Ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga qeveria që të ndryshojë sistemin fiskal në tërësi duke shmangur pabarazinë ndaj individëve dhe bizneseve. Më shumë se ndryshimi i taksave, rëndësi ka sistemi dhe administrata tatimore
Nga Laura Çela
Debati mbi taksën e sheshtë apo progresive ka nisur dhe organizata të ndryshme biznesi kërkojnë nga qeveria “Rama” që të ruajë në nivele të ulëta taksat për sipërmarrjen, sidomos në një periudhë krizë ekonomike si kjo aktualja.
Që prej vitit 2007 Shqipëria aplikon një sistem fiskal të bazuar në taksën e sheshtë, e cila me 10 për qind është më e ulëta në rajon. Arsyeja primare për vendosjen e kësaj takse ishte niveli i lartë i evazionit fiskal në Shqipëri.
Por qeveria ka konfirmuar prej muajsh, se në vend nuk do të aplikohet më taksa e sheshtë, sidomos në drejtim të ardhurave personale.
Teorikisht taksimi progresiv synon të luftojë në mënyrë të gabuar pabarazinë e rrethanave të njerëzve, duke pasur si qëllim të prodhojë një barazi më të madhe të rezultateve. Por nuk janë të paktë ekonomistët dhe ekspertët që mendojnë se përmes taksimit progresiv sistemi korruptohet më shumë dhe të ardhurat që gjenerohen nuk janë më të mëdha.
Sipas të dhënave nga relacioni i buxhetit të rishikuar të këtij viti, totali i të ardhurave nga administrata tatimore për 8 mujorin arriti në 57.3 miliard lekë (pa kontributet), rreth 10.1 përqind më pak se plani ose 20.4 për qind më pak se një vit më parë.
Performanca më e dobët vihet re në të ardhurat nga TVSH me rreth 21.4 përqind më pak se plani i periudhës dhe rënie vjetore 11.3 për qind, ndjekur nga taksat nacionale me 17.4 përqind më pak se parashikimi dhe 20 për qind më pak se një vit më parë.
Tatimi mbi fitimin ka realizuar 4.4 për qind më pak të ardhura se parashikimi për 8 mujorin dhe 11.7 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Vetëm të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë tejkaluar pritshmëritë e periudhës, me rreth 2.2 për qind dhe janë 8.7 për qind më të larta se një vit më parë.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është mbledhur në masën 70.1 miliard lekë gjatë periudhës janar-gusht 2013, gati 10 miliard më pak se sa pritej dhe 8.2 për qind më pak në terma vjetorë.
Revista ‘Monitor’ ka intervistuar disa ekspertë të Ekonomisë në vend. Të gjithë theksojnë idenë e ndryshimit rrënjësor të sistemit tatimor, i cili në thelb të garantojë drejtësi për bizneset. Më shumë sesa ndryshimet e taksave, që po ndodhin shpesh në Shqipëri dhe që realisht nuk kanë sjellë më shumë të ardhura, duhet ndryshuar skema dhe sistemi fiskal.
Dekani i Fakulteti Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Sulo Hadëri thotë në një intervistë për “Monitor” se fillimisht, bizneset e mbështetën politikën e uljes së taksave dhe rritën bashkëpunimin e tyre me administratën tatimore. Nga ana tjetër, qeveria në fillimet e saj ndërmori edhe reforma të tjera që mbështesnin bërjen e biznesit në vendin tonë.
“Por, ky vrull i qeverisë, veçanërisht në mandatin e dytë, erdhi duke u zbehur dhe marrëdhënia midis biznesit dhe qeverisë u përkeqësua nga viti në vit. Ulja e taksave për biznesin ishte një mbështetje direkte dhe kjo bëri që ata të rregullojnë bilancet e tyre, duke ulur si evazionin ashtu edhe pagesën e ryshfeteve. Megjithatë, politika e qeverisë për të rritur pagat, pensionet, investimet publike dhe shpenzime të tjera detyroi sistemin tatimor të sillet hileqar me biznesin. Biznesi u përball me vështirësi të mëdha në rimbursimin e taksave (TVSH, akcizë), u përball me rritje gjobash, u përball me taksa të reja, u përball me mospagesë të kontratave të kryerjes së investimeve publike”, thotë z.Hadëri.
