Edhe raundi i katërt rezultoi i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin. Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të bëjnë asnjë marrëveshje.
Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe raundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.
“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, shtoi Petkoviq.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me Petkoviqin dhe Bislimin.
Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.
Takimi i sotëm ishte i katërti në kohët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i pesti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel. Të gjitha kanë përfunduar pa ndonjë përparim.
Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Rundi i kaluar i bisedime për këtë çështje mes Bislimit dhe Petkoviqit, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill.
Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës.
Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.
Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.