Flet Armand Skuqi, administrator i “Solares”
Rritja në nivele alarmante e çmimeve të energjisë në tregun e lirë ka nxitur bizneset të orientohen, gjithmonë e më shumë, drejt impianteve fotovoltaikë për vetëkonsum.
Armand Skuqi, administrator i “Solares”, konfirmon në një intervistë për “Monitor” se koha e kthimit të investimit është shkurtuar ndjeshëm.
Vitin e kaluar, biznesi i fotovoltaikëve bëri disa kërkesa pranë qeverisë të cilat synonin mbështetjen dhe nxitjen e sektorit, duke synuar edhe zbutjen e ndikimit të krizës. Ku jemi sot me këto kërkesa që ju keni paraqitur?
Deri tani, nuk jemi askund. Mbetemi në pritje. Në dijeninë time është mbledhur një komision për shqyrtimin e kërkesave dhe ka dalë me një raport, por ende nuk ka vendim. Ne, në atë kohë, kemi kërkuar disa pika që janë të rëndësishme për sektorin, si rishikimi i kapacitetit për bizneset që e kanë për vetëkonsum. Aktualisht, ato kufizohen në pragun 500 kwp të instalimit, por kanë konsum më të lartë.
Çmimi i energjisë në treg është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe këto biznese duan të amortizojnë disi kostot, duke shtuar më tepër kapacitetet. Në këto kushte kanë gjetur zgjidhje momentale, brenda hapësirave që lejohet, siç mund të jetë ndarja e kontratave, ndarja në objekte të ndryshme për të plotësuar kapacitetin për nevojat.
Një tjetër kërkesë nga ana jonë, por me rëndësi për gjithë sektorin dhe konsumatorët, ka të bëjë me matjen neto. Aktualisht është mujore, por ne kemi kërkuar të bëhet vjetore. Kjo do të ndihmonte shumë, sidomos disa biznese me profil
specifik, siç mund të jetë turizmi apo qendra grumbullimi, ku konsumi mbetet sezonal, pra ose në dimër, ose verë, dhe përfitimi i tyre nga ky investim është afatshkurtër, duke zgjatur në kohë kthimin e investimit.
Aktualisht, me çmimet e energjisë sot në treg, kthimi i investimit është përgjysmuar në 3-3.5 vite nga 7 vjet më herët. Një tjetër kërkesë është montimi i impianteve në distancë. Kemi menduar të bëjmë një kërkesë ku të shihet mundësia që kush e sheh të arsyeshme të instalojë një impiant në një rreze 30 kilometra, me matje në pikën e prodhimit dhe zbritje në pikën e konsumit.
Ministria e Infrastrukturës është në fazë diskutimi për të ndërhyrë në ligjin për burimet e rinovueshme. A është përfshirë edhe sektori juaj në këto diskutime? Cilat janë pritshmëritë?
Së fundmi, nuk jemi përfshirë në diskutime, por kemi bërë kërkesa me shkrim më shumë se një herë, drejtuar institucioneve të ndryshme si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, madje edhe në
Kryeministri. Shumica e përgjigjeve të kthyera ishin negative. Ne si grup interesi jemi të ndërgjegjshëm që kërkesat tona dhe hendeqet ligjore nuk i bëjnë plotësisht të kulluara në aspektin teknik, sepse bilanci vjetor nuk do të ishte komod për OSHEE.
Arsyeja është se kemi matje neto dhe me bilanc vjetor duhet të zbresë kilovatët në total, ndërkohë që OSHEE e blen energjinë me çmime të ndryshme gjatë gjithë vitit dhe ndoshta, kjo do t’i sillte problem në bilancin e tyre, por në aspektin financiar, nuk besoj se do të ndikonte.
Madje, në këtë situatë ku ndodhemi sot, nëse do të ishin marrë masa në aspektin e nxitjes së vetëkonsumit, efekti do të ishte i konsiderueshëm, pasi kthimi i investimit po bëhet gjithmonë e më i shkurtër. Shumë biznese janë pjesërisht në treg të lirë, të cilët kanë frikë që në shtator mund të dalin plotësisht në treg dhe të përballen me çmimet e shtrenjta.
Si ka qenë ecuria e sektorit të fotovoltaikëve këtë vit, duke pasur parasysh përmasat që ka marrë kriza e energjisë? A ka interes nga biznesi dhe individët dhe si qëndron në shifra rritja në raport me parakrizën?
Sigurisht që ka shumë interes. Nëse i referohemi 6-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me vitin 2021, interesi është dyfishuar. Kuptohet, gjërat janë ndërlikuar disi më shumë, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë dhe kostove të lëndëve të para, por interesi mbetet.