Ish-nëndrejtori i Tatimeve, Xhavit Curri, nga ana tjetër është kategorikisht kundër taksimit të sheshtë, sidomos në drejtim të ardhurave personale. Sipas tij ky lloj sistemi nuk aplikohet as nga shtetet më të fuqishme të Europës dhe botës, që kanë nivel shumë më të ulët korrupsioni dhe sisteme shumë të konsoliduara fiskale.
“Edhe në ato vende të Europës Lindore që aplikojnë sistem taksimi të sheshtë tashmë kanë hapur diskutimet për ndryshimin e tij dhe rivendosjen e taksimit progresiv”, shton z.Curri.
Z.Enea Janko, i cili drejton ‘Tirana Business University’, thotë se teorikisht, çdo ulje e taksave, duhet të çojë në ulje të evazionit fiskal nga ana e tatimpaguesve.
“Por në kushtet e Shqipërisë, kur evazioni është kthyer në kulturë dhe në një ndër avantazhet më të mëdha konkurruese të kompanive, në kushtet që kompanitë punojnë në një treg ku nuk zbatohen rregullat e konkurrencës së drejtë dhe kur marrëdhëniet me faktorët qeveritarë janë esencialë për suksesin apo dështimin e biznesit, pesha e këtyre masave është e pandjeshme”, thotë ai.
——————–
INTERVISTA
Flet prof. dr Sulo Hadëri, dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës
“Ndryshimet jo vetëm në taksa, por në gjithë sistemin”
Shqipëria, deri më sot, po aplikon taksën e sheshtë, sa efikase mendoni se ka qenë ajo?
Ndryshimet në sistemin e taksave pas vitit 2005 janë reflektuar në dimensione të ndryshme, si për sa i përket nivelit të tyre ashtu edhe administrimit dhe ndërhyrjeve të shpeshta në legjislacionin tatimor.
Së pari, është e rëndësishme të ndajmë sistemin e taksimit të sheshtë me ndryshimin e nivelit të taksave. Sistemi i taksimit të sheshtë fshehu rritjen e taksës mbi të ardhurat personale.
Taksat mbi pagën u rritën dhe taksat mbi biznesin u ulën. Kështu, sipas INSTAT, paga mesatare mujore në vitin 2005 për punonjësit e kategorisë specialist ishte 29,899 lekë dhe taksa që paguanin ishte 935 lekë, ose 3.13 për qind, ndërsa në vitin 2012, paga mesatare mujore arriti në 59,954 lekë dhe paguhej një taksë prej 10 përqindësh, pra 5,995 lekë. Kështu që paga është rritur me 2 herë, ndërsa pjesa që i paguhet shtetit, taksa personale, është rritur me 6.4 herë.
Së dyti, ulja e taksës mbi fitimin e korporatave e detyroi qeverinë të përdorte mënyra të tjera për të kompensuar humbjen në të ardhurat buxhetore. Kështu, në sistemin tatimor, u shfaqën mënyra të tjera të mbledhjes së taksave, siç ishte ajo e referencave, e ndryshimit të rregullave kontabël, apo futja e taksave të reja të klasifikuara si taksa kombëtare. Për sa e kam ndjekur këtë reformë, mendoj që ajo ka qenë e nxituar, jo e studiuar, jo e sinqertë dhe me kalimin e viteve, administrata tatimore rriti arbitraritetin dhe reforma humbi besimin. Kështu që ajo, jo vetëm nuk ishte efikase, por kërkohet një angazhim serioz për të krijuar një sistem taksimi të drejtë dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik.
A gjykoni se ka nxitur bizneset të deklarojnë më shumë të ardhura dhe të shmangin evazionin fiskal? A kemi qenë më kompetitivë për investitorët?
