Indeksi i Blerjes së Menaxherëve (PMI), i cili mat aktivitetin e mijëra kompanive në mbarë botën, tregoi se bizneset e eurozonës mbyllën muajin e tyre më të keq në tetor, që prej qershorit 2009, dhe ka pak shpresë se do të ketë një kthesë së shpejti.
Eurozona varet shumë tek Gjermania, ekonomia e saj më e madhe, për të gjeneruar rritje.
Aktiviteti i biznesit atje u tkurr me një ritëm më të shpejtë muajin e kaluar dhe të dhënat e reja tregojnë se porositë industriale në shtator ranë me një ritëm më të shpejtë sesa pritej.
Markit, hartuesi i PMI, tha se vëzhgimi i fundit ishte në të njëjtën linjë me ekonominë e eurozonës që është tkurrur me një ritëm tremujor prej 0.5%.
Në rast se PMI nuk arrin që të përmirësohet në nëntor dhe dhjetor, ekonomia e eurozonës mund të shënojë me lehtësi një tkurrje të thellë në tremujorin e katërt, ndryshe nga pritshmëritë për një stanjacion.
“Duke pasur parasysh stabilizimin në tregjet financiare dhe të treguesve të besimit të konsumatorëve në disa vende, ne mendonim se ndoshta do të shihnim dhe një stabilizim të PMI,” tha Janet Henry, analiste në HSBC.
“Ajo që është zhgënjyese nga të dhënat e tremujorit të katërt, është dobësia e reflektuar në treguesin e vendeve kryesore të eurozonës, Gjermanisë dhe Francës.”
Të dhënat e porosive industriale gjermane për shtatorin vetëm sa i shtohen pesimizmin, me një rënie prej 3.3% me bazë mujore.
Prodhimi industrial britanik gjithashtu ra më shpejt sesa pritej në shtator, treguan të dhënat të martën, duke përforcuar frikën se rimëkëmbja e brishtë nuk do të arrijë që të mbajë ritmin.