Cikli i mbyllur i naftës vendase

08/06/2015 3:31 PM 0 komente

Biznesi i karburanteve po i kthehet ciklit të mbyllur, nga puset e Patos Marinzës në serbatorët e makinave. Prodhimi i vendas duket se po lulëzon me kosto të rënda mbi cilësinë dhe evazionin fiskal. 30% e tregut dominohet nga nafta e vendit, e cila e ka të pamundur të përmbushë standardin e cilësisë për squfurin dhe pikën e flakërimit. Rrugëtimi me spekulime i naftës “Made in Albania” nga rafineritë vendase deri te pikat e pakicës nën emrat e mëdhenj ndërkombëtarë

 

Nga Blerina Hoxha

 

Nafta që prodhohet në Patos Marinëz është rikthyer për konsum në treg, por rruga nga nxjerrja, përpunimi dhe më pas shitja në pikat e pakicës është pak e mjegullt, me dyshime për cilësinë dhe me pak transparencë.

Paqartësitë shtohen edhe më shumë kur qeveria zbulon vetëm këmbët dhe jo kokën për standardinvendas të hidrokarbureve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës këtë vit pritet që nafta bruto për përpunim të arrijë në 600 mijë tonë (e përthyer në 150 mijë tonë që hidhen për konsum)por saga e vërtetë zë fill në ciklin që nafta e Ballshit bën deri kur shkon te pompat e furnizimit me pakicë.E gjithë kjo tingëllon pak absurde, kur pikërisht këto ditë, qeveria është përfshirë në një aksion për disiplinimin e evazionit dhe cilësisë në tregun e hidrokarbureve.

Por, nëse standardi i naftës vendase nuk sqarohet me prova zyrtare atëherë hijet e rënda bien mbi ndershmërinë e aksionit dhe për më tepër cilësinë që u ofrohet konsumatorëve shqiptarë tashmë të cenuar.

Të dhënat që ka ballafaquar “Monitor” tregojnë se nafta e vendit po zë 25-30% të konsumit të tregut vendas. Të dhënat nga doganat tregojnë se gjatë muajt prill është vjelë akcizë për 38 mijë tonë naftë importi dhe për 10 mijë tonë naftë vendi.Shifrat efragmentarizuara tregojnë se, vetëm për njëmuaj, nafta e vendit ka zënë rreth 26% të konsumit vendas. Të njëjtat burime tregojnë se për katërmujorin e parë është paguar akcizë për gati 50 mijë tonë naftë vendi dhe për 110 mijë tonë naftë importi.

Tendenca është konfirmuar edhe nga Ministria e Ekonomisë, e cila pohoi në një analizë për treguesit e tregtisë së jashtme se, importet më të ulëta të karburanteve po zëvendësohen me prodhimin e vendit.

Aktualisht, vetëm një kompani e tregtimit me pakicë, Gulf Albania, e ka të deklaruar shitjen e naftës së vendit. Duke e tregtuar rreth 4 lekë më lirë se naftën e importit, punonjësit e Gulf pohojnë se, nafta e vendit preferohet më shumë nga makineritë e rënda si kamionët dhe mjete të tjera në fushën e ndërtimit dhe automjetet tip Benz 190 e 240.

Siç pohojnë punonjësit në pikat Gulf, autoveturat e tjera nuk tërheqin mirë me naftën e vendit, ndaj preferojnë importin. Konsumatorët që furnizohen te Gulf me naftë vendi pohojnë se, shpejtësia është më e limituar se me naftën e importit.

Ky perceptim i publikut duket se vjen në shina të njëjta me ekspertët e fushës kur pohojnë se, karta teknologjike e përpunimit të naftës në rafineritë e Ballshit nuk u përgjigjet standardeve të ligjit shqiptar për cilësinë dhe pikën e flakërimit, por pavarësisht kësaj ajo vijon të shitet në treg lirshëm dhe fshehurazi.Të dhënat teknike nga inxhinierët e fushës tregojnë se nafta bruto shqiptare nxjerr vetëm 15% naftë me standarde 10 ppm, por fakti që aktualisht përpunimi nxjerr 25% do të thotë se standardi është shkelur.

 

Nga puset te serbatorët

Sasia e naftës vendase që po prezantohet në treg për pjesën e mbetur të vitit do të jetë në nivele gati konkurruese me naftën e importit. Afërsisht, 500 mijë tonë do të shiten ndaj ARMO-snga Bankers Petroleum dhe 100 mijë tonë sapo janëshitur nga Albpetrol.

