Një shkencëtar në Gjermani mendon se ai ka gjetur një përgjigje ndërsa studiuesit në të gjithë botën ekzaminojnë vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Shkencëtarët në të gjithë botën po garojnë për të kuptuar pse vaksinat Covid-19 nga AstraZeneca PLC dhe Johnson & Johnson po shkaktojnë (edhe pse rrallë herë) mpiksje të gjakut, e cila është potencialisht vdekjeprurëse.
Përcaktimi i lidhjes do të ndihmonte pacientët, mjekët dhe agjencitë shëndetësore të vlerësojnë më mirë çdo rrezik të mundshëm nga vaksinat dhe të përcaktojnë në mënyrë të sigurt përdorimin e tyre. Në javët e fundit, SH.B.A., provinca kanadeze e Ontarios dhe disa vende europiane, përfshirë Norvegjinë dhe Danimarkën, ose pezulluan ose ndaluan plotësisht përdorimin e këtyre vaksinave.
“Të kuptuarit e shkakut është shumë i rëndësishëm për vaksinat e gjeneratës së ardhshme, sepse koronavirusi nuk dihet edhe për sa do të vazhdojë të jetë prezent dhe vaksinimi ka të ngjarë të bëhet sezonal”, tha Eric van Gorp, një profesor në Universitetin Erasmus në Holandë i cili kryeson një grup të shkencëtarëve që po merren më këtë studim.
Në Gjermani, një studiues mendon se ka gjetur arsyen që po shkakton mpiksjet e gjakut. Andreas Greinacher, një ekspert i gjakut dhe ekipi i tij në Universitetin Greifsëald besojnë se të ashtuquajturat vaksina vektoriale, të cilat përdorin viruse të modifikuar të parrezikshëm, të njohur si adenoviruse, për të çuar material gjenetik tek marrësit e vaksinave për të luftuar koronavirusin, mund të shkaktojnë një përgjigje që shkakton mpiksjen e gjakut.
Prof. Greinacher dhe ekipi i tij sapo kanë filluar ekzaminimin e vaksinave si Johnson & Johnson dhe AstraZeneca dhe kanë identifikuar më shumë se 1.000 proteina në vaksinën e AstraZeneca që rrjedhin nga qelizat njerëzore, si dhe acidin etilenediaminetetraacetik, ose EDTA.
Hipoteza e tyre është se acidi EDTA, që është i zakonshme tek ilaçet dhe produktet e tjera, ndihmon proteinat të qarkullojnë në gjak, ku ato lidhen me një përbërës të gjakut të quajtur faktori i trombociteve 4, ose PF4, duke formuar komplekse që aktivizojnë prodhimin e antitrupave.
Inflamacioni i shkaktuar nga vaksinat, i kombinuar me komplekset PF4, mund të mashtrojë sistemin imunitar për të besuar se trupi ishte infektuar nga bakteret, duke shkaktuar një mekanizëm mbrojtës arkaik që më pas shkakton mpiksje dhe gjakderdhje.
Prof. Greinacher e ka krahasuar aktivizimin e reagimit të fjetur, i cili është zëvendësuar në evolucionin e sistemit imunitar të njeriut, por ende qëndron në themelet e tij, njësoj si “zgjimi i një dragoi të fjetur”.
Prof. John Kelton nga Universiteti McMaster në Kanada, i cili merret me studimin e rasteve të pacientëve me simptoma të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit, tha se laboratori përsëriti disa nga rastet kërkimore të Prof. Greinacher dhe konfirmoi gjetjet e tij. Megjithatë, shkaku ishte i paqartë. “Hipoteza e Prof. Greinacher mund të jetë e saktë, por mund të jetë edhe e gabuar”, tha Prof. Kelton.
Prof. Greinacher po punon për të konfirmuar teorinë e tij, duke shpresuar të gjejë bashkëpunim edhe nga ana prodhuesve të vaksinave. Ekipi i tij ka testuar vaksinat AstraZeneca dhe sapo ka marrë doza nga Johnson & Johnson. Universiteti Greifsëald tani po negocion me prodhuesit e ilaçeve për të pasur akses më të madh në proceset e tyre të bërjes së vaksinave./Fox News