Pas më shumë se tetë vitesh është rikthyer debati në lidhje me anëtarësimin në dhomat e tregtisë dhe industrisë. Projektligji që pret diskutimet e ligjvënësve risjell propozimin për anëtarësimin me kuotë të detyrueshme të biznesit në dhomat e tregtisë dhe industrisë. Në lidhje me këtë draft ka opinione pro dhe kundër. Pjesa më e madhe e shoqatave dhe dhomave dypalëshe janë kundër, duke argumentuar se kjo është një “taksë fshehtë” që po i vihet biznesit
Nga Elona Bedalli
Në fillim të muajit shkurt, në Kuvend u depozitua projektligji që parashikon ndryshime në ligjin “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, propozuesi i të cilit ishte Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Një nga nenet e diskutueshme të këtij drafti ishte ai i ndryshimit të anëtarësimit nga vullnetar në të detyrueshëm, në bazë të një kuote, që parashikohet të vendoset nga asambleja e Unionit, me kalimin dhe miratimin e ligjit në Kuvend. Argumentimi i hartuesve në lidhje me anëtarësimin e detyrueshëm ishte: “Rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave dhe Bashkimit të Dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj., por të zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj”.
Por, përfaqësuesit e shoqatave dhe dhomave dypalëshe argumentojnë se kjo për biznesin do të ishte një “taksë e fshehtë”, një barrë e shtuar. Sipas tyre, mund të flitet për anëtarësim të detyrueshëm në rastin e regjistrimit të dhomave lokale në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, por jo të vetë biznesit.
Ata sjellin edhe përvojat e vendeve si Sllovenia apo Ukraina, që ofrojnë shërbime pa pasur anëtarësim të detyrueshëm. Gjithashtu argumentohet se shteti mund të kalojë disa shërbime te dhomat, për të bërë të mundur mbijetesën e tyre, por edhe për të lehtësuar aksesin e biznesit.
Argumentimi, përse u rikthye rishikimi i ligjit
Ndryshimet e depozituara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes erdhën si propozim i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Hartuesit argumentojnë se mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e këtij institucioni ka çuar në uljen plotësisht të rolit të dhomave, si dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj.
Gjithashtu, për shkak të situatës së sipërpërmendur, dhomat dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjenden në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar jo vetëm një situatë paaftësie paguese të kuotizacioneve, por edhe duke
rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa shoqata/organizata, siç janë EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj.
Rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave dhe Bashkimit të Dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj., por të
zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj.
Sipas ekspertëve, iniciativa për rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm synon të fuqizojë dhomat dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, duke mundësuar ofrimin e
shërbimeve dhe promovimin me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të tyre, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj.
Ndryshimet konsistojnë kryesisht në:
– Rivendosjen e anëtarësimit të detyrueshëm pranë dhomave të tregtisë dhe industrisë të personave juridikë, duke ndryshuar nenin 6 të ligjit në fuqi, si më poshtë vijon:
- Anëtarësia në dhomë është e detyrueshme për personat juridikë dhe
vullnetare për personat fizikë, të regjistruar në regjistrin tregtar, sipas legjislacionit në fuqi.
- Anëtarët e dhomës paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë brenda datës 31 mars të çdo viti. Masa dhe procedurat e vjeljes së kuotës përcaktohen nga asambleja e Bashkimit të dhomave.
- Dhomat do të transferojnë pranë Bashkimit të Dhomave kuotën e
anëtarësimit, në masën 30% të fondeve të mbledhura nga kuotizacioni vjetor i anëtarësisë.
Nëpërmjet këtyre shtesave dhe ndryshimeve synohet rritja e të ardhurave për dhomat dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe mirëfunksionimin e tyre, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve e promovimin me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të tyre, me qëllim nxitjen e veprimtarisë tregtare e industriale në vend, si dhe nxitjen e zhvillimin e bizneseve brenda dhe jashtë vendit.
– Pika 6, e nenit 12, shfuqizohet duke qenë se me ndryshimet që i bëhen nenit 6, masa e kuotizacionit vjetor për anëtarësinë përcaktohet nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave.
– Gjithashtu, neni 24 riformulohet me këtë përmbajtje:
- Anëtarësimi në Bashkimin e Dhomave është i detyrueshëm për të gjitha dhomat. Dhomat do të transferojnë pranë Bashkimit të Dhomave kuotën e anëtarësimit në masën 30% të fondeve të mbledhura nga kuotizacioni vjetor i anëtarësisë.
