të kemi parasysh që një pjesë e mirë e familjeve si pensionistët apo ata në ndihmë ekonomike janë përjashtuar nga këto taksa dhe tarifa në bazë të legjislacionit në fuqi.

Si faturohet aforfeja sot nga Bashkia e Vlorës, çfarë problematikash hasni në terren?

Në qytetin e Vlorës, aforfe paguhet 3100 lekë në vit, duke e ndarë në këste të barabarta mujore dhe për çdo njësi administrative ka vlera në bazë të VKM. Me taksën e re, një apartament në një pallat të vjetër para vitit 1993 do të paguante më pak. Gjithsesi, Vlora vuan edhe nga fakti që një pjesë e mirë e banesave janë shtëpi të dyta apo treta. Ne e shohim këtë nga mënyra sesi paguhen faturat, që zakonisht janë në korrik, gusht, shtator ose dhjetor, kur kthehen për pushime. Ka edhe një problematikë që na shfaqet me ndërtesat që janë në proces legalizimi, apo pa dokumentacion përkatës. Një pjesë e mirë e tyre refuzojnë të paguajnë, duke e argumentuar këtë me faktin që nuk kanë dokumente.

 

Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë së Korçës

 

“Baza e të dhënave për taksën e pronës, 80% e plotësuar”

 

Bashkia e Korçës ka të paktën 80% të bazës së saj të të dhënave për taksën e pronës të plotësuar, çka do të thotë se kjo pjesë paguan taksën sipas metodologjisë së re. Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, tregon se në terren po vijon puna për saktësimin e të dhënave që mbeten ende për t’u hedhur në këtë bazë. Lidhur me arkëtimet e taksës për 8-mujorin, Filo sqaron se ato ishin në vlerën 76 milionë lekë deri në fund të gushtit dhe për këtë jep edhe argumentet se pse ka diferencë në raport me vitin 2018.

Si ka qenë ecuria e arkëtimeve të taksës së pronës gjatë këtij viti?

Ecuria e arkëtimeve të taksës së pronës, gjatë vitit 2019, ka qenë në nivele të kënaqshme krahasuar me vitet paraardhëse, duke marrë parasysh lehtësitë fiskale që shoqëruan vitin 2018 në lidhje me këtë taksë. Në mënyrë krahasimore, duke analizuar periudhën 9-mujore të vitit 2018 me këtë të vitit aktual, jemi në raportet: arkëtime për vitin 2018, në vlerën 80,865,881 lekë dhe për vitin 2019, në vlerën 76,053,704. Në këto nivele arkëtimi ka ndikuar mënyra e taksimit:

a. një m² sipërfaqe e destinuar për banim deri në mars të vitit 2018 taksohej 12 lekë/ m² dhe prej prillit të vitit 2018 e në vazhdim, taksohet 22.9 lekë/ m².

b. një m² sipërfaqe e shfrytëzuar për biznes për aktivitet tregtie dhe shërbimi ishte 300 lekë/ m² dhe një m² sipërfaqe e shfrytëzuar për biznes për aktivitet prodhues ishte 150 lekë/ m², ndërsa prej prillit të vitit 2018 dhe në vazhdim, një m² sipërfaqe e shfrytëzuar për biznes për aktivitet tregtie dhe shërbimi ishte 137.4 lekë/ m² dhe një m² sipërfaqe e shfrytëzuar për biznes për aktivitet prodhues ishte 45.8 lekë/ m² .

Faturimi i taksës ka vijuar aforfe apo keni aplikuar metodologjinë e re sipas metrave katrorë dhe çmimit të referencës?

Bashkia e Korçës, në 80% të rasteve nuk e faturon taksën mbi ndërtesën aforfe, por mbi bazën reale të metrave katrorë, numrit të kateve mbi tokë, si dhe numrit të kateve nën tokë (bodrume). Është zbatuar me rigorozitet VKM Nr. 132, datë 7.3.2018 “Për metodologjinë e për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’ e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternative të detyrimit të taksës” dhe prej muajit prill të vitit 2018 e në vazhdim, përllogaritja e taksës mbi ndërtesën është bërë bazuar në VKM e sipërpërmendur. Faturim aforfe bëhet vetëm për ato ndërtesa në njësitë administrative, për të cilat nuk disponohet dokumentacion apo për të cilat nuk kemi asnjë të dhënë.

Si ka qenë ecuria e verifikimit në terren për ndërtesat në lidhje me sipërfaqet dhe popullimi i bazës së të dhënave?

Bashkia e Korçës ka një infrastrukturë të mirëpërgatitur për këtë taksë, duke shfrytëzuar të gjitha informacionet që disponon Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila ka përfshirë si informacionin mbi ndërtesat ekzistuese, informacionin mbi ndërtesat që janë në proces legalizimi, informacionin e disponuar nga zyra e urbanistikës, apo dhe informacionet që disponojnë institucione të tjera, siç janë Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime apo OSHEE. Verifikimet kryhen mbi bazën e kërkesave të qytetarëve, apo subjekteve për saktësimin e sipërfaqeve në mënyrën e taksimit. Deri në këto momente, databaza për taksën mbi ndërtesën është në masën 80% i plotësuar dhe po vazhdon puna për saktësimin dhe popullimin e të dhënave për këtë taksë për pronat në njësitë administrative.