Mendoj që fillimisht, bizneset e mbështetën politikën e uljes së taksave dhe rritën bashkëpunimin e tyre me administratën tatimore. Nga ana tjetër, qeveria në fillimet e saj ndërmori edhe reforma të tjera që mbështesnin bërjen e biznesit në vendin tonë. Por, ky vrull i qeverisë, veçanërisht në mandatin e dytë, erdhi duke u zbehur dhe marrëdhënia midis biznesit dhe qeverisë u përkeqësua nga viti në vit. Ulja e taksave për biznesin ishte një mbështetje direkte dhe kjo bëri që ata të rregullojnë bilancet e tyre, duke ulur si evazionin ashtu edhe pagesën e ryshfeteve. Megjithatë, politika e qeverisë për të rritur pagat, pensionet, investimet publike dhe shpenzime të tjera detyroi sistemin tatimor të sillet hileqar me biznesin. Biznesi u përball me vështirësi të mëdha në rimbursimin e taksave (TVSH, akcizë), u përball me rritje gjobash, u përball me taksa të reja, u përball me mospagesë të kontratave të kryerjes së investimeve publike. Sektori energjetik i proklamuar në fillim si një sektor strategjik, u ndesh me vështirësi të paparashikuara, siç ishte ajo e mospagesës së shitjes së prodhimit. Pra, dëshira për të qenë konkurruese ishte për t’u përshëndetur, por ajo nuk u materializua në ekonominë reale. Sigurisht që këtu nuk mund të themi që faji ishte tek sistemi i taksimit të sheshtë.
Në kushtet e Shqipërisë dhe të krizës, a mendoni se duhet të aplikohet taksa e sheshtë apo progresive?
Nuk mendoj që çështja është kaq e thjeshtë, taksë e sheshtë apo taksë progresive. Siç u shpreha edhe në pyetjen e parë, taksimi i sheshtë në vendin tonë, më shumë ka qenë një retorikë politike se sa një sistem i bazuar në synime të qarta ekonomike. E rëndësishme është që sistemi ynë i taksimit duhet rishikuar dhe thelbi i ndryshimit të jetë barra e kësaj takse mbi të ardhurat personale. Nëpërmjet shkallëzimit progresiv të ndërtuar me maturi, duhet të rregullohen gabimet që erdhën si pasojë e taksimit të sheshtë, rritje e taksave për pjesën më të madhe të të punësuarve dhe të mos përsëritet i njëjti gabim në anën e të punësuarve që kanë paga relativisht të larta. Ekonomia jonë ka nevojë për menaxherë dhe sipërmarrës dhe rritja e taksave mbi të ardhurat e tyre më shumë dëmton se sa sjell përfitime. Mendoj që sistemi i taksimit të të ardhurave personale duhet të mbështetet në praktikat më të mira botërore, siç është ai i deklarimit vjetor, dhe mbi këtë deklarim zgjidhet si çështja e drejtësisë sociale, ashtu edhe mundësisë për të paguar taksat. Ndërsa për taksimin e fitimit të kompanive mendoj që taksimi i sheshtë është më superior, pavarësisht nivelit të taksës. Debatet për nivelin e taksimit të kompanive që përdorin burimet publike, mendoj që nuk zgjidhen vetëm nëpërmjet taksimit, por nëpërmjet ndërhyrjes direkte nga autoritetet rregullatore.
Rajoni në përgjithësi aplikon taksë të sheshtë për të joshur investimet e huaja. A mund të përbëjë problem taksa progresive këtu për uljen e konkurrueshmërisë?
Sigurisht që sistemi i taksave është një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen për të investuar, por nuk është faktori i vetëm, të mos harrojmë që për 40 vjet, në Shqipëri, nuk pati taksa dhe nuk pati as investime të huaja. Ndryshimi i nivelit të taksës është reforma më e thjeshtë që mund të ndërmarrë një qeveri, por konkurrueshmëria është shumëdimensionale. Rritja e taksave rëndon biznesin, por duhet të dallojmë nivelin e taksës me barrën e taksave mbi biznesin. Një sistem ideal tatimor është ai sistem që barazon nivelin e taksimit me barrën reale të taksave.
Barra e taksave, përveç nivelit të taksave, përfshin edhe taksa të fshehura, qofshin ato legale apo ilegale. Kështu që një rritje e taksave, por që është nën nivelin e barrës aktuale të taksave, nuk do ta rëndonte konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë, madje do ta forconte. Por, siç e thashë, për të përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë kërkohet një strategji e qartë dhe që prek sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë.
——————–
INTERVISTA
Flet Xhavit Curri, konsulent fiskal, ish-nëndrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
“Tatim progresiv për të ardhurat, për kompanitë mund të ruhet tatimi i sheshtë”
Vendi ynë, deri më sot, po aplikon taksën e sheshtë, sa efikase mendoni se ka qenë ajo?