- Anëtarësimi në Bashkimin e Dhomave është vullnetar për të gjitha
shoqatat e bashkimit vullnetar të bizneseve, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe midis këtyre dhomave dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
– Është riformuluar pika 6, e nenit 28, si më poshtë vijon:
“Përcakton masat dhe procedurat e vjeljes së kuotës. Dhomat do të
transferojnë pranë Bashkimit të Dhomave kuotën e anëtarësimit në masën 30% të fondeve të mbledhura nga kuotizacioni vjetor i anëtarësisë”.
– Është riformuluar paragrafi i parë i nenit 32, me këtë përmbajtje: “Kryetari drejton veprimtarinë e Bashkimit të Dhomave, kryesinë e saj dhe gëzon të drejtën e një vote”.
– Në nenin 38 parashikohet e drejta e anëtarësimit vullnetar në Bashkimin e Dhomave për të gjitha shoqatat e bashkimit vullnetar të bizneseve, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe. Gjithashtu, pas paragrafit të tretë të këtij neni, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Bashkimi i Dhomave autorizon
përdorimin e emërtesës dhe ndjek respektimin e procedurave ligjore për hapjen e këtyre shoqatave me emërtimin “dhomë” në përputhje me përcaktimin e këtij ligji.
Miratimi, efekt negativ mbi konkurrencën e lirë
Flet Lorenc Gjoni, drejtor ekzekutiv Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham)
Në Kuvend do të diskutohen ndryshimet në projektligjin “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”. Cili është qëndrimi i AmCham? Cilat janë pikat më të kontestueshme?
Dhoma Amerikane ka bërë të njohur qëndrimin e saj kundër këtij projektligji. Ne mendojmë se në një treg të lirë, biznesi e vendos vetë se ku do të jetë anëtar. Organizatat e biznesit bëhen faktorë nga shërbimet që ofrojnë dhe nga suksesi i veprimtarisë së tyre, dhe kjo i bën bizneset të duan të jenë pjesë e këtyre organizatave. Sigurisht, në rast se nuk ju pëlqen shërbimi, ata kanë të drejtën e tyre të largohen dhe të kërkojnë një tjetër organizatë apo Dhomë Tregtie që plotëson kriteret e tyre. Në këtë rast, projektligji i detyron bizneset të jenë pjesë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, i ngarkon me një taksë të fshehtë, sepse ata duhet të paguajnë me detyrim kuotën e anëtarësisë, dhe në fund cenon konkurrencën e lirë të organizatave në treg.
Një element tjetër i rëndësishëm është fakti që, sipas projektligjit, çdo Dhomë lokale e Tregtisë dhe Industrisë do t’i paguajë Bashkimit të Dhomave vlerën e 30% të kuotave të anëtarësisë. Dhe kuota e anëtarësisë për çdo biznes, në mbarë vendin, do të vendoset nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave, anëtarët e së cilës zgjidhen për një periudhë 4-vjeçare.
Nëse biznesi ka lirinë të zgjedhë organizatën ku do të marrë pjesë, të gjitha dhomat dhe shoqatat do të jenë më të vëmendshme për të rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për të ruajtur kështu numrin e anëtarëve të tyre, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve, dhe për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Fuqizimi i organizatave të biznesit është një tregues i rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të biznesit si dhe i demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër, duhet të veprojnë edhe dhomat e tregtisë të krijuara me ligjin nr. 9640, datë 09.11.2006 “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”. Çdo favorizim i këtyre dhomave përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit.
Si pritet të ndikojë në menaxhimin e dhomave, si kjo e juaja?
Dhoma Amerikanë operon me sukses prej 15 vjetësh në Shqipëri dhe ka punuar mjaft mirë edhe kur regjistrimi ka qenë i detyrueshëm. Shumë organizata biznesi, mes të cilave edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, kërkuan gjatë nga qeveria që bizneset të kishin të drejtën të regjistroheshin vetëm në ato organizata që ata besojnë se iu shërbejnë më mirë. Si rezultat, në prill 2008, qeveria dhe Kuvendi ndryshuan nenin që i detyronte bizneset që të regjistroheshin në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në rajonin ku ata zhvillonin aktivitetin, duke vendosur parimin se biznesi ka të drejtë të anëtarësohet në mënyrë vullnetare në çdo shoqatë biznesi. Ky ndryshim, së bashku me reformën për shkurtimin e kohës dhe uljen e kostos së licencimit dhe regjistrimit, përmirësuan me disa pikë pozicionin e Shqipërisë në raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit (Doing Business Report).
Nuk ka kuptim ky rikthim mbrapa i ligjit. Ne mendojmë se në njëfarë mënyre, kjo do të ketë ndikim mbi organizatat e biznesit, sepse detyrimi i vendosur me ligj gjithmonë ka efekt negativ mbi konkurrencën e lirë.
Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e duhur për të rritur shërbimin ndaj biznesit, për të përmirësuar lobimin për çështjet me rëndësi?
