Dritë në fund të tunelit

25/04/2012 2:40 PM 0 komente

Distancat po shkurtohen dhe drejt fqinjit lindor dhe jugor do të shkohet më shpejt. Ritmet e punimeve në rrugën Tiranë–Elbasan vlerësohen të mira, ndërsa është ulur edhe kostoja e ndërtimit

Punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan po ecin me ritme më të larta se sa afatet e parashikuara. Ministria e Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit raportoi se rruga do të bëhet e kalueshme në pranverë të vitit 2013, ndërsa brenda këtij viti do të përfundojë ndërtimi i tunelit me gjatësi 4.3 kilometra.

Pak ditë më parë, Kuvendi dha “OK” për marrëveshjen e huasë me vlerë 20 milionë dollarë, që do të jepen në vijim nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabi-t, për financimin e projektit të rrugës Tiranë–Elbasan. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve bën të ditur se ecuria e punimeve në tunelin e Kërrabës, pjesë e rrugës, po vijon me ritme të mira dhe se aktualisht po avancohet me rreth 40 metra në ditë. Nga ana tjetër, edhe kostot e zhvillimit të punimeve janë ulur. Nga 407 milionë dollarë që u llogarit vlera fillestare e projektit, sipas prokurimeve të fundit, ka zbritur në rreth 260 milionë dollarë.

Me ritme të shpejta

Ka shumë gjasa që rruga e re Tiranë-Elbasan të bëhet e kalueshme brenda këtij viti. Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve janë mbyllur të gjitha fazat e prokurimit dhe janë lidhur kontratat e zbatimit dhe të mbikëqyrjes financiare. E gjithë rruga ka gjatësi 27 kilometra dhe është e ndarë në tri segmente. Punimet në dy akset para dhe pas tunelit nuk do të përfundojnë njëkohësisht me tunelin, mirëpo ajo mund të jetë e kalueshme. Drejtoria e Përgjithshme e rrugëve, në detajimin e ecurisë së punimeve, thotë për “Monitor” se për segmentin e parë (Sauk-Hyrje tuneli) kanë filluar punimet në gërmim dhe për ndërtimin e veprave të artit në hyrje të tunelit. Kohëzgjatja e tyre është 16 muaj dhe vlera e punimeve llogaritet në 83 milionë dollarë. Financuesit për këtë segment janë Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabi-t dhe Banka Islamike për Zhvillim.

Në lidhje me punimet në segmentin e dytë të ndërtimit (Tuneli), burimet zyrtare të kësaj drejtorie thonë se ato përfshijnë kryesisht gërmimet e të dyja galerive, ndërtimin e rrugës me dy korsi në secilën galeri (tub), punimet e betonimit, instalimin e të gjitha pajisjeve elektromekanike të funksionimit dhe të sigurisë në tunele, ndërtimin e ambienteve ndihmëse etj. Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme thonë se punimet po ecin në përputhje me parashikimet. Më konkretisht punimet në galerinë e majtë kanë arritur në 76.2%, ndërsa në të djathtën, në 71.14%.

Nëse vazhdohet me këto ritme parashikohet që galeria e majtë e tunelit të hapet në muajin maj.

Për segmentin e tretë (dalje tuneli i Kërrabës-Elbasan) punimet kanë nisur në mesin e shkurtit dhe parashikohet të përfundojnë pas 16 muajve. Në total, ndërtimi i këtij segmenti llogaritet në rreth 85 milionë dollarë. Financuesit janë Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabi-t, Banka Islamike e Zhvillimit dhe OPEC-u.

Sipas kësaj drejtorie, shpenzimet e interesave mbi shumën totale të projektit llogariten në 4.5%. Ndërtimi i kësaj rruge po realizohet me kosto më të ulët se parashikimi, pasi është favorizuar nga efektet e krizës. Kompanitë e kontraktuara për ndërtimin e saj kanë ofruar çmime që rezultojnë rreth 40% më të ulëta. Financimi që do të merret për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan do të shlyhet për 17 vjet.

Ndërtimi i rrugës së re do të shkurtojë ndjeshëm distancat nga

54 kilometra që është aktualisht në 27 kilometra (ose nga 80 minuta në 40 minuta). Mjetet do të lejohen të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Tuneli me gjatësi 4.3 kilometra do të anashkalojë rrugën ekzistuese në Qafën e Kërrabës, e cila është ndërtuar fillimisht gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtria austro-hungareze dhe ka natyrë turistike. Investimi më i rëndësishëm i rrugës është tuneli i Kërrabës.

 

Ulje e kostove ekonomike

Sipas drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, ndikimi ekonomik që do të ketë ndërtimi i kësaj rruge e justifikon investimin. Duke qenë se më shumë se gjysma e sipërfaqes së rrugës do të kalojë në zona urbane, pritet të sjellë më shumë mundësi për zhvillim ekonomik të këtyre zonave. Segmenti i parë prej 2.3 kilometrash do të ketë ndikim më të ndjeshëm në zonën e ndërmjetme urbane mes Tiranës dhe Elbasanit.

