Intervista e Dr.Orhan Coskun, drejtor i përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile
Ishin të parët që shtuan konkurrencën në një shërbim që prej vitesh ishte duopol dhe tashmë që telefonia celulare është liberalizuar tërësisht
dhe tregu është bërë më agresiv se asnjëherë tjetër ndihen më komodë për të përballuar presionet. Dr.Orhan Coskun, drejtor i përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile,
pohon në një intervistë për Monitor se Eagle mobile do të vijojë të rrisë praninë në treg.
Si do ta vlerësonit ecurinë e tregut të telekomunikacioneve gjatë vitit 2011 (të dhënat tregojnë për një ulje të tregut, i matur sipas qarkullimit vjetor në lekë me rreth 3.5%)? Pse mendoni se ka ardhur kjo rënie?
Janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e tregut të telekomunikacionit. Më i rëndësishmi ndër këta faktorë është reflektimi i krizës ekonomike globale në Shqipëri.
Është e qartë se kjo ka ndikuar ndjeshëm në fuqinë blerëse të konsumatorëve. Ulja e çmimeve si pasojë e konkurrencës së ashpër dhe futja në treg e një tjetër operatori ka bërë
që tregu i telekomunikacionit të rritet ndjeshëm si dhe në mënyrë të veçantë ka ndikuar në uljen e të ardhurave. Tani ne kemi një treg të tejngopur në Shqipëri.
Penetrimi i kartave SIM në vend është më shumë se 150 për qind. Kjo do të thotë se tregu është maturuar.
Ekzistonte një treg monopol në shërbimin 3G me dhënien e licencës së parë. Më vonë një tjetër operator mori licencën e dytë, por ende ky treg nuk është i hapur.
Në këndvështrimin tonë, nisja e Shërbimit të Mbartjes së Numrave Celularë e ka bërë më agresive konkurrencën, veçanërisht sa i përket sektorit të shërbimit ndaj bizneseve.
Që ditën e parë që kemi hyrë në treg kemi kërkuar lejimin e Shërbimit të Mbartjes së Numrit.
Gjithashtu në treg tani ju mund të gjeni një konkurrencë të mirë sa i përket pajisjeve të shtrenjta dhe telefonave “të mençur” (smartphone).
Si e prisni tregun për vitin 2012?
Ne si Eagle Mobile do të vazhdojmë të sjellim ofertat dhe shërbimet më të mira, ashtu siç kemi bërë që ditën e parë që kemi hyrë në treg.
Në të njëjtën kohë, ne presim që të ketë një rritje të interesit dhe vetëdije për Shërbimin e Mbartjes së Numrave dhe 3G dhe përfitimet që sjellin ato.
Klientët janë të përqendruar në pajisjet dhe shërbimin e dhënë përmes tyre dhe kjo është arsyeja se pse tregu i pajisjeve do të rritet së bashku me tregun e telekomunikacionit në vend.
Ne presim më shumë konkurrencë në treg, por ne jemi të kënaqur për këtë sepse është Eagle Mobile kompania që solli këtë konkurrencën për herë të parë.
Përmes kësaj, ne jemi të sigurt se Eagle do të vazhdojë të rrisë praninë në treg, me më shumë oferta, shërbime dhe klientë të rinj, të cilët do të jenë pjesë e familjes sonë.
Si ka qenë ecuria e kompanisë tuaj në 2011-n, në një mjedis ku tregu ka qenë në rënie dhe konkurrenca është shtuar?
Eagle Mobile ka pasur një pozicion konstant në treg, në termat e përqindjes së abonentëve dhe ka treguar një trend pozitiv në Shërbimin e Mbartjes së Numrave gjatë vitit.
Së fundmi komuniteti “Super RiniRing” ka provuar një sukses të madh mes klientëve individualë me ofertat më të reja në treg.
Vetëm gjatë vitit të fundit “Super RiniRing” ka trefishuar numrin e abonentëve, duke realizuar një rritje shumë të madhe në treg.
Gjithashtu dhe numri i abonentëve të Eagle Mobile në shërbimin me kontratë vazhdon të ketë një rritje të ndjeshme dhe veçanërisht në sektorin publik vazhdon të udhëheqë kryesimin e tregut.
Sa ishte numri i abonentëve të kompanisë tuaj në fund të vitit 2011?
Në total kemi arritur në 1,2 milionë abonentë dhe jam krenar dhe i lumtur të them se ky numër vazhdon të jetë në rritje.