Dhoma Amerikane ka struktura të posaçme që i shërbejnë procesit të lobimit dhe ne punojmë mbi bazën e kërkesave të anëtarëve tanë. Kërkesat që vijnë prej anëtarëve përpunohen nga një grup ekspertësh dhe më pas adresohen në institucionet qeveritare përkatëse. Ne jemi këmbëngulës për t’i ndjekur deri në fund këto çështje. Ne besojmë se ky lloj shërbimi i mban të lidhur bizneset me Dhomën Amerikane, dhe kjo filozofi pune duhet të aplikohet për të përmirësuar klimën e biznesit në mënyrë të vazhdueshme. Me fjalë të tjera, zgjidhja më e duhur përfshin ndjekjen e proceseve për këshillimin me palët e interesuara për çdo ndryshim ligjor.
Nëse projektligji miratohet, cili do të jetë qëndrimi i AmCham?
Dialogu dhe konsultimi i qeverisë me biznesin për aktet ligjore e nënligjore që ndikojnë tek ai është jo vetëm një angazhim i shprehur qartë nga qeveria, por edhe një detyrim ligjor i përcaktuar në ligjin nr. 57/2014 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”. Ne do të vazhdojmë lobimin në të gjitha instancat përkatëse për të mbrojtur të drejtat e anëtarëve të Dhomës Amerikane, si edhe të të gjithë komunitetit të biznesit, nga detyrime të tilla arbitrare.
Të mos miratohet, bie ndesh me projektligjin e zejtarisë
Flet Agim Bufi, Drejtor i Konfindustrisë Shqiptare
Ai është një njohës i mirë i organizimit të dhomave, duke qenë se më herët ka mbajtur edhe postin e sekretarit të përgjithshëm në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
Ka një debat në lidhje me rikthimin e anëtarësimit të detyruar në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, si një model i diktuar kryesisht nga bota anglosaksone…
Anëtarësimi i detyrueshëm nuk është më një objektiv i Eurodhomës në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, por në diskutim janë shërbimet që duhet të marrin anëtarët. Pra, kjo është një tendencë e tejkaluar dhe ka disa arsye. Anëtarësimi i detyrueshëm mund të konsiderohet si një ‘taksë e fshehtë’ për biznesin, që do të shtonte barrën, do të cenonte klimën dhe do të ndikonte në renditjen e Shqipërisë në raportet e “Doing Business”. Një tjetër ka të bëjë me kushtet aktuale në të cilat gjenden dhomat dhe shërbimet e vakëta që ato ofrojnë.
Eurodhoma, nga ana e saj, rekomandon që të shtohet numri i shërbimeve që iu ofrohen anëtarëve, ose disa shërbime që i jep shteti t’i delegohen dhomës.
Ju, si Konfindustria Shqiptare, si i vlerësoni ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”?
Ne si shoqatë jemi kundër miratimit të këtij ligji, sepse në tregun e shërbimeve ndaj biznesit futet një element tjetër siç është dhoma, e mbivlerësuar dhe jo në kushte të barabarta. Kjo do të thotë se dhomat do të kenë mbështetje financiare për ofrimin e shërbimeve.
Por, nëse këto dhoma forcohen, atëherë ndryshon edhe mënyra e lobimit për biznesin, në trajtimin e tyre dhe kjo duhet të jetë në interes të sipërmarrjes…?
Lobimi në vetvete është një shërbim që i bëhet biznesit dhe nëse ai bëhet me cilësi, atëherë ai flet në favor të tij, por kjo është një çështje që varet kryesisht nga menaxhimi që i bëhet dhomës. Por, sot dhomat e tregtisë dhe industrisë nuk janë funksionale. Ato duhet të shtojnë dhe të forcojnë shërbimet, sipas modelit europian, siç janë: regjistri tregtar (në rastin e Italisë ky është funksioni bazë që siguron të ardhura të larta dhe pa anëtarësim të detyrueshëm); arbitrazhi kameral (dhomës) është një tjetër shërbim që nuk ofrohet tek ne; dhënia e certifikatës së origjinës gjithashtu; certifikata e mjeteve të transportit; kodi EAN që ka çdo produkt apo edhe licenca të ndryshme. Të gjitha këto shërbime do të rrisnin fuqinë e dhomave dhe do t’i shërbenin qëllimit të krijimit të tyre.
Por, cila do të duhet të ishte zgjidhja…?
Natyrisht anëtarësimi vullnetar, por me shërbime të deleguara nga shteti. Në rastin e koncesioneve (sikundër po ndodh sot) mund t’i jepen si e drejtë për t’i ofruar edhe përmes dhomave. Me shtimin e shërbimeve, dhoma do të bëhej më e besueshme, do të kishte të ardhura për të mbijetuar.