Efektet ekonomike e sociale të kësaj autostrade pritet të ndihen edhe më shumë me përfundimin e ndërtimit të asaj që njihet si Boshti Qendror Jugor. Rruga Tiranë-Elbasan do të shërbejë për qarkullimin më të shpejtë drejt kryeqytetit të qytetarëve nga Saranda, Konispoli, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Skrapari, Berati dhe Gramshi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kolonjën, Korçën, Pogradecin, Librazhdin.

Në këtë mënyrë do të mund të rritet edhe konkurrenca, veçanërisht në transportin e mallrave, kostot e së cilës kryesisht me Greqinë pritet të ulen ndjeshëm.

Kur u hartua kostoja për ndërtimin e kësaj rruge u përllogarit edhe parashikimi për Prodhimin e Brendshëm Bruto, demografinë dhe normën e motorizimit. Sipas këtyre studimeve, zhvillimi ekonomik në këto rajone do të jetë i ndryshëm. Në vitin 2017 parashikohet që norma e rritjes së PBB-së për rajonin Tiranë–Durrës do të jetë 7%, për Qarkun e Elbasanit dhe brezin bregdetar do të jetë 6%. Parashikohet që rritja e normës së popullsisë në këto zona të jetë e ulët, nga 1% deri në 1.2% për shkak të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe rënies së emigracionit.

 

Në shërbim të Boshtit Qendror Jugor

Kjo rrugë është pjesë e projektit të rëndësishëm të infrastrukturës së Boshtit Qendror Jugor. Është segmenti i parë i korridorit Tiranë-Elbasan-Berat-Tepelenë. U konsiderua si prioritet nisja e shpejtë e ndërtimit të kësaj autostrade, pasi i shërben më së miri trafikut në këtë bosht. Qeveria shqiptare, me miratimin edhe të Komitetit Drejtues të SEETO-s (Observatori i Transportit i Europës Juglindore) bëri modifikimet përmes së cilës Greqia do të lidhet me Malin e Zi dhe më tej me rrugën Durrës-Morinë (në kufi me Kosovën) me Korridoret Paneuropiane VIII dhe X.

Me ndërtimin e Boshtit Qendror Jugor, transporti i mallrave dhe njerëzve drejt Maqedonisë dhe Greqisë do të jetë më i lehtë dhe me kosto të reduktuar. Gjatësia e këtij korridori do të jetë 179 kilometra dhe në total, kostoja parashikohet në 262 milionë euro. Për të ndërtuar Boshtin Qendror Jugor, kostoja mesatare për kilometër llogaritet në 1.4 milionë euro.

Me ndërtimin e këtij aksi do të shkurtohet distanca, për të arritur si drejt Sarandës ashtu edhe drejt Beratit, duke iu dhënë zhvillim prioritar. Ndërtimi i kësaj rruge zbut tërësisht trafikun në anën perëndimore. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, parashikohet që deri në vitin 2023 qarkullimi ditor i mjeteve të jetë rreth 18,000 për aksin Tiranë-Elbasan dhe 6,000 mjete për Elbasan-Berat. Komponentët kryesorë të këtij boshti janë: bypass-i i Tiranës (Kashar-Vaqarr-Mullet) me gjatësi 17 kilometra dhe me kosto rreth 100 milionë euro, bypass-i i Elbasanit me gjatësi 10 kilometra dhe me kosto 70 milionë euro dhe Elbasan-Qukës me gjatësi 43 kilometra dhe me kosto 320 milionë euro. Ky aks do të mundësojë lidhje më të shpejtë me Maqedoninë dhe Greqinë dhe do të marrë trafikun që do të vijë nga Shkodra, Durrësi dhe Kosova (nëpërmjet rrugës së re Tiranë-Elbasan). Kjo do të reduktojë me rreth 50% kohën dhe kostot e transportit të mallrave dhe njerëzve nga Porti i Durrësit në pjesët e tjera të Shqipërisë.

Parashikimi ditor i trafikut

Në vitin 2023

rreth 18,000 mjete në rrugën Tiranë–Elbasan

rreth 6,000 mjete në rrugën Elbasan–Berat

 

Disa nga parametrat e autostradës Tiranë-Elbasan

100-120 km/h – shpejtësia e projektimit

3.75 m – gjerësia e një vije kalimi

18.5 km – gjatësia e rrugës në mbushje

17.4 km – gjatësia e rrugës në gërmim

4.3 km – gjatësia totale e tunelit për të dyja galeritë

7 –         numri i mbikalimeve

4- numri i nënkalimeve

 

Shifra

400 milionë dollarë kostoja fillestare

260 milionë dollarë përllogaritet kostoja aktuale

 

Aktor (anëtar i “Ellaktor Group”): Në faqen zyrtare të kompanisë greke që po ndërton tunelin e Kërrabës, ky projekt përshkruhet kështu: qëllimi i punimeve në këtë projekt është ndërtimi i dy galerive të tunelit, si pjesë e një rruge të re me dy korsi që lidh Tiranën me Elbasanin. Autostrada nis në pjesën jugore të zonës urbane të Tiranës. Të dyja galeritë e tunelit, një për çdo drejtim, kanë gjatësi 2,100 metra sipas drejtimit Tiranë-Elbasan dhe 2,300 metra në drejtimin e kundërt.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of