Kristalina Georgieva, bën thirrje për masa për të rritur produktivitetin dhe për të ulur borxhin, për të shmangur një të ardhme ‘të vakët’.
Ekonomia globale, do të përballet me një dekadë “rritjeje të vakët” dhe “pakënaqësie popullore”, pavarësisht shmangies së një recesioni shumë të frikshëm, ka paralajmëruar drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
“Aktiviteti global është i dobët, sipas standardeve historike dhe perspektivat për rritje, janë ngadalësuar, që nga kriza financiare globale,” tha Georgieva, duke shpjeguar se “inflacioni, nuk është mposhtur plotësisht, masat zbutëse të politikës fiskale janë dobësuar dhe borxhi është rritur, duke paraqitur një sfidë e madhe për financat publike në shumë vende”.
Luftimi i niveleve të larta të borxhit, do të jetë i vështirë, në një vit kur ka një numër rekord zgjedhjesh dhe në një kohë ankthi të shtuar “për shkak të pasigurisë së jashtëzakonshme dhe problemeve ekonomike”, tha ajo, duke shtuar se tensionet gjeopolitike “rrisin rreziqet e fragmentimit të ekonomisë botërore”.
Georgieva shtoi se, pa masa për të rritur produktivitetin dhe për të ulur barrën e borxhit, bota u përball me “një dekadë të ngadaltë dhe zhgënjyese”, të cilën ajo e quajti “të vakët”.
FMN tha se rritja e prodhimit të brendshëm bruto global do të qëndronte në 3.1 % në 2024 dhe do të rritet në 3.2 % në 2025.
Rritja e fortë në SHBA dhe ekonomitë e mëdha në zhvillim, si Indonezia dhe India, si dhe një rënie më e mprehtë se sa pritej e inflacionit, në fund të vitit 2023, ndihmuan në nxitjen e ekonomisë globale – siç bënë tregjet e forta të punës dhe fuqitë punëtore, të nxitura nga rritja e emigracionit.
Drejtuesja e FMN, tha se pandemia e koronavirusit kishte shkaktuar rreth 3.3 trilion dollarë humbje të prodhimit, që nga fillimi në 2020, ndërsa kostot bien në mënyrë disproporcionale mbi vendet më të cenueshme.
Drejtuesi kryesor i rritjes më të dobët, ishte ngadalësimi domethënës dhe me bazë të gjerë të produktivitetit, tha ajo, duke u kërkuar vendeve, të miratojnë masa për të forcuar qeverisjen, për të shkurtuar burokracinë, për të rritur pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës, për të përmirësuar aksesin në kapital dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike.
Ndërsa normat më të larta të interesit, kanë qenë efektive në përballimin e inflacionit, ato nënkuptonin gjithashtu se, kostot e shërbimit të borxhit të qeverive, tani janë në nivelin më të lartë në dekada.
“Në ekonomitë e përparuara, duke përjashtuar SHBA-në, pagesat e interesit për borxhin publik do të jenë mesatarisht rreth 5 % e të ardhurave të qeverisë këtë vit,” tha ajo. “Por, kostoja e shërbimit të borxhit, është më problematike në vendet me të ardhura të ulëta. Pagesat e tyre të interesit, janë mesatarisht rreth 14 p% e të ardhurave të qeverisë – afërsisht dyfishi i nivelit nga 15 vjet më parë.
Normat e interesit në shumë ekonomi të përparuara, janë tani në nivelet më të larta, që nga fillimi i mijëvjeçarit, por Rezerva Federale e SHBA, Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë, pritet të ulin kostot e huamarrjes më vonë këtë vit.
Por, Georgieva kërkoi kujdes në uljen e normave, duke thënë se mund të ketë “surpriza të reja inflacioni, që mund të kërkojnë edhe një periudhë të mëtejshme shtrëngimi monetar”.
Në një goditje ndaj SHBA-së, BE-së dhe Kinës, ajo u bëri thirrje vendeve, që të shmangin zbatimin e politikave industriale.
Por, ndërsa tregtia e lirë duhet të inkurajohet, ajo pranoi se kishte kufizime në politikë, duke thënë: “Ne duhet të shmangim gabimet e së kaluarës, kur ndikimi negativ i globalizimit në disa komunitete, u shpërfill dhe çoi në reagim kundër një ekonomie të integruar botërore”. / FT