Në botën demokratike, të dy sistemet janë të pranueshëm dhe të zbatueshëm. Në këtë kuptim, është e pakuptimtë të emërtosh njërën si taksë marksiste dhe tjetrën si taksë demokratike. Për më tepër, për hir të së vërtetës, është fare e qartë se taksa e sheshtë është vetëm një eksperiment i zbatuar vetëm këtë dhjetëvjeçarin e fundit, vetëm nga vendet e Europës Lindore dhe Qendrore. Në botën e zhvilluar perëndimore, as nuk mund të mendohet që për të ardhurat personale të individëve të zbatohet taksë e sheshtë. Në këto vende, tatimi progresiv i të ardhurave të individëve është një sistem i mirëprovuar, i cili ka fituar qytetari këtu e shumë dekada më parë dhe asnjëherë ai nuk është hedhur për diskutim. Kjo, për arsyen e vetme se tatimi progresiv i të ardhurave personale të individëve është tatim shumë më i drejtë, i cili të lejon të ndërmerren politika lehtësimi për shtresa të caktuara individësh me të ardhura modeste, gjë që taksa e sheshtë nuk ta lejon.
Kur flitet për taksim progresiv, duhet nënkuptuar gjithmonë se bëhet fjalë për taksimin e të ardhurave personale të individëve dhe jo për tatimin mbi fitimin e bizneseve. Fitimi nga biznesi, pothuajse kudo në botë, taksohet me një deri në dy norma tatimi. Pra për taksimin e fitimeve të bizneseve nuk mund të bëhet fjalë për taksim progresiv. Realisht edhe te ne, kur flitet për taksimin progresiv, është fjala dhe mbahet parasysh taksimi i të ardhurave personale të individëve dhe jo taksimi i të ardhurave nga biznesi.
Taksimi i sheshtë krijon një hendek të paarsyeshëm në barrën fiskale të individëve. Në bazë të këtij taksimi, individi që merr një pagë mujore prej 29,900 lekësh nuk do të paguajë asnjë lek tatim, kurse individi që merr një pagë mujore prej 30,100 lekësh do të paguajë 3,010 lekë tatim mbi të ardhurat personale. Në këtë mënyrë, pra midis këtyre dy individëve, paga e të cilëve në thelb është pothuajse e njëjtë, krijohet një pabarazi e dukshme në taksim dhe në barrën fiskale të tyre. Kjo të çon në përfundimin se politika fiskale e taksës së sheshtë, ndër të tjera është politikë e padrejtë taksimi. Nëse për tatimin mbi të ardhurat personale do të ndiqej politika e taksimit progresiv, kjo padrejtësi mund të zbutet në maksimum. Kështu për shembull, mund të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale pagat deri në 30 mijë lekë dhe të vendoset një tatim më i arsyeshëm prej 3-5 përqindësh për pagat 30 deri në 40 mijë lekë dhe përqindja e tatimit rritet në mënyrë të shkallëzuar për fashot e pagave që vijnë në rritje.
Për sa i përket taksimit të të ardhurave të siguruara nga ushtrimi i një veprimtarie ekonomike të pavarur, pra nga ushtrimi i një biznesi, mendoj se nuk mund të bëhet fjalë për taksim progresiv. Këto të ardhura, si kudo, edhe te ne, sigurisht tatohen me një ose dy përqindje të caktuara, të cilat përcaktohen duke mbajtur parasysh një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me optimizimin e nevojës për të siguruar të ardhurat e nevojshme për buxhetin e shtetit, pa dëmtuar interesin për nxitjen e rritjes ekonomike, për formalizimin e ekonomisë dhe për inkurajimin e investimeve në vend. Megjithatë, edhe për këto të ardhura, unë mendoj se ka ardhur koha që përveç normës bazë prej 10 përqindësh, aktualisht për të gjitha kategoritë e bizneseve, të kalohet edhe në një normë tjetër më të lartë taksimi, në bazë të së cilës të tatohen të ardhurat e realizuara nga kategori specifike biznesi, rentabiliteti i të cilëve është dukshëm më i lartë për shkaqe që kanë të bëjnë me pozitat monopol në të cilat ato ndodhen apo me arsye të tjera të çfarëdoshme.
A mendoni se taksa e sheshtë ka nxitur bizneset të deklarojnë më shumë të ardhura dhe të shmangin evazionin fiskal? A kemi qenë më kompetitivë për investimet?
