Depërtimi i internetit me linja fikse arrin në 17.8% të popullsisë

19/07/2021 10:00 AM 0 komente

Vitin e kaluar depërtimi i linjave fikse të internetit me brez të gjerë shënoi rritje të mëtejshme.

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse për popullsinë arriti në 17.8%, nga 15.2% që kishte qenë për vitin 2019. I matur mbi numrin e familjeve, ky raport për vitin e kaluar arriti në rreth 70%, nga 60% që kishte qenë një vit më parë.

Me gjithë rritjen e vazhdueshme në vitet e fundit, vetë AKEP vëren se ende Shqipëria ka nivele relativisht të ulëta të depërtimit të linjave fikse të internetit. Sipas statistikave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikaconeve (ITU), vendi me depërtimin më të lartë të internet broadband nëpërmjet linjave fikse në Ballkanin Perëndimor është Mali i Zi, me 28.5%, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 22.6%, Maqedonia e Veriut me 21.3% dhe Serbia me 18.5%.

Të dhënat e Shqipërisë tregojnë për një normë relativisht të ulët të penetrimit të internetit nëpërmjet rrjeteve fikse, mesatarisht 28% të popullsisë në zonat urbane dhe mesatarisht 7% të popullsisë në zonat rurale. Bazuar në të dhënat rajonale në 2020, qarqet me normat më të larta të penetrimit urban janë Tirana dhe Korça, përkatësisht me nga 40.2% dhe 27.8% ndërsa Durrësi është qarku që ka normën më të lartë të penetrimit rural rreth 22%, i ndjekur nga Tirana dhe Shkodra me nga 10% dhe 9%.

Nevoja për të punuar online, ndikuar edhe nga pandemia, ka diktuar rritjen e kërkesës për të pasur lidhje me shpejtësi dhe qëndrueshmëri më të lartë. Pajtimtarët po zhvendosen gjithnjë e më shumë nga paketat e ofruara me shpejtësi të ulët drejt atyre që ofrojnë shpejtësi dhe cilësi më ta lartë. Konkretisht, gjatë vitit 2020, pjesa e pajtimtarëve që përdorin shpejtësi më shumë se 10 Mbps ka arritur në 67%, krahasuar me rreth 41% që ishte në vitin 2019. Gjatë vitit 2020 është evidentuar një rritje e konsiderueshme e pajtimtarëve që përdorin rrjet me shpejtësi më të madhe se 100 Mbps, ku nga rreth 6,500 në vitin 2019, ky numër ka arritur në 15,400 në vitin 2020.

Për të mbështetur rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së ofrimit të shërbimit, operatorët në vitet e fundit po investojnë në teknologji të reja dhe kryesisht në lidhje nëpërmjet fibrës optike. Lidhjet me fibër optike në Shqipëri në fund të vitit 2020 përbënin 46% të totalit të lidhjeve dhe kanë një rritje prej rreth 14 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019. Ofrimi i shërbimit të internetit nëpërmjet fibrës optike ofron marrjen e shërbimit me cilësi dhe qëndrueshmëri më të lartë.

Megjithatë, shumica e lidhjeve të internetit ende kombinojnë fibrën optike me telat e bakrit. Bazuar në raportimet e kryera, sipërmarrësit e rrjeteve fikse përgjatë vitit 2020 kanë kryer rreth 2.8 miliardë lekë investime të cilat kryesisht kanë si destinacion përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband.

Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, AKEP raportonte rreth 506 mijë abonentë të internetit nga linjat fikse, me një rritje vjetore prej afërsisht 14%. /E.Shehu

Burimi: AKEP

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of