Champions League 2018/19 do të jetë kompeticioni më elitar dhe i pasur që është luajtur ndonjëherë në kontinent.
Reforma e nisur nga UEFA, duke shtuar vendet e siguruara në fazën e grupeve këtë sezon në katër kampionatet kryesore (Spanjë, Angli, Itali dhe Gjermani), ka rritur të ardhurat e “centralizuara” që vijnë nga të drejtat televizive dhe sponsorizimet globale (partnerët zyrtarë janë tetë: Unicredit, Mastercard, Nissan, Heineken, Lay’s, Ps4, Gazprom e Adidas).
Në total, fitimet komerciale të UEFA nga Champions dhe Europa League 2018/19 dhe Superkupën vlerësohen rreth 3,25 miliardë euro.
Si ndryshon “buxheti” i UEFA-s
Në pesë tregjet e para europiane – Francë, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Spanjë dhe Itali, UEFA ka regjistruar rritje me thuajse 50%. Më në detaje: në Gjermani, të ardhurat janë rritur nga 120 në 200 milionë euro në vit; në Francë, nga 140 në 315 milionë; në Spanjë, nga 180 në 240 milionë; në Itali nga 223 në 280 milionë euro dhe në Mbretërinë e Bashkuar nga 333 në 450 milionë euro.
Kriteret e rishpërndarjes së çmimeve
Sa i përket shumës së mbledhur, 295 milionë do të zbriten për kostot organizative të ndeshjeve. Nga fitimet neto (2,7 miliardë), 6,5% do t’i mbetet UEFA, ndërsa pjesa tjetër 93,5% do t’u ndahet klubeve (2,04 miliardë klubeve pjesëmarrëse në Champions League dhe Superkupës dhe 510 milionë për klubet pjesëmarrëse në Europa League. 32 skuadrat “finaliste” në Champions League do të fitojnë 600 milionë euro më shumë se në të kaluarën. Burimet do të ndahen në këtë mënyrë: 25%, kuota fikse për klubet pjesëmarrëse (488 milionë); 30% në bazë të paraqitjes sportive (585 milionë); një 30% tjetër në bazë të parametrit të ri të renditjes dhjetëvjeçare; ndërsa market pool, i lidhur me të ardhurat televizive në çdo vend (292 milionë euro), “do të peshojë” 15%.
Shpërblimet në bazë të rezultateve
32 klubet e kualifikuara në fazën e grupeve, do të marrin secili 15,25 milionë. Ndër të tjera, për çdo ndeshje në fazën e grupeve parashikohen bonuse që lidhen me rezultatet; 2,7 milionë për çdo fitore, 900 mijë në rast barazimi dhe 9,5 milionë për kalimin e grupit. Po ashtu parashikohen 10,5 milionë për kualifikimin në çerekfinale, 12 milionë në gjysmëfinale dhe 15 milionë për skuadrën që shkon në finale. Kampionët e Europës, finalja e Champions League do të zhvillohet më 1 qershor 2019 në Wanda Metropolitano në Madrid, do të fitojnë 19 milionë euro (përveç 3,5 milionë që vijnë nga pjesëmarrja në Superkupën e Europës, që do të rriten 4,5 milionë në rast fitoreje).
Efektet e renditjes historike
Risia e madhe në ndarën e çmimeve përfaqësohet nga renditje historike, e bazuar në performancen në dhjetë vitet e fundit të 32 klubeve pjesëmarrëse në fazën e grupeve. Secila pjesë e koeficientit vlen 1,108 milionë, maksimumi i mundshëm është baars 32 pjesë të koeficientit ose 35,46 milionë. Në krye të këtij klasifikimi është Real Madrid, ndjekur nga Barcelona dhe Bayern München.