Sigurisht në momente të caktuara, e sidomos në momentet e ndryshimit të pushteteve, është më se normale të bëhen ndryshime të rëndësishme në legjislacionin fiskal, për të pasqyruar në të politikat e reja fiskale të shprehura në programet elektorale të mazhorancës së re. Në këtë kontekst, edhe ideja për ndryshime të shpeshta në legjislacionin fiskal, për të mos thënë e gabuar, është jo prioritare, po të kemi parasysh sidomos nevojën imediate për reformimin e administrimit tatimor, për përmirësimin e nivelit të administrimit të tatimeve dhe taksave nëpërmjet modernizimit të administratës tatimore, për informatizimin e mëtejshëm të tatimeve dhe të informacionit, për përmirësimin e marrëdhënieve me tatimpaguesit, për ofrimin e shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit, për përmirësimin e edukatës fiskale të tyre, për menaxhimin e kontrollit tatimor të bazuar në analizën e riskut, etj. Është i njohur tashmë fakti se, problem në vendin tonë nuk janë ligjet, ato përgjithësisht janë të mira dhe bashkëkohore, por zbatimi i tyre. Nisur nga kjo, në fokus, nuk duhet të jenë ndryshimet fiskale, por modernizimi i administratës tatimore, i cili po ecën ekstremisht ngadalë. Kjo është theksuar shumë herë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për më tepër, ndryshimet e shpeshta, rrisin pasigurinë për bizneset, bëjnë të pamundur prognozën dhe parashikimet për rezultatet e tyre të pritshme, prishin stabilitetin e krijuar prej tyre, vështirësojnë njohjen, ndjekjen dhe zbatimin e tyre si nga bizneset, ashtu dhe nga vetë punonjësit e administratës tatimore.
Në fokus duhet të jetë përmirësimi i nivelit të administrimit të tatimeve dhe taksave nëpërmjet modernizimit të administratës tatimore, informatizimit të mëtejshëm të tatimeve dhe të informacionit, përmirësimit të marrëdhënieve me tatimpaguesit, ofrimit të shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit, menaxhimit të kontrollit tatimor të bazuar në analizën e riskut, etj.
Në kushtet e Shqipërisë dhe të krizës, a mendoni se duhet të aplikohet taksa e sheshtë apo progresive?
Lidhur me këtë, mendoj se duhet të përgatitet një kuadër sa më i plotë nënligjor në formën e manualeve sqarues të të gjithë dispozitave ligjore fiskale, si një masë preventive tepër e rëndësishme për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve të ndërsjella të biznesit me administratën tatimore. Prej kohësh, dhe sidomos aktualisht, kjo klimë është acaruar ekstremisht, duke rritur ndjeshëm pasigurinë e bizneseve dhe duke penguar, duke vështirësuar e duke frenuar seriozisht iniciativën e tyre. Burimi i kësaj klime është e qartë që ka të bëjë me mungesën e procedurave të shkruara e të dokumentuara mirë në manuale të detajuar pune. Është kjo arsyeja pse në shumë e shumë raste, në realitetin e përditshëm, ndeshen qëndrime arbitrare e abuzive të inspektorëve të tatimeve në marrëdhëniet e tyre me biznese të ndryshme, e veçanërisht me bizneset e ndërtimit. Arrihet deri atje sa për të njëjtin problem, inspektorët e tatimeve në të njëjtën drejtori rajonale të tatimeve apo në drejtori të ndryshme rajonale të mbajnë qëndrime të kundërta, ose ndodh që i njëjti problem i trajtuar për një kohë të caktuar, në një mënyrë nga një drejtori rajonale, në një kohë tjetër të trajtohet krejt ndryshe. Mendoj se mungesa e një kuadri të plotë nënligjor, që do të sqaronte mënyrën sesi duhen kuptuar dhe zbatuar në praktikë dispozitat e legjislacionit tonë fiskal, është aktualisht problemi më serioz dhe më i rëndësishëm i përmirësimit dhe i modernizimit të administrimit tatimor, zgjidhja e të cilit do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ndjeshëm në përmirësimin e klimës për biznes, për të cilën flitet shumë, por realisht është bërë fare pak. Një gjë e tillë kërkon përkushtimin dhe gatishmërinë e drejtuesve të administratës tatimore për të marrë rolin drejtues në organizimin e punës për dokumentimin e të gjithë procedurave të administrimit të tatimeve nëpër manuale teknike të detajuar pune. Për këtë, administrata tatimore duhet të bashkëpunojë ngushtë me përfaqësuesit e të gjithë llojeve të bizneseve, si një ndërmarrje që kërkon punë voluminoze, kërkon njohje të mirë të bizneseve, të situatave reale që lindin në praktikën e përditshme të ushtrimit të një biznesi, të rrethanave konkrete që krijohen dhe të qëndrimeve e interpretimeve fiskale që duhen mbajtur për secilin prej tyre. Në mënyrë që ndërmarrja e një nisme të tillë të garantojë suksesin e duhur, ne jemi të mendimit që në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ngrihet dhe të funksionojë në mënyrë permanente një njësi teknike (bërthamë) procedurash, në përbërje të së cilës të vendosen specialistët më të mirë e më të përgatitur të administratës tatimore dhe përfaqësuesit më të specializuar dhe të spikatur të organizmave private të auditimit kontabël, të kontabëlve të miratuar dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave të biznesit.