ARMO dhe mbi 15 rafineri të tjera pritet të përpunojnë këtë sasi nafte, nga e cila 150 mijë tonëdo të jenë gati për konsum në pikat e pakicës (norma e shfrytëzimit të naftës vendase është rreth 25%).

Duke iu referuar të dhënave të 2014-s, kjo sasi është sa 33% e konsumit vjetor të naftës në Shqipëri. Ajo po tregtohet në tregun vendas nga kompanitë me të cilat rafineritë kanë kontrata. Njëra prej tyre është Gulf dhe gjithashtu edhe distributorë të tjerë në pikat e pakicës e shesin me emra personalë.

Sipas tëdhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ARMO ka degë të shitjes së produkteve të saj në të gjithë vendin.

Sipas ekstraktit në QKR, ARMO Rafinery ka degën e shpërndarjes së karburanteve në Fier telagjja ‘1 Maji’. ARMO ka gjithashtu degën e shpërndarjes së karburanteve nëDurrës, lagjja 14 në Shkozet. Dega e shpërndarjes së karburanteve ndodhet edhe në Rajonin e Shkodrës, në rrugën e Postribës, ngjitur me Komunën e Rrethinës. Gjithashtu kompania ka një impiant bitumi në Përrenjas dhe filialin e import -eksportit në Vlorë. Nëpërmjet pikave të deklaruara, ARMO shet naftën e prodhuar të përpunuar në rafineritë e saj ndaj kompanive me aktivitet në shitjen me pakicë të karburantit.

Kompania e përpunimit të naftës ARMO, pavarësisht se është një ngamë të mëdhatënë vend, nuk ka ende një website për të sqaruar formalisht aktivitetin në Shqipëri dhe nuk e ka ndërtuar një komunikim me publikun, pavarësisht se 15% të aksioneve të saj janë në pronësi të shtetit.

 

Qeveria nuk e pohon cilësinë

Nafta bruto që aktualisht nxirret në Shqipëri, tregtohet një pjesë në rafineritë vendase për përpunim të mëtejshëm dhe një pjesë eksportohet, në varësi të kërkesave të rafinerive vendase, pohojnë burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës. Sipas të dhënave të saj në vitin 2014, janë eksportuar rreth 1.05 milionë tonë naftë bruto dhe janë shitur në tregun vendas rreth 260,000 tonë naftë bruto (nga e cila rafineritë kanë eksportuar rreth 70,000 tonë).

Naftën bruto që tregtohet në vend, sipas ligjit mund ta blejnë vetëm rafineritë e licencuara. Nafta bruto që eksportohet, normalisht shkon në rafineritë e huaja.

Për vitin 2015, parashikohet që të rritet ndjeshëm shitja e naftës bruto në tregun vendas, duke ulur kështu eksportin.

Ministri Gjiknuri më parë ka deklaruar se, sasia e naftës që do përpunohet këtë vit do të jetë 60 mijë tonë.

Por dyshimet për cilësinë e naftës vendase mbeten të forta, ndërkohë që Ministria e Energjetikës, e cila mbikëqyr dhe rregullon ligjërisht të gjithë zinxhirin, thotë se cilësia duhet të përmbushet, por nukepohon faktin se a zotërohet realisht cilësia.

“Sipas ligjit, tregtimi i nënprodukteve të naftës bruto nga rafineritë kryhet vetëm pas certifikimit që bën Inspektorati Qendror Teknik (tanimë quhet Inspektorati Shtetëror Tekniko-Industrial). Në çdo rast, tregtimi i diezelit 10 ppm në Shqipëri, duke filluar nga 1 janari 2009 (në bazë të V.K.M nr. 147, datë 21.03.2007) duhet të realizohet vetëm në bazë të standardit në fuqi të BE-së, i cili është EN 590. Pra, pavarësisht origjinës së diezelit 10 ppm (importi ose prodhimi vendas), ai duhet të plotësojë të gjithë kërkesat e standardit në fuqi”, pohon Ministria e Energjetikës.

Nga ana tjetër,drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, Ejana Xhixha, ka pohuar pak ditë më parë se, këto ditë është kontrolluar rreth 16% e totalit të tregut, ku ka rezultuar se6% të produktevekanë tejkalim të standardit.

Norma e lejuar e squfurit është 10%, por kontrollet eIQT kanë konstatuar se kjo normë, në disa raste në pikat e pakicës, është edhe 200%, ndërsa pika e flakërimit, në rastin më të mirë ka rezultuar 44 nga 55 që është norma. Ekspertët e fushës shpjegojnë se kjo ndodh me abuzimin që krijohet nga tregtimi i naftës vendase. Për të ulur nivelin e squfurit, rafineritë përdorin shumë hollues, i cili më tej dëmton pikën e flakërimit.

