Kjo ka qenë një javë e rëndësishme në luftën globale kundër COVID-19. Me programet e vaksinimit të vendeve të pasura të G7 që kanë nisur tashmë, liderat e këtyre shteteve kaluan pjesën më të madhe të samitit të fundit duke diskutuar mbi nivelet e ulëta të vaksinimit në pjesën tjetër të botës.
Ata u larguan nga Cornwall pasi u zotuan se do të siguronin 1 miliard doza vaksinash për vendet e varfëra në vitin e ardhshëm. Midis atyre janë 500 milionë doza Pfizer që Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i dhuroi COVAX-it, programi i mbështetur nga OBSH-ja që synon shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në janar, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se një përhapje e pabarabartë globale e vaksinave me shumë mundësi do të kthehej në një “dështim moral katastrofik” për globin.
Aktualisht, vetëm 0.8% e njerëzve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta deri më tani kanë marrë një vaksinë, krahasuar me 20.9% të njerëzve në të gjithë botën, sipas të dhënave nga “Our World in Data“.
Ka edhe një lajm të mirë përveç premtimeve të mësipërme: Rezultatet e provave klinike të fazës së vonë të Novovax sugjerojnë se bota së shpejti do të ketë një tjetër vaksinë të sigurtë dhe shumë efektive të COVID-19.
Në total, deri më 15 qershor, 1.62 miliardë njerëz në të gjithë botën kishin marrë të paktën një dozë vaksine COVID, nga 932.4 milionë gjatë një javë më parë. Kjo rritje u nxit kryesisht nga shtimi i të dhënave nga Kina. Numri i dozave të vaksinave të administruara në të gjithë botën tani ka shkuar në 2.5 miliardë, nga 2.2 miliardë gjatë javës së kaluar.
Ndër vendet me normat më të larta të vaksinimit janë Uruguaji (60.7%), Kili (61.4%), Britania e Madhe (61.7%), Izraeli (63.4%), Kanadaja (65.4) dhe Kuvajti (67.3%).
Tridhjetë e pesë vende, kryesisht në Afrikë dhe Azi, dhe duke përfshirë shtete shumë të populluara si Republika Demokratike e Kongos (0,04%), Vietnami (1,63%) dhe Etiopia (1,65%), deri më tani kanë vaksinuar më pak se 2% të popullsisë së tyre. Shtatëdhjetë e pesë vende kanë arritur të vaksinojnë më pak se 10% të popullsisë së tyre.
Burimi: Fortune