Rajoni në përgjithësi aplikon taksë të sheshtë për të joshur investimet e huaja. A mund të përbëjë problem këtu taksa progresive për uljen e konkurrueshmërisë?
Është e domosdoshme të përgatitet një kuadër sa më i plotë nënligjor në formën e manualeve sqarues të të gjithë dispozitave ligjore fiskale, si një masë preventive tepër e rëndësishme për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve të ndërsjella të biznesit me administratën tatimore. Prej kohësh dhe sidomos aktualisht, kjo klimë është acaruar ekstremisht, duke rritur ndjeshëm pasigurinë e bizneseve dhe duke penguar, duke vështirësuar e duke frenuar seriozisht iniciativën private të tyre. Burimi i kësaj klime ka të bëjë me mungesën e procedurave të shkruara e të dokumentuara mirë në manuale të detajuar pune. Është kjo arsyeja pse në shumë e shumë raste, në realitetin e përditshëm, ndeshen qëndrime arbitrare e abuzive të inspektorëve të tatimeve në marrëdhëniet e tyre me biznese të ndryshme e veçanërisht me bizneset e ndërtimit. Arrihet deri atje sa për të njëjtin problem, inspektorët e tatimeve në të njëjtën drejtori rajonale të tatimeve apo në drejtori të ndryshme rajonale të mbajnë qëndrime të kundërta, ose ndodh që i njëjti problem i trajtuar për një kohë të caktuar në një mënyrë, nga një drejtori rajonale, në një kohë tjetër të trajtohet krejt ndryshe. Mendoj se mungesa e një kuadri të plotë nënligjor, që do të sqaronte mënyrën sesi duhen kuptuar dhe zbatuar në praktikë dispozitat e legjislacionit tonë fiskal, është aktualisht problemi më serioz dhe më i rëndësishëm i përmirësimit dhe i modernizimit të administrimit tatimor, zgjidhja e të cilit do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ndjeshëm në përmirësimin e klimës për biznes, për të cilën flitet shumë, por realisht është bërë fare pak. Një gjë e tillë kërkon përkushtimin dhe gatishmërinë e drejtuesve të administratës tatimore, për të marrë rolin drejtues në organizimin e punës për dokumentimin e të gjithë procedurave të administrimit të tatimeve nëpër manuale teknike të detajuar pune. Për këtë, administrata tatimore duhet të bashkëpunojë ngushtë me përfaqësuesit e të gjithë llojeve të bizneseve, si një ndërmarrje që kërkon punë voluminoze, kërkon njohje të mirë të bizneseve, të situatave reale që lindin në praktikën e përditshme të ushtrimit të një biznesi, të rrethanave konkrete që krijohen dhe të qëndrimeve e interpretimeve fiskale që duhen mbajtur për secilin prej tyre. Në mënyrë që ndërmarrja e një nisme të tillë, të garantojë suksesin e duhur, ne jemi të mendimit që në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ngrihet dhe të funksionojë në mënyrë permanente një njësi teknike (bërthamë) procedurash, në përbërje të së cilës të vendosen specialistët më të mirë e më të përgatitur të administratës tatimore dhe përfaqësuesit më të specializuar dhe të spikatur të organizmave private të auditimit kontabël, të kontabëlve të miratuar dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave të biznesit.