Por puna është se edhe shumë pika të tjera të pakicës e shesin naftën e vendit, por e deklarojnë për naftë importi. Kjo tashmë është vërtetuar nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili ka penalizuar më shumë se 70 subjekte në katër muajt e fundit.

 

Aksioni që “mënjanon” cilësinë

Ndërsa Kryeministri i vendit dhe qeveria kanë shpallur një aksion mbarëkombëtar për të vënë rregull në cilësinë e naftës, ekziston një ligj që i rregullon më së miri çështjet e cilësisë. Ndaj çdo spekulim bëhetnën hundën e institucioneve dhe me dijeni të plotë.

Ligji numër 71 i janarit 2014, që ka bërë ndryshime mbi ligjin 8450 24.02.1199, ka sanksionuar qartë kriteret e përdorimit të markës dhe logos për prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e karburanteve.

Neni 8 i këtij ligji, pika 10, që përcakton se, ndalohen që të reklamohen marka në tabela, të ndryshme nga ajo që është i autorizuar të shesë. (p.sh., në rast se një pikë karburanti reklamon që ka naftë të një marke të caktuar, p.sh. Gulf, nuk mund të shesë asnjë markë tjetër karburanti, qoftë të huaj, apo vendi). Ky nen e ka taksative këtë pjesë.

Por në realitet, 90% e subjekteve tregtojnë jashtë këtij rregulli, duke e shitur naftën e vendit apo të importuar nën emrin e markave të mëdha ndërkombëtare, duke e shkelur në këtë mënyrë haptas ligjin.

Ligji në fjalë nuk e ndalon tregtimin e markave të ndryshme në pikat e bardha (që janë ato pika që nuk kanë regjistruar një markë të caktuar) dhe që mund të furnizohen kudo.

Kompanitë që tregtojnë nën markat ndërkombëtare si Shell, Gulf, Alpet dhe e kanë të vërtetuar këtë markë me dokumentacion ligjor nuk mund të shesin naftë tjetër veç markës së tyre. Nëse ndodh kjo, atëherë ligji vendas është shkelur rëndë. Ligji ndalon t’i vihet emër ndryshe nga ai që kërkon marka dhe i ndalohet kategorikisht me ligj të reklamojë markë tjetër.

Për më tepër, Shoqata e Hidrokarbureve sqaron se, spekulohet rëndë me cilësinë. Kur flitet për squfurin duhet të dimë se ai nuk ndikon tek automjetet, por te mjedisi, thotë Luigj Aliaj i Shoqatës.

Kriteret e cilësisë së naftës që ndikojnë direkt tek automjeti janë forca, pika e flakërimit, destilimi dhe përmbajtja e ujit në naftë.

Forca për naftën matet me nivelin e tetatin (sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më pak karburant harxhon për një numër të caktuar kilometrash). Në Shqipëri, niveli minimal është 51.

Për benzinën, treguesi i forcës matet me oktanin, që duhet të jetë minimumi 95.

Një tregues për të cilin nukflitet fare është “flash point” ose pika e flakërimit, e cila mat se ku ndizet automjeti dhe që ndalohet të jetë nën 55.

Tregues tjetër është destilimi, dhe tjetër përmbajtja e ujit në naftë, (water content) e cila maksimumi lejohet 200 mg për kg.

Nafta që prodhohet në vend, sipas standardeve aktuale të përpunimit nuk plotëson normën për pikën e flakërimit, që nuk duhet të jetë nën 55.

Problem tjetër është Inspektorati i Kontrollit të Cilësisë (IQT), i cili nuk ka një laborator të certifikuar ndërkombëtarisht për cilësinë. E njëjti kampion mund të japë rezultate të ndryshme në iQT dhe krejt të tjera jashtë vendit. Kjo do të thotë se ka vend për korrupsion të interpretime.

Por drejtoresha e IQT, Ejana Xhixha, ka pohuar se laboratori është i akredituar që në vitin 2012 dhe kryen një gamë të gjerë ekzaminimesh. 84 prova janë të akredituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke garantuarnë këtë mënyrë një ekzaminim dhe siguri në lidhje me rezultatet dhe certifikimet e cilësisë që ne kryejmë për produktet që tregtohen brenda territorit të Shqipërisë.