Por, situatën aktuale unë e krahasoj me atë diskutim që u zhvillua në periudhën ‘91-‘98 ku edhe atëherë, anëtarësimi ishte i detyrueshëm, por debati i madh lindi për vjeljen e këtyre të ardhurave. Shpesh lindnin konflikte mes dhomave dhe zyrave të tatim-taksave. Këto të fundit ishin ato që e detyronin subjektin që të bëhej anëtar i dhomës. Ky ishte një absurd.
Nga ana tjetër, ka edhe një problem. Ky projektligj do të shkaktojë përplasje me projektligjin e Zejtarisë që gjendet në Kuvend. Në projektligjin e zejtarisë, parashikohet vënia në zbatim e sistemit dual (modeli gjerman) që ndërthur dijen me praktikën. Edhe në këtë projektligj, parashikohet anëtarësimi i detyrueshëm i zejeve. Të dy projektligjet duhet që të harmonizohen dhe të diskutohen paralelisht. Kjo është arsyeja që ne mendojmë se kalimi i projektligjit “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë” është i nxituar.
Megjithatë, ajo që ne sugjerojmë është që sa i përket Unionit të Dhomave të Tregtisë, anëtarësimi të bëhet i detyrueshëm. Pra, dhomat rajonale (të qyteteve) të anëtarësohen me detyrim në Union, por jo anëtarët e biznesit. Kjo do të forconte rolin e saj.
Themelimi i Odave, koncepti modern i qeverisë së Zogut
Për herë të parë, odat ekonomike u sanksionuan me ligj më 30 prill 1932 nga qeveria e Ahmet Zogut. Ligji, në themel të tij, rregullonte funksionimin e odave ekonomike si ente që do të ndihmonin në ofrimin e shërbimeve ndaj sipërmarrjes së lirë.
Ekspertët e konsiderojnë si një ligj tejet modern që sanksiononte shërbime që janë shumë moderne për kohën sot dhe që as nuk kanë arritur të zbatohen. Ja çfarë përmbante ligji për Odat Ekonomike, i aprovuar nga Parlamenti në 1932:
-Oda Ekonomike, si një ent publik, përfaqëson interesat e përbashkëta të tregtisë, industrisë dhe zejtarisë.
-Jep informata që kërkohet prej Qeverisë mbi çdo çështje që i përket nxitjes së industrisë dhe zejtarisë.
-Shfaq pikëpamjen e saj mbi ndryshime të projektuara, apo propozon ndryshime të ligjeve tregtare, industriale dhe ekonomike, tarifës doganore, traktateve tregtare dhe ligjeve fiskale.
-Shfaq pikëpamjen e saj mbi dobinë dhe nevojën për përmirësimin e komunikacioneve detare, ajrore, postare dhe telefonike.
-Shfaq pikëpamjen e saj mbi dobinë dhe nevojën për ekzekutimin e punëve botore në qarkun e saj si dhe mbi taksat ose kontribucionet që duhen nxjerrë për përballjen dhe administrimin e saj.
-Themelojnë dhe administrojnë magazina të përgjithshme, pazare publike, ekspozita të përhershme dhe muze tregtare.
-Kujdeset për mbrojtjen e kallfëve dhe të punëtorëve në shërbim të sipërmarrjeve tregtare industriale dhe të zejtarëve dhe përmirësimin e gjendjes se tyre. Për këtë qëllim themelon dhe administron shkolla tregtare e profesionale dhe kurse të ndryshme për përhapjen e dijeve për çështje tregtare industriale dhe zejtare.
-Mbledh zakonet tregtare dhe u jep të interesuarve certifikata mbi këtë lëndë.
-Funksionon si këqyrës mbi prodhime të ndryshme dhe mbi çmimet e tyre mbi kurset e të hollave dhe mbi vleftën e misioneve. Kujdeset mbi mbajtjen e një statistike të rregullt për qarkun e saj.
-Formon trupa arbitrazhi për zgjidhjen e konflikteve tregtare duke kërkuar caktimin e palëve në konflikt arbitra. Vendimi i arbitrave ishte i prerë.
-Shikon rendësin e firmave tregtare, industriale e zejtare si edhe sasinë e kredisë që gëzojnë dhe lëshon dëshmi.
-Mban një regjistër të posaçëm për sekserët dhe kasnecët duke i autorizuar që të ushtronin profesionin e tyre.
-Emëron ekspertë për çështje të ndryshme tregtie dhe kujdeset duke bërë propagandë për produktet kombëtare ndër tregje të huaja.
-Vërteton regjistra tregtarë dhe bën shqyrtime e vërejtje mbi to. Lëshon certifikatë mbi origjinën e mallrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.