 

Agron Haxhimali, kreu i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

 

“Nivelet e arkëtimit jo të mira, arsyet nga zgjedhjet te paqartësia”

 

Edhe pse prej të paktën 18 muajsh ka hyrë në fuqi taksa e re e ndërtesës, bashkitë mbeten mes faturimeve aforfe dhe metodologjisë së re. Kjo ka bërë që, për një pjesë të mirë të tyre, edhe pse rezultatet të jenë të mira, të jenë larg potencialit që përfaqëson ndryshimi i formulës së taksimit. Për kreun e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, arsyet për këtë mungesë eficence nisin nga aspektet elementare, si paqartësia që kanë qytetarët për atë çfarë ndodh deti te mungesa e bazës së saktë të të dhënave apo situata parazgjedhore dhe post-zgjedhore pa ndonjë angazhim serioz.

Si ka qenë ecuria e deritanishme e taksës së ndërtesës nga bashkitë në vend?

Mbledhja e kësaj takse është një e ardhur shumë e mirë për buxhetin e bashkive. Deri më tani nuk ka pasur rezultate edhe shumë të mira për disa arsye.

Së pari, mungesa e kadastrës fiskale, pra sistemit të plotë të saj, paqartësitë mbi të dhënat e pronave, mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore, aftësitë jo të mjaftueshme nga vendorët për zbatimin e metodologjisë së re, situata politike dhe periudha zgjedhore, si dhe ndryshimet potenciale kanë krijuar një mjedis jo të qëndrueshëm për eficencën e kësaj takse. Edhe pse po punohet për t’ju ardhur në ndihmë bashkive me programe IT dhe trajnime, sërish nuk pres që bashkitë të jenë në ditët më të mira të mbledhjes së kësaj takse. Një shqetësim që vjen nga baskitë është edhe fakti që qytetarët taksapagues ndeshen me kushtet e pamundësisë për të paguar, pasi niveli ekonomik i tyre është shumë i dobët.

Sa është potenciali i kësaj takse, nëse do të paguhej në të gjithë territorin dhe në një skenar optimist?

Parashikimet janë që me mbledhjen korrekte të taksës sipas metodologjisë së re të arrihet mes 50-70 milionë euro që është një nivel shumë i mirë dhe që do të ndihmonte buxhetet e dobëta të bashkive. Kjo do t’i fuqizonte më shumë ato në dhënien e shërbimeve për qytetarët.

Çfarë duhet të bëjnë bashkitë për të ndërgjegjësuar qytetarët që të paguajnë taksën, në kushtet kur nuk është e qartë ajo çfarë po ndodh?

Taksa e ndërtesës nuk është një taksë e re. Qytetarët dhe subjekte të ndryshëm e kanë paguar këtë taksë edhe më parë. Ajo që ka ndryshuar dhe duhet të dinë qytetarët është se ka ndryshuar metodologjia e taksimit të pronës. Pikërisht, këtu duhet të ketë vëmendje nga bashkitë që të informojnë. Deri më 1 prill 2018, taksa e ndërtesës llogaritej bazuar në sipërfaqen e ndërtimit në m² dhe me një çmim bazë për m², sipas zonave me VKM .
Duke filluar nga 1 prilli i vitit 2018, në të 61 bashkitë e Shqipërisë ndërtesat do të taksoheshin me një metodologji të re, që quhet taksim bazuar mbi vlerën e pronës.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre, lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës. Këshillat Bashkiakë kanë atributin që të caktojnë edhe agjentin për mbledhjen e kësaj takse, që deri tani janë shoqëritë e ujësjellës -kanalizimeve dhe që kryesisht janë për abonentët familjarë. Si nga ana e bashkive, ashtu edhe nga ana e shoqërive ujësjellës-kanalizime janë bërë njoftime dhe thirrje për vetëdeklarim, por kjo mbetet problem. Kjo e bën të nevojshme angazhimin e bashkive në informim më të gjerë të publikut. Duhet që përveç shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, t’ju jepet më shumë rol njësive administrative, të cilat janë më afër se çdo zyrë tjetër me qytetarët.

Bashkitë, në rastet kur nuk kanë të dhëna të sakta, po aplikojnë aforfenë a mund të sqarojmë se çfarë nënkupton kjo mënyrë taksimi?

Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
Në kushtet e mungesës së të dhënave nga burime zyrtare dhe vetëdeklarimit, metodologjia ka përcaktuar si zgjidhje:

Sipërfaqen e prezumuar. Nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e ndërtesës/njësisë pronësore, përdoren vlerat referuese për sipërfaqe, si më poshtë vijojnë: a) 100 (njëqind) metër katror sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim; b) 70 (shtatëdhjetë) metër katrorë sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim, të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar.

“Kadastra fiskale, regjistri ka mbi 1.3 milionë pasuri të listuara”

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of