 

Evazioni që vjen nga prodhimi vendas

Të shtyrë nga analiza e shkaqeve që kanë sjellë rënien e të ardhurave buxhetore në katërmujorin e parë të vitit, ekspertët në Ministrinë e Financave kanë arritur në përfundimin se 6 miliardë lekë kanë ardhur më pak këtë vit në buxhet vetëm nga nafta. Në katërmujorin e parë të vitit zhdoganimet e karburanteve ka rënë me 7.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, por të dhënat nga Shoqata e Hidrokarbureve tregojnë se, konsumi është rritur me 5 mijë tonë të paktën në tremujorin e parë. Rënia e importit është zëvendësuar në prodhimin vendas. Importi mesatar mujor këtë vit ka qenë 27 mijë tonë në muaj, ndërsa nafta e vendit për të cilën është paguar akcizë në doganë, rezulton më shumë se 10 mijë tonë në muaj. Por ekspertët e tregut pohojnë se, sasia e naftës së vendit që hidhet në treg është edhe më e madhe se, shifra e raportuar në dogana.

Pasi vjelja e akcizës për naftën që përpunohet dhe shpërndahet në tregështë shumë më e vështirë se në rastin e naftës së importit. Por rënia e të ardhurave buxhetore me shkak naftën nuk është plotësisht për shkak të nivelit të ulët tëçmimit në tregun ndërkombëtar. Pasi akcizavilet në vlerë fikse për çdo litër. Aktualisht kjo vlerë është 37 lekë për litër dhe e tillë vilet edhe kur çmimi në tregun ndërkombëtar ka luhatje. Por rënia më e madhe besohet të jetë shkaktuar nga pagesa e TVSH-së, e cila, në karburante, merret në 20% të çmimit final. Por edhe kjo hipotezë nuk qëndron, pasi aktualisht një litër naftë shitet me rreth180 lekë, vetëm 10 lekë më lirë se një vit më parë.

Por ekspertët e fushës pohojnë se, mangësitë në të ardhurat e buxhetit nga nafta janë më shumë për shkak të evazionit nga tregtimi i naftës vendase si naftë importi.

Ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka pohuar se, nga aksionet e fundit kuponët tatimorë në shitjen e naftës janë rritur me 10%, e përkthyer në një vlerë, rreth 90 milionë euro të përfshirë në deklarim.

Ato subjekte të cilave ju është hequr licenca, nuk mund të operojnë më në treg. Ndërkohë po bëhen edhe disa ndryshime që kanë të bëjmë me sekuestrimin e mallit.

Nga konstatimet e fazës së parë të aksionitështë parë se, evazioni ka qenë i madh, edhe për shkak të manovrimeve që kanë bërë pika të ndryshme karburanti në lidhje me përdorimin e pompave manuale, me pretendimin se gjoja nuk funksiononte pompa automatike, ka pohuar Gjiknuri. Ministri ka shtuar se, ky lloj abuzimi nuk po ndodh më, dhe të paktën nga të dhënat e fundit është rritur shumë më tepër deklarimi dhe prerja e kuponëve tatimorë.

Nga ana tjetër,ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka pohuar gjithashtu se, si rezultat i kontrolleve të fundit vërehet një rritje prej rreth 10% më shumë e sasive të zhdoganuara të karburanteve

Duke folur për markimin dhe monitorimin e karburanteve nga një kompani koncesionare, shefi i Financave nënvijëzoi se, nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, në muajin që kaloi numri i tyre ishte zero. Ministri iu shpjegoi se, “në rast se nga monitorimi (kontrolli i subjekteve që janë të detyruar të kryejnë markimin) në tregun e shitjes më pas konstatohet karburant me përqindje më të ulët të shenjuesit nga ajo e injektuar në procesin fillestar, kjo do të thotë se ai është përzier me karburant tjetër të pashenjuar, pra të futur në mënyrë të paligjshme në treg, duke bërë evazion fiskal”.

Duke folur me shifra konkrete, ministri Cani iu referua raportit të kompanisë koncesionare, GFI Albania dhe të dhënave të fundit të Shërbimit Doganor Shqiptar, sipas të cilave, për periudhën 23 qershor 2014 – 30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89% kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje.

Javën që shkoi, ministri Gjiknuri ka firmosur kërkesën për revokimin e licencës së 23 kompanive të tregtimit me shumicë, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të kapaciteteve minimale dhe kushteve teknike. Mirëpo, edhe pas aksioneve mbetet i pasqaruar tregtimi i naftës vendase në pikat e pakicës, e cila nuk i përmbush standardet që kërkon ligji shqiptar për pikën e flakërimit dhe të squfurit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of