Por pjesa më e rëndësishme nuk është numri total i numrave, por kënaqësia e çdo abonenti të Eagle Mobile në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. Ne po punojnë dhe po përpiqemi të sjellim më të mirën për ta.
Cilat janë planet e kompanisë suaj për vitin 2012? Ku do të mbështetet strategjia juaj konkurruese?
Ne jemi një nga operatorët më të suksesshëm në Mbartjen e Numrave Celularë me shifra mjaft pozitive.
Abonentët më besnikë në krahasim me operatorët e tjerë kanë rezultuar të jenë në Eagle.
Njerëzit me të vërtetë i vlerësojnë shërbimet më tërheqëse dhe të reja të Eagle Mobile. Në këtë drejtim do të bazohen planet tona, që do t’i mësoni konkretisht në javët në vijim.
Diçka rreth planeve dhe strategjisë së kompanisë suaj për vitin 2012. Si do ta poziciononi strategjinë e konkurrencës në treg?
Shërbimet e reja dhe me vlerë për konsumatorin do të jenë diferencues kyç të Eagle Mobile në 2012. Eagle gjithmonë ka qenë dhe mbetet kompani me surpriza për konsumatorët e saj.
Këtë vit do të jetë një vit me surpriza për ta. Por nëse i themi që tani nuk do të ishin më surpriza. Do të doja që t’i ftoj ata të na ndjekin dhe i falënderoj që kanë qenë dhe janë pjesë e kësaj familjeje.
Krahas kësaj, në vitin 2012 operatori ynë fiks ALBtelecom do të ofrojmë shumë të reja dhe paketa që do të rrisin më tej kënaqësinë e klientit. Për të arritur synimin tonë,
pra që të bëhemi operatori më i madh që ofron zgjidhje në telefoninë fikse dhe atë celulare, dëshirojmë t’i ofrojmë klientit tonë çmimet më të mira me shërbimet më të mira duke përdorur qoftë mundësitë tona teknologjike qoftë ato tregtare.
Ju përmendët edhe ALBtelecom-in në përgjigjen tuaj, si e vlerësoni ecurinë e ALBtelecom-it vitin e kaluar?
Gjatë viteve të fundit ALBtelecom ka bërë investime të konsiderueshme që mbulojnë të gjitha aspektet e rrjetit dhe sistemeve të kësaj kompanie.
Rrjeti i transmetimit është përmirësuar dukshëm në pothuajse të gjitha qytetet, që janë të ndërlidhura me fibër optike.
Rrjeti i aksesit po kalon një fazë zëvendësimi të plotë me teknologjinë më të fundit në dispozicion dhe në të njëjtën kohë rrjeti është shtrirë në zona të reja që nuk ekzistonin më parë,
ku ka një kërkesë në rritje për shërbime të telekomunikacionit. Si rezultat i kësaj pune rrjeti i mbulimit është rritur me 30 për qind.
Rritja e kërkesës së konsumatorëve për shërbimet online është një nga faktorët kryesorë që kanë çuar në rritjen e investimeve në infrastrukturën broadband.
Deri tani janë instaluar rreth 170,000 porta interneti të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Mbulimi me rrjet është zgjeruar edhe në disa nga zonat kryesore rurale.
Të gjitha këto investime kanë bërë të mundur përmirësimin e ndjeshëm në cilësi dhe në veçanti të shërbimit ADSL, i cili është në fokusin tonë.
ALBtelecom ka rritur shpejtësinë e internetit për paketat minimale nga 256 Kbps që ishte në vitin 2009 në 2 Mbps, dhe shpejtësinë maksimale të internetit në 100 Mbps për abonentët familjarë dhe të biznesit.
Këtë vit ALBtelecom do të vazhdojë të përqendrohet në shërbime të reja dhe përmirësimin e cilësisë. Ne u sigurojmë shërbime interneti më shumë se 2000 shkollave në të gjithë vendin.
Tashmë edhe aplikimet më tipike të internetit, si faqet sociale, posta elektronike etj. kërkojnë një transferim të dhënash (bandëith) shumë më të lartë se më parë,
dhe është normale që aplikimet audiovizive të kërkojnë transferim të dhënash edhe më të lartë se kaq.
Ofertat e vazhdueshme kanë rritur ndërgjegjësimin dhe si rezultat janë rritur edhe kërkesat dhe numri i abonentëve të internetit.
ALBtelecom ka ruajtur pozicionin e tij si ‘lojtar’ dominues në telefoninë fikse dhe shërbimet e internetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.