Kosto e zbatimit të një projekti është rritur, por amortizohet nga kthimi i shpejtë. Është rritur edhe interesi i bankave për të financuar projekte të kësaj natyre me kushte shumë favorizuese, apo duke marrë si kolateral vetë impiantin. Sot në treg janë 4-5 banka që e ofrojnë në produktet e tyre financimin për këtë pjesë, duke krijuar mundësi për biznesin të investojë.
Vihet re një rritje e lehtë edhe te familjarët, megjithatë mbetet ende modeste, ndoshta dhe për shkak të tipologjisë së banesave, pasi instalimi kërkon hapësirë dhe kjo është e mundur në shtëpi private. Për banorët në apartamente kolektive nuk ka ndonjë lëvizje.
Çmimi i energjisë ka kërcyer në nivele të pamenduara më parë në bursë. Ndërkohë që bizneset në treg të lirë po përballen me kosto të shumta. Si ka ndryshuar koha e kthimit të investimit në kushtet e sotme?
Kthimi i investimit bëhet në tre vjet. Disa biznese e paguanin energjinë 45 lekë në tremujorin e parë të këtij viti nga kontratat private që kishin lidhur me furnizues të caktuar. Kur flitet për këtë nivel çmimi, rikthimi i impiantit me gjithë rritjen që ka pësuar kostoja totale e instalimit, është reduktuar.
Pikërisht kjo sjell dhe interesin, sepse njerëzit po e kuptojnë këtë lloj investimi për të cilin në fillim kishte skepticizëm. Koha tregoi se ata që u treguan të guximshëm dhe e instaluan pak vite më parë, tashmë e ka shlyer.
Si ka qenë ecuria e kostove të materialeve, të cilat shënuan rritje dhe si është reflektuar kjo kosto te projektet finale që instalohen? A është vënë re mungesë materialesh, duke nisur së pari për panelet?
Kostoja e një impianti në raport me vitin 2021 është rritur me 20%. Çdo ditë na vijnë çmime të reja nga partnerët tanë dhe të gjithë kanë tendencën e rritjes, duke nisur që nga inverterat e deri tek elementet e tjera.
Rritja minimale në produkte të ndryshme është me 8%, ndërsa nga viti 2021 e deri tani, rritja është mesatarisht 25%. Tendenca po vazhdon sepse është rritur kërkesa në botë për këto produkte, por sigurisht varet edhe çfarë ofron. Në treg ka spekulime, por nëse do të mbash standardin e duhur, rritja është e pashmangshme.
Cilat janë disa nga nismat që mund të merren për të nxitur sektorin, duke pasur parasysh skema të ndryshme financimi, ndryshimi i bilancit nga mujor në vjetor apo elemente të tjera shtesë që ju i shihni të vlefshëm?
Së pari, miratimi i një çmimi për tepricat. Që kur u vendos net-mettering ishte detyrim të përcaktohej edhe një çmim. Por në fillim ishte COVID-19, pastaj edhe zhvillimet e tjera me luftën dhe ende nuk ka një çmim. Nëse do ta kishim, mund të ishte një nxitje edhe për subjekte të tjera, që të instalojnë impiante dhe të jenë kontribuues neto në rrjet.
OSHEE këtë do ta përfitonte me një çmim shumë më të ulët, sesa është sot në treg. Disa magazina, për shembull, kanë konsum të ulët, por kanë hapësirë të madhe për instalim impiantesh dhe do të prodhonin energji.
Sigurisht kjo ka edhe ngërçet e veta teknike dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëhet kujdes, për shkak të disbalancave që mund të krijohen në rrjet. Por duke marrë parasysh krizën dhe humbjet në rrjet, mendoj se ka hapësirë tolerance. Ne si vend kemi potencial të konsiderueshëm për energjinë diellore, kemi zona me klimë të përsosur për këtë, por edhe njerëz të interesuar për të investuar. Të gjithë këto hendeqe në kuadrin ligjor i bëjnë njerëzit hezitues.
Miratimi i disa lehtësive do t’i jepte hov edhe më të madh dhe kuptohet që kjo duhet të ecë edhe me pjesën teknike, për të cilat OSHEE, me të drejtë, ka rezervat e saj.
Këto instalime dhe energjia që hidhet në rrjet duhet të jetë e matur dhe e monitoruar për të shmangur ndërlikimet. Çdo gjë duhet të ecë në koherencë me zhvillimin e rrjetit të Shpërndarjes, që të mos arrijmë në pikën që rrjeti pëson kolaps.
Në momentet që flasim, nuk ka një rrezik të tillë, sepse kapaciteti i instaluar i fotovoltaikëve është shumë i vogël. Me bashkëpunim mes të dyja palëve mendoj se mund të gjendet zgjidhja dhe kjo do të kthehej në avantazh për biznesin në Shqipëri, i cili është në një fazë që po vuan rritjen e çmimit në çdo drejtim.
LEXONI EDHE:
Qeveria i bën hije energjisë diellore, si po zvarriten procedurat për fotovoltaikët
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.