———————
INTERVISTA
Flet Enea Janko, administrator i Tirana Business University
“Sistemi fiskal duhet të nxisë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”
Shqipëria, deri më sot, po aplikon taksën e sheshtë, sa efikase mendoni që ka qenë ajo?
Gjatë 7-8 vjetëve të fundit, ndryshimet më të rëndësishme në sistemin tatimor shqiptar, ishin ulja e tatimfitimit për kompanitë nga 20 në 10% dhe kalimi i tatimit mbi të ardhurat personale nga sistemi progresiv me disa nivele, në një tatim të sheshtë 10%, duke përjashtuar së fundmi tatimin e të ardhurave deri në 30 mijë lekë.
Ndikimi që kanë luajtur këto ndryshime tatimore, në rritjen ekonomike të vendit, për mendimin tim kanë qenë negative, sepse, së pari, u rrit ngarkesa tatimore për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke ulur në të njëjtën kohë edhe fuqinë blerëse dhe kërkesën agregate për mallra dhe shërbime në treg, që vjen kryesisht nga kjo shtresë e popullsisë që përbën mbi 90% të saj, si dhe duke thelluar njëkohësisht pabarazinë sociale, çka është shoqëruar me një sërë pasojash të tjera negative.
Kriza ekonomike që jetojmë sot, është kryesisht krizë e konsumit të ulët dhe ndërkohë që sistemi tatimor shqiptar është i ndërtuar në mënyrë të tillë që, mbi 70% e ngarkesës tatimore vjen nga tatimet dhe taksat indirekte që rëndojnë mbi konsumin, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, akcizat, taksat doganore, etj., ndryshimet që bëri qeveria e mëparshme çuan në një rënie të mëtejshme të konsumit dhe stimuluan rënie shitjeve të biznesit, çka u shoqërua me shkurtime të vendeve të punës, shkurtime të shpenzimeve dhe investimeve të kompanive, etj., duke e çuar biznesin dhe ekonominë në një rënie të pashmangshme.
A mendoni se taksa e sheshtë ka nxitur bizneset të deklarojnë më shumë të ardhura dhe të shmangin evazionin fiskal? A kemi qenë më kompetitivë për investimet?
Teorikisht, çdo ulje e taksave, duhet të çojë në ulje të evazionit fiskal nga ana e tatimpaguesve, por në kushtet e Shqipërisë, kur evazioni është kthyer në kulturë dhe në një ndër avantazhet më të mëdha konkurruese të kompanive, në kushtet që kompanitë punojnë në një treg ku nuk zbatohen rregullat e konkurrencës së drejtë dhe kur marrëdhëniet me faktorët qeveritarë janë esencialë për suksesin apo dështimin e biznesit, pesha e këtyre masave është e pandjeshme.
Ulja e tatimit mbi fitimin, vetëm sa rriti fitimet e kompanive të mëdha që punojnë në tregje pothuajse monopolistike apo ogopolistike, dhe pjesa më e madhe e këtyre fitimeve janë transferuar jashtë vendit në formën e dividentit, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kapitalin financiar që i duhet ekonomisë për t’u rritur dhe zhvilluar, duke ulur ndërkohë, në mënyrë të ndjeshme, edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit që i ka kompensuar këto të ardhura nëpërmjet rritjes së borxhit publik që po bëhet një ndër faktorët më shqetësues për ekonominë shqiptare.
Që Shqipëria të bëhet tërheqëse për investitorët shqiptarë apo të huaj, përpara se të ulësh taksat apo të falen pronat publike, është e rëndësishme që të ndërmerren një sërë masash të tjera që janë vërtet pengesë e madhe për investitorët, siç janë masat që lidhen me dhënien dhe mbrojtjen e së drejtës së pronës, siguria e jetës dhe e biznesit, konkurrenca e drejtë dhe e barabartë përpara ligjit, marrëdhëniet ligjore normale me institucionet publike, reduktimi i evazionit fiskal, rritja e përmasave të tregut të Shqipërisë duke unifikuar politikat dhe ligjet me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, etj.
Në kushtet e Shqipërisë dhe të krizës, a mendoni se duhet të aplikohet taksa e sheshtë apo progresive?
Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për të bërë një rishikim të plotë të sistemit tatimor, si për sa u përket niveleve të taksave, ashtu edhe për sa u përket procedurave tatimore dhe administrimit të të ardhurave publike.
Ne kemi nevojë për një sistem të drejtë fiskal që, jo vetëm të jetë stimulues për rritjen e investimeve dhe të konkurrueshmërisë së biznesit dhe ekonomisë kombëtare në tërësi, por që të stimulojë edhe rritjen e konsumit dhe besimin e qytetarëve dhe taksapaguesve se të ardhurat që ata paguajnë për shtetin do t’i kthehen në të mira publike dhe nuk do të shkojnë për të favorizuar grupimet e pasura, duke thelluar pabarazinë shoqërore dhe duke ulur në mënyrë katastrofike energjitë njerëzore të vendit, kreativitetin, iniciativën, sipërmarrjen dhe përgjegjshmërinë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.
Sistemi aktual fiskal, ku mbi 70% e të ardhurave tatimore sigurohen nga taksat dhe tatimet mbi konsumin dhe nën 30% e tyre sigurohen nga taksat dhe tatimet e drejtpërdrejta, nuk ka asnjë ngjashmëri me modelin e ndonjë vendi tjetër në BE, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe ku pesha e taksave ka një shpërndarje shumë më të drejtë dhe ku ata që fitojnë më shumë, duhet të paguajnë më shumë, jo vetëm për shkak të përfitimeve shumë herë më të mëdha që ata kanë prej të mirave publike, por edhe sepse rritja e mundësive për të konsumuar më shumë nga shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të çojë në një rritje të produktivitetit të së gjithë shoqërisë dhe në një perspektivë më të sigurt për biznesin dhe individët me të ardhura më të larta.
Sistemi i deritanishëm fiskal ka sjellë vetëm një përqendrim të dukshëm të kapitalit te një grusht korporatash vendase apo të huaja, suksesi i të cilave është bazuar te marrja e koncesioneve apo të drejtave të ndryshme nga qeveria, shfrytëzimi pa kriter dhe shkatërrimi i pasurive natyrore të vendit, favorizimi nëpërmjet tenderëve për investimet publike, etj., dhe ka dëmtuar rrënjësisht klimën reale për biznesin e vërtetë që përpiqet të gjejë dhjetëra mënyra për të mbijetuar.
Pra, është e qartë që jam për një sistem tatimor progresiv, që do të stimulonte më shumë shtresat e mesme dhe me të ardhura të ulëta të shoqërisë.
Rajoni në përgjithësi aplikon taksë të sheshtë për të joshur investimet e huaja. A mund të përbëjë problem këtu taksa progresive për uljen e konkurrueshmërisë?
Nisur edhe nga deklarimet publike që kanë bërë organizatat e biznesit të huaj në Shqipëri, por edhe mendimi im, është se Shqipëria nuk është shumë tërheqëse për investitorët e huaj, për shkak të problemeve shumë komplekse që ka vendi dhe që nuk lidhen kryesisht me sistemin e taksave që zbatohet.
Sigurisht që Shqipëria duhet të jetë konkurruese me vendet e rajonit edhe për sa i përket nivelit të ngarkesës tatimore, por kjo nuk lidhet vetëm me tatimfitimin, lidhet me të gjitha taksat dhe tatimet në tërësi, prandaj po e theksoj që kemi nevojë për të bërë një analizë të detajuar dhe një ndryshim rrënjësor të funksionimit të sistemit fiskal, në drejtim të nivelit të tatimtaksave, procedurave dhe administrimit fiskal.
Kemi nevojë që të ndërtojmë një sistem fiskal që të stimulojë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, sidomos sipërmarrjet e reja (start-up), që të nxisë bashkëpunimin midis biznesit dhe institucioneve kërkimore shkencore, që të motivojë inovacionet dhe investimet që bazohen te dija dhe që sjellin vlerë të shtuar, duke i bërë produktive dhe konkurruese bizneset, produktet dhe shërbimet shqiptare, jo vetëm në rajon, por edhe në tregun global.
Niveli i tatimit fitimit në disa vende të rajonit:
Shteti Tatim fitimi
Shqipëri 10%
Bullgari 10%
Kroaci 20%
Maqedoni 10%
Mal i Zi 9%
Rumani 16%
Serbi 15%
Burimi: Banka Botërore
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.