Kompania e njohur e auditimit Deloitte pritet që sipas kontratës së nënshkruar me Qeverinë të dorëzojë në Ministrinë e Financave raportin final mbi detyrimet e prapambetura që shteti i ka biznesit privat.
Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se detyrimet e raportuara nga vetë ministritë për kontratat publike arijnë në 27 miliardë lekë. Që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Qeverinë shqiptare ‘Deloitte’ ka verifikuar 80 për qind të këtyre kontratave, që janë dhe ato më të mëdhatë.
Pas dorëzimit raporti do të analizohet më parë nga Ministria e Financave dhe më pas do të bëhet publik. Por kontratat e verifikuara nga ‘Deloitte’ përbëjnë vetëm një pjesë të borxhit të prapambetur që shteti ka ndaj privatëve.
Një shumë e madhe detyrimesh lidhet edhe me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, borxhet në energjetike ato që lidhen me shpronësimet dhe një sërë detyrimesh të tjera, që mendohet se e çojnë shifrën totale të borxheve të papaguara në rreth 500 milionë euro.
Por veç ‘Deloitte’, Ministria e Financave është duke e konsultuar çështjen e identifikimit dhe verifikimit të borxheve të prapambetura edhe me Fondin Monetar. Një mision i FMN pritet të mbërrijë në Tiranë në datën 3 dhjetor për të dhënë miratimin përfundimtar mbi buxhetin dhe paketën e re të taksave.
Burime nga financat thonë për Top Channel se në raportin e misionit të FMN-së pritet të jetë edhe shifra e detyrimeve të prapambetura, të cilat gjithsesi më pas do i nënshtrohen edhe verifikimit në terren nga vetë institucionet publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.